Ishte nëntori i vitit 1912, kur pas fjalimit të zjarrtë të Ismail Qemalit, në ballkonin e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës, në qytetin bregdetar, në atë shtëpi ku kishte lindur edhe Ismail Qemali, u shpalos Flamuri i Skënderbeut, vendi ku është sot Monumenti i Pavarësisë.
Godina ishte një nga dy sarajet e familjes së njohur të Vlorajve, pinjoll i së cilës ishte edhe Ismail Qemali. Këto saraje, të përbëra nga dy godinat madhështore, pronë e Xhemil Beut, kushëri i parë i Ismail Qemalit, ndodheshin aty ku sot është Sheshi i Flamurit, ose më saktë, në pjesën ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë dhe ku shtrihet Lulishtja e madhe e qytetit.
Kuvendi u mblodh në pjesën e sarajeve, e quajtur ndryshe ‘selamllëku’, që ishte edhe godina më e madhe dhe sot përkon me pozicionin karshi hotel “Sazanit”.
Në një intervistë për ATSH-në, historiani vlonjat Bardhosh Gaçe sqaron disa nga momentet që lidhen me jetën dhe aktivitetin e Ismail Qemalit, të cilat kanë mbetur ende të pandriçuara mirë deri tani.
Flamuri i Skënderbeut në ballkonin e shtëpisë ku lindi Ismail Qemali
Kuvendi Kombëtar dhe ngritja e Flamurit në 28 Nëntor u zhvilluan në shtëpinë ku në 24 janar të vitit 1844, lindi Ismail Qemali. Në këtë këndvështrim, për historianin vlonjat, prof.dr.Bardhosh Gaçen, ky objekt që tashmë nuk ekziston më, merr një vlerë të shumëfishtë simbolike dhe historike.
Ngritja e flamurit u realizua në dy kohë, fillimisht në ballkonin e katit të dytë, që ishte edhe hyrja për në godinë dhe më pas në një nga dritaret e të njëjtit kat. Madje, kjo dritare përkon me vendin ku sot ndodhet Shtiza e Flamurit.
Sarajet e Vlorajve kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur ato u prishën për t’ia lenë vendin Lulishtes së Madhe në Sheshin e Flamurit. Pinjollët e familjes së famshme u zhvendosën në godina të tjera, mes të cilëve Syrja Beu (Babai i Eqerem Bej Vlorës), pak metra më tutje, në godinën që sot emërtohet “Shtëpia e Beut” dhe Siri Beu, në Ujin e Ftohtë, në një vilë që përkon me kodrën ku ndodhet një nga vilat e ish udhëheqjes komuniste, tregon historiani.
Udhëtimi dramatik i Ismail Qemalit
Sipas rrëfimit të prof. Gaçes, pas takimit me diplomatët anglezë, italianë dhe ata të Vjenës, Ismail Qemali, bashkë me atdhetarët shqiptarë shkuan në Trieste, ku i prisnin bashkatdhetarët e tjerë.
“Atë kohë, në Shqipëri u krijua një situatë dramatike. Ushtria serbe kishte pushtuar Shqipërinë Veriore dhe nga Shkodra po marshonte për në Durrës. Në këtë moment, Ismail Qemali i dërgon telegram parisë së Vlorës, pas të cilit u ngrit një komision përgatitor për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në telegram thuhej se mbledhja e përfaqësuesve në Durrës, apo Vlorë është shumë e rëndësishme.
“ I thirrni të gjithë. Gjersa të arrij unë, mbani qetësinë e ruani bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua…”, ishte ky teksti i telegramit që i parapriu asaj ngjarjeje të madhe për Shqipërinë, që historiani Gaçe sjell në vëmëndje në këtë 100 vjetor të Pavarësisë.
Ky komision përgatitor luajti një rol të madh në përgatitjen e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ata ishin nga atdhetarët më të shquar si: Qazim Kokoshi, Hasan Sharra, Ibrahim Abdullahu, Syrja bej Vlora, Abaz Mezini, dom Mark Vasa, Elmaz Xhaferri, Haziz Xhyheri, Leonidha Bezhani, Bektash Cakrani, Ethem bej Vlora, etj.
