Arben Hoxha, 40 vjeç, ka qëlluar disa herë me thikë të shoqen dhe e ka lënë të vdekur. Ishte i bindur që e tradhtonte
Romë, 3 shtator 2012 – Prej kohësh, Arben Hoxha, 40 vjeç, murator rezident në Fano ishte i bindur që e shoqja, Mariola 32 vjeçe, e tradhtonte, gjë që nuk arrinte të duronte dot e që ishte shkak grindjesh të vazhdueshme familjare. Pas zënies së radhës, Hoxha hyn në dhomë të gjumit me një thikë të marrë në kuzhinë dhe vret të shoqen.
Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur të dielën pasdite, rreth orës 14,30 në një apartament të lagjes Flaminio të Fanos ku çifti jetonte bashkë me dy vajzat, që nuk ndodheshin në shtëpi në atë çast. Me të kryer vrasjen, Hoxha ka shkuar drejtpërdrejt në komisariatin e policisë dhe ka rrëfyer krimin. Kur policia e ambulanca kanë shkuar në apartamentin e familjes Hoxha, gruan e kanë gjetur pa jetë në një pellg me gjak.
Tashmë Hoxha është mbyllur në burg, ndërsa për vajzat e çiftit njëra 12 e tjetra 14 vjeçe duhet të gjejë një zgjidhje gjykata e të miturve.
Hetuesit janë duke verifikuar nëse vrasja është bërë me paramendim, apo nëse Hoxha ka vepruar në inat e sipër.