Sindikata kombëtare e gazetarëve italianë të kinemasë vlerëson La nave dolce të Daniele Vicarit si dokumentarin më të mirë të paraqitur në Venecia. Nga 8 nëntori, filmi do të jetë në sallat e kinemave
Romë, 7 shtator 2012 – Për Gazetarët e kinemasë (SNGCI) të pranishëm në festivalin e Venecias, dokumentari më i mirë i paraqitur këtë vit është Anija e Ëmbël i Daniele Vicarit, dokumentari mbi zbarkimin e Vlorës në Bari më 1991.
Këtë vit gazetarët SNGCI të akredituar në festival, kanë zgjedhur të vlerësojnë edhe filmat që nuk janë në konkurrim, por të orientohen më shumë drejt kinemasë që premton vizion të ri.
“Dhjetë vjet më parë – shpjegon Vicari, regjisori i “Anijes së Ëmbël” – kisha marrë këtë çmim për filmin tim të parë artistik. Këtë radhë, çmimi Pasinetti shkon për një dokumentar e kjo është shumë e rëndësishme për kinemanë dokumentaristike”.
Filmi është prodhim italo-shqiptar, i shtëpive filmike Indigo Film, Apulia Film Commission, Rai-Cinema në bashkëpunim me Telenorba dhe shtëpinë shqiptare Ska-Ndal Production. Do të jetë në sallat e kinemave italiane nga 8 nëntori 2012.