“Disa prej tyre nuk përmenden në tubimet që bëhen, por mendoj që veprimtaria e tyre kombëtare duhet të ndriçohet”, sqaron Gaçe.
Pas dorëheqjes, Ismail Qemali kthehet sërish në Shqipëri
Në vijim të intervistës së tij, historiani Gace hedh dritë mbi një pjesë të aktivitetit të Ismail Qemalit, pas largimit të tij nga Shqipëria, në 24 janar të vitit 1914, ngjarje që pasoi aktin e dorëheqjes, me pëlqimin e Fuqive të Mëdha dhe më pas, ardhjen në vendin tonë të Princ Vidit.
“Fillimisht ai u vendos në Nisë të Francës, ku qëndroi vetëm pak muaj. Në qershor të atij viti, i shqetësuar për problemet e mëdha me të cilat po përballej vendi dhe me situatën dramatike që po përjetonin rreth 100 mijë muhaxhirë, të zhvendosur nga rajonet e kërcënuara nga shovinistët grekë, në zonën e Vlorës, Ismail Qemali u kthye në Shqipëri, në krye të një delegacioni të përbërë prej 15 vetësh.
Në qershor të vitit 1914, ai u takua me Princ Vidin në Durrës, ku i parashtroi atij gjendjen e rëndë të vendit, pushtimin e Shqipërisë së Jugut nga shovinistët grekë dhe ndihmën që duhej t’u jepej muhaxhirëve që ishin vendosur në ullishtat e Vlorës.
Të njëjtën gjë, Ismail Qemali kërkoi edhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit(KNK) që kishte marrë kontrollin e pushtetit në Shqipëri, pas largimit të Qeverisë së Pavarësisë.
“Në 15-16 korrik, në qytetin e Vlorës u zhvillua Mbledhja e Popullit, me përfaqësues nga 13 qytete dhe krahina të vendit, ku u krijua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar, ndërsa kryetar u zgjodh Ismail Qemali”, tregon historiani Bardhosh Gaçe.
Nga ky Kuvend, u hartua një thirrje drejtuar Fuqive të Mëdha, Princ Vidit dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, nënshkruar nga 30 përfaqësues.
“E vetmja masë, pas mendimit tonë që mund të mbajë Sovranin mbi fron është të sigurojë paprekshmërinë tokësore dhe bashkimin e kombit dhe të shpëtojë nga shfarosja e plotë 100 mijë qenie njerëzore, të cilët duke ikur nga zjarri dhe hekuri e duke lënë mallin e shtëpinë, ishin strehuar në të vetmin kënd të Shqipërisë që ishte ende i lirë, në qytetin e Vlorës dhe rrethet e tij”, shkruhej mes të tjerash në këtë thirrje.
Ismail Qemali: Shpresa e vetme, SHBA dhe Presidenti Uillson
Në gazetën “Dielli” të Bostonit shkruhet se “në 1 dhjetor të vitit 1915, Ismail Qemali pranonte me dhimbje se Shqipëria e kishte humbur pavarësinë e saj, e shtërgnuar prej të gjitha anëve prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve…”.
Edhe pse i bëri thirrje Francës për të ndihmuar Shqipërinë, përmes qarqeve diplomatike, zëri i tij ra në vesh të shurdhër. Me krijimin e Partisë Kombëtare Politike të shqiptarëve të Amerikës, në fund të vitit 1917, Ismail Qemali, sipas historianit Bardhosh Gaçe, u zgjodh delegat i saj në Evropë. Por, e vetmja shpresë që ai ushqeu në vitet e fundit të jetës ishte që vendi ynë të mbështetej tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tek Presidenti Uillson, për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Për këtë shkak, ai u largua nga Franca për të qëndruar në Madrid e Barcelonë, ku vazhdoi të zhvillonte një veprimtari të gjerë politike e diplomatike.
“Lipset me çdo mënyrë të fitojmë Kosovën, Manastirin dhe Janinën e Çamërinë…..Unë dua Shqipërinë nën regjimin demokratik federal për popullin shqiptar”, shkruan mes të tjerash, në një letër të tij, Ismail Qemali. (Përgatitur nga ATSh)
Lexo edhe: Pesëdhjetë fakte pak a shumë të njohura të jetës së Ismail Qemalit