in

Durrës. Një arbëresh në pallatin tim

Luigi de Rosa është arbëresh që jeton mes Durrësit dhe Ururit, vendlindja e tij në Molise. Në qytetin shqiptar po hap një ekspozitë për katundin e tij, ndërsa në Ururi dëshiron të organizojë një ceremoni për 100-vjetorin e Pavarësisë

Nga Gëzim Kabashi

Mes emrave shqiptarë, në pllakën e citofonit të pallatit ku banoj, është shkruar edhe Luigi De Rosa. Nuk është e vështirë të kuptohet që bëhet fjalë për një italian, i cili nuk është i huaji i vetëm me të cilin jetojmë prej vitesh në të njëjtën hyrje. Ka edhe të tjerë: kanadezë apo grekë, që kanë blerë apartamente në pallatin tonë. Kjo nuk habit më askënd në Shqipëri!

Çfarë më bën përshtypje kur përshëndetem me Luigi De Rosën? Gjuha shqipe dhe dëshira për të folur për ‘katundin’ e tij, Ururin, atje në Molisen e largët përtej Adriatikut. Kur jam takuar për herë të parë me Luigin më befasoi përgjigja e pastër në gjuhën tonë. Më pas kemi biseduar gjithnjë shqip.

Një ëndërr me emrin Shqipëri

De Rosa e ka mësuar shqipen akoma pa ardhur në Shqipëri. Arbëreshi i Italisë e kishte mësuar gjuhën e “gjakut të shprishur” në rrugët e rrugicat e Ururit, kur luante me bashkëmoshatarët e tij. E ndiente veten më shumë shqiptar se sa italian kur nisi të merrej me botimet e para “Gjuha jonë e bukur” dhe “Gjellë”, që për banorët e Ururit do të thotë “Jetë”. Edhe kur krijuan shoqatën për ruajtjen e gjuhës shqipe në fundin e viteve 1960.

“Në Ururi jetonin familje me mbiemra si në shqip: Peta, psh. ose Glave, ose Sulo, apo Plesha e Tanasi, ose Syzi, që më pas e kthyen në italisht Occhionero. Nëna ime mbante mbiemrin e vashërisë Lëkursi, njëlloj si kalaja në Sarandë”, shprehet fqinji im. “Ndieja një vokacion, një thirrje për ta njohur vendin tim të origjinës, megjithëse kanë kaluar gati 6 shekuj, që kur jemi shpërngulur”, vazhdon Luigi De Rosa.

Kishte dalë në pension, kur arriti të shkojë në Prishtinë dhe ndoqi kurset e gjuhës shqipe në fakultetet e Universitetit shqiptar të kryeqytetit të Kosovës. “Një pjesë e arbëreshëve që tani japin mësim në universitete të ndryshme të Italisë, janë përgatitur në Prishtinë”, thotë De Rosa, duke iu kthyer mesit të viteve 1980.

Iu desh të presë katër vjet të tjerë për të ardhur për herë të parë në Shqipëri. Që nga viti 1987, kur erdhi për herë të parë, kanë kaluar 25 vjet dhe marrëdhëniet e arbëreshit De Rosa me atdheun e të parëve janë forcuar ndërkaq. Në vitin 1997 ai botoi në Tiranën me shumë halle vëllimin poetik “Lule me gjemba”, disa poezi prej të cilit i lexoi në ceremoninë e promovimit aktorja jonë e shquar Margarita Xhepa.

Ndërkohë që Luigi De Rosa nisi botimin e gazetës “Kumbora”, në gjuhët shqip dhe italisht. Më saktë, në arbërisht dhe në shqip. Megjithë vështirësitë e mëdha financiare “Kumbora” ka arritur në numrin e 97-të, ndërsa vetë De Rosa jeton mes Durrësit, ku ka blerë një apartament dhe Ururit, vendlindjes së tij në Itali.

Ururi në një ekspozitë

Prej disa javësh, Luigi De Rosa po përgatit historikun e ‘katundit’ të tij. “Më pëlqen t’ua tregoj këtë bashkëqytetarëve të mi durrsakë”, thotë ai, ndërsa shpjegon se në Itali ka rreth 70 fshatra arbëreshe, kryesisht në Kalabri dhe Sicili, por jo vetëm atje. Janë të paktë ata që dinë diçka për praninë e ngulimeve arbëreshe në veri të Foggias, vijon De Rosa.

