Karabinierët arrestojnë me akuzën e keqtrajtimeve në familje S.H. shqiptar rezident në Acquastarta. Nuk donte që e bija, në moshë madhore, të dilte me shokët
Romë, 3 shtator 2012 – Mbrëmjen e të dielës, karabinierët e Ternit kanë arrestuar shqiptarin S.H., 45 vjeç rezident në Acquasparta.
E kanë parë teksa kërcënonte të bijën me thikë në mes të rrugës, për ta detyruar të hipte në makinë me të e të shkonin në shtëpi.
Nga verifikimet, karabinierët kanë zbuluar se vajza. që ka mbushur 18 vjeç, prej një muaji e ca nuk jetonte më me prindërit për shkak të grindjeve të vazhdueshme me të atin që shpesh ktheheshin në episode të dhunshme. Në fakt, në nëntor të vitit të shkuar, kur akoma ishte e mitur, vajza ishte larguar nga shtëpia e prindërit kishin denoncuar zhdukjen e saj, por brenda pak ditëve ishte kthyer sërish në shtëpi.
Mbrëmë, kur e ka parë të bijën në qendër, 45-vjeçari e ka kapur për njërin krah dhe është përpjekur ta tërheqë me forcë drejt makinës, dhe përpjekjeve të vajzës për t’u shkëputur i është përgjigjur duke e qëlluar me shkelma dhe grushte dhe duke e kërcënuar me një thikë që kishte me vete.
Është mbyllur në burgun e Ternit për keqtrajtim të familjarëve.