in

Elbasani dhe hebrenjtë, histori dashurie

Sipas historianit Kujtim Bevapi, rreth 30% e popullsisë së lagjes ‘Kala’, përbëhej nga çifutë, të cilët luajtën një rol jo të vogël për lulëzimin e artizanatit dhe tregtisë në Elbasanin e dikurshëm. Gjatë të gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore asnjë nga familjet çifute nuk pësoi dëmtimin më të vogël nga politika antisemitike gjermane

Për t’i shpëtuar holokaustit hitlerian gjatë Luftës së Dytë Botërore, si në mbarë Shqipërinë, edhe në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij, u strehuan shumë familje hebrejsh. Këto të fundit u mbrojtën nga familjet elbasanase, duke i shpëtuar shfarosjes.

Historiani Kujtim Bevapi tregon se hebrejtë merreshin kryesisht me tregti dhe mendohet se shumë familje janë vendosur në lagjen “Kala”.

Sipas informacioneve të dhëna nga kleriku dhe atdhetari Visarion Xhuvani, një ndër themeluesit e drejtuesit e Kishës Autoqefale Shqiptare, bëhet fjalë për një vendbanim të madh hebrejsh gjatë Perandorisë Otomane.

Varri i çifutit

Të moshuarit në fshatin Shelcan, por edhe më të rinjtë, jo vetëm kanë dëgjuar, por edhe të tregojnë vendin ku shumë vjet më parë, gjeti prehje trupi i një çifuti shëtitës. Meqenëse ishte njeri pa familje, u kujdes fshati t’i bënte nderimet e fundit, duke i përgatitur një varr që i përballoi shkulmeve të disa shekujve.

Shumë gjurmë kanë humbur gjatë kohës së largët, por vendvarrimi i këtij hebreu mbahet ende mend nga të moshuarit e këtij fshati. Për varre çifutësh flitet edhe në fshatra të tjera të zonës së Shpatit. Nga këto rrëfenja të moshuarish kupton se këta çifutë endacakë, herë-herë u ngulën dhe u bënë një me vendasit, por në shumicën e rasteve, ata mbetën si shtegëtarë, duke kaluar nga njëra zonë në tjetrën.

Për ta dyert e banorëve vendas kanë qenë gjithnjë të hapura dhe kjo mikpritje kaloi nga brezi në brez, duke arritur deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur familje të tëra çifutësh, për t’i shpëtuar përndjekjes, lanë qytetin e Elbasanit dhe gjetën strehë e siguri fshatrave të Shpatit.

Sinagoga në qendër të qytetit dhe gjurmët e lëna nga hebrejtë

“Në qytet ka pasur një sinagogë, gjë që e vërteton fragmenti i një rozoni me Yllin e Davidit, i cili ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit. Në vitet e fundit të shekullit të XX-të, është gjetur një pllakë guri në formë trapezi, në sipërfaqen e të cilit ka të skalitur një kornizë dhe brenda saj, disa rreshta me shkrim hebraik dhe përreth gjashtë yje me gjashtë cepa”, tregon për ATSh-në historiani Kujtim Bevapi.

Afro 100 metra në jug të Rrapit të Bezistanit (në qendër të qytetit), rreth shekullit të XVI-të, ka ekzistuar një sinagogë hebraike, e quajtur “Havri i Hebrejve”, e cila shërbente si faltore dhe si han. Ajo ishte një pikë e rëndësishme për tregtarët hebrenj që shkëmbenin mallra në shumë vende të Ballkanit dhe të botës. Më pas, kjo sinagogë u përdor nga turqit si han i quajtur “Hani i Shehetilës”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjermanët dogjën të gjithë librat e hebrejve që ndodheshin në këtë sinagogë. Më pas, në këtë vend, në vitin 1930 u ndërtua pazari i vjetër, ku punëtorët gjetën monedha ari me simbole hebraike. Tregtarë, të cilët gërmuan për ndërtimin e themeleve të dyqaneve të tyre gjetën edhe një kapak libri në gjuhën hebraishte, të punuar me dorë në argjend, ku është edhe vula e punuesve të librit.

Ky kapak, i cili i është shtuar arkivës së koleksionistit Vangjel Kapidani, mendohet se i përket një libri shumë të rëndësishëm të kulturës hebraike dhe tregon se në Elbasan ka ekzistuar një komunitet hebraik shumë i rëndësishëm, që ka lënë gjurmë në këtë qytet.

Për kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ekzistenca e sinagogës është mëse e vërtetë. “Disa herë kam kërkuar një fond nga MTKRS për të nisur gërmimet dhe për të nxjerrë në pah këtë sinagogë, por deri më tani nuk kam marrë asnjë përgjigje”, deklaron Sejdini, duke shtuar se zbulimi i kësaj sinagoge, edhe një herë do të nxirrte në pah vlerat turistike dhe antikitetin e këtij qyteti të lashtë.

Mikpritja e elbasanasve

Do të mbetet i pashlyer në kujtesën e qytetarëve elbasanas fakti se gjatë të gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, asnjë nga familjet çifute, banorë të Elbasanit, nuk pësoi dëmtimin më të vogël nga politika antisemitike gjermane.

Sipas historianit Bevapi, rreth 30% e popullsisë, ‘tabanë‘ të lagjes ‘Kala’, përbëhej nga çifutë, të cilët luajtën një rol jo të vogël për lulëzimin e artizanatit dhe tregtisë në Elbasanin e dikurshëm. Me ardhjen e demokracisë, pjesa dërrmuese e familjeve çifute, banorë të Elbasanit, u larguan për në shtetin e ri izraelit, ndonëse miqësia me banorët e këtij qyteti nuk u harrua. (ATSh)

Lexo edhe: Histori shqiptarësh që mbrojtën hebrenjtë

Shoqata Scanderbeg e Parmës nis regjistrimet për shkollën shqipe

Zjarret vazhdojnë të djegin Shqipërinë