Në monitorin e kompjuterit shihen 40 didaskalitë e përgatitura për çdo faqe të tregimit të tij për Ururin. Është një udhëtim i bukur, i shkruar në gjuhën shqipe prej një njeriu që e dashuron vendlindjen e tij, dhe po aq Shqipërinë.

“Nuk është një vend dosido Ururi. Tre burra të këtij fshati në vitet 1960-1970 kanë qenë politikanë të njohur, qeveritarë dhe deputetë në Parlamentin e Italisë. Tomaso Palmiotti ishte 20 vjet kryetar i bashkisë sonë para se të bëhej deputet, së bashku me Luigi Occhioneron”, tregon arbëreshi për bashkëqytetarët e tij. “Më i njohuri me siguri ka qenë Mario Tanassi, që përveçse ministër në disa qeveri, arriti të jetë edhe zëvendës kryeministër i Italisë” [Shënim i redaksisë: Tanassi është dënuar për korrupsion nga Gjykata kushtetuese dhe është i pari ish ministër i Republikës që ka bërë katër muaj burg].

‘Katundi’ apo ‘paese’ ka pasur 3 mijë banorë, por tani njerëzit po largohen. Në gravurat dhe fotot e fillimshekullit të kaluar shihen fragmente të kishave të hershme, të fisnikëve dhe brigantëve, që shpesh herë sulmonin “qytetthin”, e që një herë ia kanë dalë ta djegin atë.

Në riprodhimet me ngjyra shpesh shihet Skënderbeu, figura më e nderuar mes ururasve. Ende nuk janë zbuluar dokumentet mbi krijimin e Ururit, që duket se ka si datë themelimi vitin 1465, tre vjet para vdekjes së Skënderbeut. “Besohet se paraardhësit tanë erdhën në Itali, të dërguar nga Skënderbeu në ndihmë të Mbretit të Napolit, gjatë revoltës së baronëve të Apuglias”, tregon De Rosa, duke shtuar se kjo pjesë e historisë është ndërtuar me pak dokumente në dispozicion.

Arbëreshët ruajtën gjuhën, traditat dhe zakonet, pavarësisht se ishin të shpërndarë nëpër Itali.“Në vitin 1968 ne krijuam një Komitet për mbrojtjen e gjuhës arbëreshe dhe shkuam në Romë për homazhe pranë monumentit të Skënderbeut”, tregon Luigi fotot bardhezi të 44 viteve më parë.

Të gjitha tabelat në vendlindjen e Luigit janë të shkruara në dy gjuhë, në italisht dhe në shqip. “Për fat të keq nuk kemi mundur ta vëmë shqipen si gjuhë të dytë të detyrueshme, siç kanë bërë me gjermanishten në Alto Adige”.

“Parlamenti Italian vendosi me ligjin 482 të vitit 1999 që pakicat etnike të marrin financime për mësimin e gjuhës, por ato janë shumë të pakta, ndërsa interesimi i banorëve për gjuhën shqipe po bie”, tregon me trishtim De Rosa. “Në kohën tonë ishte ndryshe – thotë 68-vjeçari. – Ne fëmijët flisnim vetëm arbërishten, kur luanim në shesh apo në rrugë. Aq e vërtetë është sa kur na pyesnin në gjuhën italiane, kishim vështirësi pasi dialekti vendas i italishtes ishte gati i pakuptueshëm”.

Në apartament  bie muzgu. Kartonët me itinerarin e Ururit rivendosen mbi njëri-tjetrin dhe Luigi De Rosa më tregon planet e tij të afërta. “Kam biseduar me Mondin, drejtuesin e galerisë dhe shpresoj se do të gjendet një periudhe boshe disaditore për tablotë e historisë së Ururit arbëresh”.

“Më pas dua të shkoj në fshat. Ndoshta organizojmë një ceremoni për ngritjen e Flamurit më 28 nëntor”.  Është një ëndërr, që Luigi de Rosa, arbëreshi i Durrësit, do ta kthejë në realitet.

Rreth 40% e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat për në BE

Statusi i vendit kandidat? Ndoshta po, por i kushtëzuar