in

Puna e shqiptarëve në Itali

Kriza ka ndikuar negativisht në punën e shqiptarëve. Që nga viti 2009 punësimi ka pësuar rënie, edhe pse në shifra absolute është rritur. Në vitin e parë pas krizës diferenca e shqiptarëve midis punësimeve e shkëputjeve nga puna ishte saktësisht -4.329. Gjatë 2011-tës jemi pak a shumë në të njëjtat nivele (-3.953)

Nga Rando Devole

Gjatë viteve të fundit, numri i shqiptarëve në Itali ka shënuar rritje të vazhdueshme. Duke filluar nga vitet nëntëdhjetë, me eksodet mbresëlënëse drejt brigjeve italiane, e deri më sot shqiptarët e kanë shtuar gradualisht praninë e tyre, duke arritur në datën 1.1.2012 kuotën 491.495. Ky numër u përket emigrantëve shqiptarë të rregullt në territorin italian, pra të pajisur me lejeqëndrim nga autoritetet përkatëse. Një vit më parë, domethënë në fillim të 2011-s shqiptarët ishin më pak (482.627). Po të shtonim edhe 3.884 shqiptarët që kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me dokumente sipas sanatorias së fundit (15 shtator-15 tetor 2012) dhe rritjen e mundshme fiziologjike që verifikohet tashmë çdo vit, mund të vlerësohet se shqiptarët në fund të këtij viti do të kapin gjysmë milionin.

Puna përbën arsyen kryesore të emigracionit nga Shqipëria. Dy kategoritë kryesore që kanë të bëjnë me punën janë të punësuarit dhe të vetëpunësuarit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë si të punësuar (me kontratë pune të varur) në ndërmarrjet italiane ose të huaja. Por duhet vërejtur se edhe numri i sipërmarrësve shqiptarë, me fjalë të tjera të vetëpunësuarit, po rritet ndjeshëm vitet e fundit.

Në datën 1 janar 2012, sipas të dhënave Inail (Istituto Nazionale Assicurazione contro gli Infortuni sul Lavoro – Instituti Kombëtar i Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë), në Itali punonin gjithsej 260.225 shqiptarë. Kjo e dhënë përfshin të gjitha llojet e punonjësve, si ata me kontratë me kohë të caktuar, ashtu edhe ata me kohë të pacaktuar, përfshirë punonjësit stinorë. Ajo që bie menjëherë në sy është se numri i punonjësve shqiptarë ka pësuar një rritje në krahasim me vitin e mëparshëm. Një vit më parë situata paraqitej në ulje, për shkak të krizës ekonomike.

Gjatë gjithë vitit 2011 janë marrë në punë nga fillimi 15.994 shqiptarë. Tregu italian i punës vijon t’i tërheqë shqiptarët edhe pse me ritme më të ngadalta se përpara. Për të pasur një vizion të saktë e dinamik të situatës së punësimit të shqiptarëve duhet gjetur diferenca midis të punësuarve dhe atyre që kanë dalë nga puna. Shenja, sikurse vitin e kaluar, ka qene negative (-3.953). Pra është e qartë se kriza ka filluar t’i godasë seriozisht shqiptarët. Duhet shtuar se vetëm në pamje të parë duket sikur ka kundërshti midis rritjes së numrit të përgjithshëm dhe shifrës negative të të larguarve nga puna. Janë dy faqe të së njëjtës krizë.

E reja e të dhënave të fundit lidhet me femërzimin e mëtejshëm të emigracionit shqiptar në Itali. Aktualisht 47,1% e emigrantëve janë femra. Kjo statistikë e përgjithshme nuk përkon me praninë në tregun e punës. Në fund të 2011-s pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë ishin meshkuj. Këta përbënin 68,7% e të punësuarve, ndërsa gratë vetëm 31,3%. Kjo përqindje nuk ndryshon prej tre vjetësh, ndonëse shifrat absolute rriten. Emigracioni shqiptar paraqitet aktualisht i ekuilibruar nga pikëpamja gjinore, por jo në tregun e punës.

Shqiptarët në Itali punojnë në të gjithë sektorët makroekonomikë. Në përqindje, rendi i pranisë në sektorët ekonomikë paraqitet kështu: industria (48,5%), shërbimet (40,4%), bujqësia (8,4%). Brenda këtyre përqindjeve vihen re përqendrime që ndryshojnë sipas sektorëve: ndërtim (32,2%), hoteleri e restorante (10,2%), sektori agroushqimor (11,2%), çka tregon se një pjesë e madhe e shqiptarëve punon në ndërtim, por nuk kemi të bëjmë me përqendrime të atilla sa të na bëjnë të flasim për “specializim  etnik” në tregun e punës, siç ndodh me bashkësi të tjera.

Kriza ka ndikuar negativisht në punën e shqiptarëve. Që nga viti 2009 punësimi ka pësuar rënie, edhe pse në shifra absolute është rritur. Në vitin e parë pas krizës diferenca e shqiptarëve midis punësimeve e shkëputjeve nga puna ishte saktësisht -4.329. Gjatë 2011-s jemi pak a shumë në të njëjtat nivele (-3.953). Për shkak të vitalitetit të tij, diferenca negative nuk e ka prekur sektorin bujqësor, ku për disa vjet radhazi punësimi sfidon krizën me shenjë pozitive.

“Ndërmarrjet: imigrantët e mposhtin krizën”, kështu e titullonte lajmin e vet një nga gazetat italiane (Il Sole 24 ore, 4 nëntor 2012) kur fliste për rritjen e numrit të ndërmarrjeve të të huajve dhe dinamizmin e tyre. Sipas të dhënave të fundit (Confesercenti), në Itali ka gjithsej 300.000 ndërmarrje të huaja, me rritje +6,6% nga viti i kaluar, që prodhojnë rreth 5,7% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto – GDP). Në gjashtëmujorin e dytë të 2012-s rezultojnë mbi 30.000 sipërmarrës shqiptarë (pas marokeneve dhe kinezeve). Përsa u përket ndërmarrjeve shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave e ushtrojnë veprimtarinë e tyre kryesisht në ndërtim (mbi 80%), mund të flitet për specializim etnik.

Me punën e emigrantëve lidhen edhe aspekte të tjera. Aksidentet në punë për shembull. Megjithëse ka një farë ulje nga viti 2010, numri i aksidenteve në punë që dëmtojnë shqiptarët në Itali, mbetet ende i lartë (11.715). Gjatë 2011-s, gjithnjë në krahasim me vitin e mëparshëm, janë reduktuar edhe aksidentet vdekjeprurëse (21), ndonëse numri vazhdon të jetë shqetësues e dramatik.

Marrë me shkurtime nga Përtej krizës ekonomike (këtu mund të lexoni shkrimin të plotë), i përgatitur nga sociologu Rando Devole dhe paraqitur në gjatë konferencës “PUNA SHQIPTARE NË ITALI. Politikat, Përkujdesjet e Përfaqësimi”, organizuar nga INAS-CISL, që u zhvillua nëTiranë, më 8 nëntor 2012, ora 9.30 – 13.00, në Tirana International Hotel.

Vdes në repartin e Ndihmës së Shpejtë. Familjarët padisin spitalin

È arrivato un bimbo? Fino a 5 mila euro di prestito a tasso agevolato