Komisioni Evropian pritet të publikojë të mërkurën në mesditë Raportin e Progresit për Shqipërinë për vitin 2012.
Paraprakisht zëra jo zyrtarë pohojnë se ndryshe nga dy vitet e kaluara, kur dhënia e statusit u mohua, këtë herë pritet që KE të propozojë dhënien e statusit, por me kusht që më parë të realizohen disa reforma në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike, si dhe të përmbylljes së reformës parlamentare, duke kërkuar njëkohësisht edhe një angazhim më të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shqipëria duhet të plotësonte 12 prioritetet që KE i kishte përcaktuar që në opinionin e tij të vitit 2010, ndërkohë që zyrtarë të Komisionit konstatojnë se “vendi ka arritur të plotësojë disa nga reformat, është në rrugë të mbarë për përmbushjen thelbësore të disa prej objektivave, ndërsa nuk ka përmbushur sa duhet objektivat e tjerë”.
Reforma parlamentare, ligji ‘Për Gjykatën e Lartë’ dhe ai ‘Për nëpunësin civil’ janë disa nga reformat e papërfunduara dhe të mbetura pezull për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes maxhorancës dhe opozitës.
Publikimi i rekomandimit të Komisionit për Shqipërinë si dhe vleresimi për ecurinë e mëtejshme të marrëdhenieve me vendet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit, pritet të bëhet nga komisioneri per Zgjerimin, Stefan Fyle, pak pas mesditës, kur kolegji i komisionerëve të ketë miratuar edhe raport progreset për secilin vend.
Raporti për Shqipërinë pritet t`i dorëzohet më pas Kryeministrit Berisha nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.
Lexo edhe:
Brukseli drejt njohjes së kandidaturës së Shqipërisë si vend kandidat
Kadare: “Europa, shtëpia e natyrshme dhe e vetme e Shqipërisë”
Rreth 40% e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat për në BE