in

Armët e Skënderbeut mbërrijnë në Shqipëri

Përkrenarja, shpata dhe një thikë e heroit kombëtar kanë mbërritur sot në Durrës nga Austria. Nga 22 nëntori do të ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar, në Pavijonin e Mesjetës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë

Tiranë, 19 nëntor 2012 – Në datën 22 nëntor, në Muzeun Historik Kombëtar do të ekspozohen për publikun e gjerë, përkrenarja, shpata dhe një thikë e Skënderbeut, një pikturë në vaj, që paraqet heroin tonë kombëtar dhe pjesë të një codex-i të Jakob Schrenk von Notzing. Ekspozita “Armët e Skënderbeut në Shqipëri” do të qëndrojë deri në datën 13 janar në Muzeun Historik Kombëtar.

Armët e Heroit tonë Kombëtar, pjesë e fondit të Muzeut të Historisë së Artit në Vjenë, ekspozohen për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kjo iniciativë u bë e mundur falë bashkëpunimit ndërmjet qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Austrisë, të kurorëzuar në ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në lidhje me huadhënien e objekteve që i përkasin trashëgimisë së luajtshme kulturore të shtetit, për ekspozim në territorin e shtetit tjetër dhe marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Kunshistorisches Museum të Vjenës.

Për vlerat unikale të objekteve që paraqiten për herë të parë dhe rëndësisë së vetë ekspozitës, që zhvillohet në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, organizimi i saj u bë i mundur nëpërmjet financimit të buxhetit të shtetit dhe disa donatorëve të rëndësishëm.

Armët 550-vjeçare të heroit kanë mbërritur në automjet nga Vjena deri në Bari (Itali) dhe më pas kanë udhëtuar me tragetin “Ionis” për të mbërritur në portin e Durrësit sot paradite rreth orës 9.30. Në sheshin e trageteve, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, i cili ka dalë për të pritur armët e heroit tonë kombëtar tha për mediat e pranishme se “ky është një çast historik dhe tepër i rëndësishëm në simbolikën e 100-vjetorit të Pavarisë”.

Armët u çuan nga Durrësi në Muzeun Historik Kombëtar, nën masa të forta sigurie, të shoqëruara nga automjetetet e Policisë së qarkullimit rrugor.

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunst Historisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të bekon ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit)

Arrestohen tre shqiptarë për pengmarrjen rrufe të llogaritarit të Berlusconit

‘Mbytja e anijes. Vdekje në Mesdhe’. Libri i Leograndes vjen në shqip