in

Arvizu: “Retorikat nacionaliste janë lojë e rrezikshme që minojnë stabilitetin”

Ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka folur hapur kundër “rritjes së pavend në retorikën nacionaliste në vend, veçanërisht në javën e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë” duke theksuar se “kjo retorikë dëmton vendin, frenon marrëdhëniet, frenon bashkëpunimin rajonal”

Tiranë, 14 dhjetor 2012 – “Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative, të fokusuara në etnicitetin, për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura, për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë”, ka thënë sot Ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Këshillit Atlantik të Shqipërisë “Kooperim për Sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, duke theksuar se retorikat nacionaliste minojnë stabilitetin dhe përmbysin përparimin. 

“ShBA ka vënë re rritje të pavend në retorikën nacionaliste në vend, veçanërisht në javën e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe më pas. Kjo kontrastron dukshëm me rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur në rajon. Qeveria dhe partitë, përfshirë opozitën, kanë lëshuar mesazhe të qarta të përgjegjshme, duke inkurajuar shqiptarët jashtë të punojnë së bashku. Kohët e fundit aktorë të ndryshëm politikë kanë tentuar të përdorin etnicitetin për qëllime të ndryshme politike. Tensionet etnike, nëse zgjohen, janë të pamundura për t’u kontrolluar, personat të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha Arvizu.

Sipas ambasadorit, kjo retorikë dëmton vendin, ndërsa ka kujtuar edhe mosparaqitjen në festimet e 100-vjetorit të dy vendeve fqinje, si Greqia dhe Maqedonia. “Kjo duket si e vogël, por frenon marrëdhëniet, frenon bashkëpunimin. ShBA i kushton vëmendje kësaj. Thirrja nga AK për referendumin për bashkimin mes Kosovës e Shqipërisë minon përparimin për paqe e stabilitet rajonal. Theksoj se ShBA nuk mbështesin ndryshimin e kufijve në rajon. Çdo përpjekje për ta bërë këtë është destabilizuese.  Përqendrohuni në integrimin, fjala për një Shqipëri të madhe të rreme, është shpërqendrim nga problemet e mëdha dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj”, tha ambasadori Arvizu.

Sipas tij, “Rajoni i Ballkanit po përjeton aktualisht një periudhë relativisht paqësore dhe të gjitha vendet e Ballkanit e, sidomos Shqipëria, kanë kontribuar përtej këtij rajoni në misione të rëndësishme paqeruajtëse dhe stabilizimi”.
 

Firence. Zihen për fjalë hedhur një vajze. Vdes 21-vjeçari Tusha

Arta Dobroshi mes dhjetë aktorëve të rinj më të mirë të Europës