in

‘Mbytja e anijes. Vdekje në Mesdhe’. Libri i Leograndes vjen në shqip

Shtëpia botuese Dudaj sjell në gjuhën shqipe “Naufragio. Morte in Mediterraneo” të gazetarit Alessandro Leogrande mbi tragjedinë e anijes Katër i Radës në të cilën humbën jetën 81 burra, gra e fëmijë

Tiranë, 19 nëntor 2012 – Është paraqitur në Panairin e Librit që u mbajt në Tiranë javën e shkuar, përkthimi në gjuhën shqipe i librit të gazetarit Alessandro Leogrande mbi ngjarjen e hidhur të njohur si ‘Tragjedia e Otrantos’ apo ‘Tragjedia e të Premtes së shenjtë’. Është fjala për librin ‘Mbytja e anijes. Vdekje në Mesdhe’ (në origjinal ‘Naufragio. Morte in Mediterraneo’) i botuar nga shtëpia Dudaj. Me këtë libër, që në Itali ka ndezur debate mbi përgjegjësitë e shtetit italian mbi atë ngjarje, Leogrande fitoi Çmimin Paolo Volponi “për letërsinë dhe angazhimin qytetar” dhe Çmimin Ryszard Kapuścinski me motivimin “për aftësinë e të rrëfyerit të vendeve dhe kulturave, e të vëzhguarit si kronist dhe e të paraqiturit si rrëfimtar”.

Në orën 18.57 të 28 marsit 1997 një motovedetë e vogël shqiptare e stërngarkuar me emigrantë, Katëri i Radës, goditet me bash nga një korvetë e Marinës ushtarake italiane, Sibilla. Brenda pak minutash anija shkon në fund të Kanalit të Otrantos. Është mbrëmja e së Premtes së Shenjtë. Të mbijetuarit janë vetëm 34, trupat e pajetë të gjetur 57, në pjesën dërrmuese gra dhe fëmijë. 24 personave nuk do t’u gjenden kurrë eshtrat.

Është njëra nga mbytjet më të tmerrshme të anijeve që kanë ndodhur në Mesdhe në njëzet vitet e fundit. Por sidomos, është tragjedia më e madhe në det e shkaktuar nga politikat e sprapsjes. Alessandro Leogrande ka hetuar gjatë mbi mbytjen e anijes të së Premtes së Shenjtë, ka takuar të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, ushtarakët, avokatët, aktivistët e shoqatave antiraciste dhe është endur nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë prej nga ishin nisur emigrantët.

Ajo ngjarje përbën një gur prove për të gjitha mbytjet e anijeve të tjera në të ardhmen, jo vetëm sepse qe rezultati i politikave të sprapsjes dhe të histerisë institucionale që i shkaktoi. Jo vetëm sepse në këtë aspekt Italia nuk ka bërë hapa përpara. Jo vetëm sepse, me cinizëm të plotë apo mospërfilljen më të madhe, një forcë politike deri një vit më parë në qeveri vazhdonte të fliste për bllokimet detare në Mesdhe. Por, sepse, ndryshe nga shumë të tjera të mbështjella nga heshtja, është e mundur ta rrëfesh.

Alessandro Leogrande, 35 vjeç nga Taranto, është nëndrejtor i të përmuajshmes “Lo Straniero”. Shkruan një rubrikë të përjavshme në Corriere del Mezzogiorno – Corriere della Sera dhe bashkëpunon me të përditshme dhe revista të ndryshme italiane. Me reportazhet e tij rrëfen mafiet e reja, lëvizjet e protestës, shfrytëzimin e argatëve të huaj nëpër fusha, plagë të mprehta sociale italiane.

Lexo edhe:
Deti i hapur i Katër i Radës
Intervistë me gazetarin Alessandro Leogrande

Armët e Skënderbeut mbërrijnë në Shqipëri

Flukset. Ministri: “Po arsyetojmë mbi një dekret të ri, por rëndon papunësia”