I larguar të premten me makinën e tij në kërkim të një vendi pune, Admir Dejeli, 36 vjeç, rezident në Spezzano Albanese, nuk ishte kthyer më në shtëpi. Lajmëron gruan me celular se ka pasur një aksident por nuk di t’i tregojë në ç’pikë ka rënë. Fillojnë kërkimet e përfunduara të shtunën me gjetjen e trupit të ajet të 36-vjeçarit.
Romë, 30 shtator 2012 – Admir Dejelin, më në fund e kanë gjetur, në një greminë anash rruge në zonën Stragolia Piccola të Spezzano Albanese-s: rreth orës 18 të të shtunës, zjarrfikësit që kishin dalë në kërkim të tij kanë pikasur kufomën e 36-vjeçarit shqiptar Admir Dejeli. Për të kufizuar sa më shumë zonën e kërkimeve, ishin vendimtare të dhënat telefonike të celularit të tij që kanë dhënë me saktësi “celulën” telefonike të zonës me të cilën ishte lidhur Dejeli nga çasti i aksidentit deri në ato fundit të jetës së tij. Të rëndësishme edhe dëshmitë e disa rezidentëve të zonës që e kishin parë të kalonte vetëm një herë në atë rrugë. Kështu pas një dite të tërë shprese e kërkimesh, edhe me ndihmën e dy helikopterëve një të mbrojtjes Civile, tjetri i Zjarrfikësve, zbulimi i tmerrshëm, gjetja e trupit të pajetë.
Historia nisi mëngjesin e të premtes kur Dejeli u largua nga shtëpia me makinën e tij në kërkim të një pune. Thuhet se po shihte mos kishte nevojë gjëkundi për krah pune për mbledhjen e ullinjve.
Por për arsye ende të paqarta, makina e Admirit përfundon në një greminë 20 metra nën nivelin e rrugës. Pak më pas e shoqja që nuk ishte në dijeni të fatkeqësisë që i kish ngjarë ndërkaq Admirit e merr në telefon. Ai i tregon për aksidentin e që ka rënë në një greminë por nuk di t’i tregojë me saktësi vendin. Pas pak celulari i Admirit fiket, ndoshta për shkak të baterisë së shkarkuar.
Gruaja jep alarmin dhe Karabinireët, Zjarrfikësit, Mbrojtja Civile dhe Ndihma e shpejtë Alpine nisin kërkimet edhe në komunat përreth, Lorenzo del Vallo, Tarsia dhe Terranova da Sibaripor dita e premte mbyllet pa asnjë rezultat. Kërkimet rifillojnë të shtunën e vetëm pas mbërritjes së tabelave me të dhënat telefonike, u arrit të ngushtohej zona e kërkimeve dhe në orën 17.45 pikaset trupi i pajetë i Admir Dejelit.
Kufoma është dërguar në morg për autopsinë e pas saj do të vendoset nëse do të nisin apo jo hetimet mbi këtë vdekje.