in

Edhe të sapodiplomuarit jashtë shtetit vuajnë krizën e kthehen në vendlindje

Kthehen kryesisht nga Italia e Greqia ku kanë studiuar për disa vjet. “Procedurat për njohjen e diplomave kryhen brenda 45 ditëve” pohon drejtoresha e Arsimit të Lartë në MASH, Edlira Late

Tiranë, 8 tetor 2012 – Numri i studentëve që janë shkolluar jashtë vendit dhe kanë vendosur të kthehen në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, këtë vit ka pasur një rritje të numrit të studentëve shqiptarë të kthyer nga jashtë vendit që kanë kërkuar t’u njihet diploma. Nga ministri e Arsimit thonë se gjatë sezonit të verës ka pasur një dyndje për konvertimin e diplomave të huaja, kryesisht nga të rinj të kthyer nga shtetet fqinje si Italia apo Greqia, pasi kanë kryer studimet disavjeçare në universitetet e tyre.

“Numri i aplikantëve në sezonin e verës ka qenë në rritje edhe për nxënësit e shkollave të mesme. Ndoshta lëvizja e të rinjve, e fëmijëve të familjeve, ndjek trendin e familjeve të kthyera nga vendet fqinj, kryesisht Greqia dhe Italia. Por ka dhe studentë që kthehen nga shtetet ku kanë shkuar posaçërisht për të studiuar pasi kanë kryer një cikël studimi aty dhe kanë vendosur vazhdojnë studimet në universitetet në vendlindje”, – pohon drejtoresha e Arsimit të Lartë në MASH, Edlira Late.

Ndërkaq, Late shpjegon se për t’u ardhur në ndihmë të rinjve të sapokthyer që duan të punësohen në vend apo të vazhdojnë studimet, procedurat për njohjen e diplomave kryhen në një kohë më të shkurtër se 45 ditë, ndërsa për rastet që dyshohet se kanë dokumente të falsifikuara, procedurat zgjasin. “Për të gjithë aplikantët që nuk i kanë me vula apostile, ne mundohemi të bëjmë një verifikim online të procedurave të kryerjes së studimeve dhe për të gjitha dokumentacionet shkollore që ndoshta janë përtej 45-ditëshit, janë dokumentacione që kërkojnë një verifikim të dyfishtë. Pra, për të evituar çfarëdolloj dokumenti që nuk është autentik ne mundohemi të marrim përgjigje dhe verifikim nga institucionet që i kanë lëshuar”, – sqaron drejtoresha e Arsimit të Lartë.

Për çdo student që kërkon të bëjë njohjen e diplomës së tij ka një komision të posaçëm pranë Ministrisë së Arsimit, ku duhet të drejtojë kërkesën në formën e aplikimit. Në rast se aplikuesit nuk i njihet diploma, ai mund t’i drejtohet me një ankesë ministrit të Arsimit. Brenda 30 ditësh ai do të marrë një përgjigje. Në dosjen për konvertimin e diplomës, të gjithë të interesuarit duhet të kenë diplomën, listën e notave, fotokopje të pasaportës si dhe mandat-pagesën që kushton 2500 lekë.

Mapo

Fatkeqësi në punë. Bie nga katër metra lartësi, plagoset rëndë

Bari. Sekuestrohet 600 kg marijuanë, arrestohet një 30-vjeçar