in

Në ndjekje të Europës

Refuzimet e njëpasnjëshme të statusit të vendit kandidat fotografojnë qëndrimin kritik të Brukselit ndaj nesh si një vend i cili nuk i përmbush kushtet e aderimit, më të rëndësishmet ndër të cilat janë kriteret politike të Kopenhagenit: demokracia funksionale, sundimi i ligjit, respektimi i plotë i të drejtave të njeriut, mbrojtja e pakicave kombëtare
Nga Gjergji Kajana

Siç ishte paralajmëruar, për të disatën herë rresht, Brukseli sapo i refuzoi vendit tonë statusin e kandidatit për të aderuar në BE. Në Tiranë debatohet ping-pongu i përhershëm i përgjegjësive qeveri-opozitë. Kryeministri është si përherë i papërmbajtshëm në akuzat ndaj “bllokuesit” Rama. Një gjë është e sigurt: statusi nuk është ende pas derës e data e pranimit në BE s’do të jetë e afërt. Ky është fakti më i dhimbshëm.

Strukturat e shtetit tonë dhe shoqëria civile duken të kapura prej asaj që studiuesit e integrimit e quajnë “lodhja e aderimit”, e cila shkon paralelisht me “lodhjen e zgjerimit” që përfshin Brukselin. Si gjithë Ballkani Perëndimor, ne ndiejme se në periudhën afatgjatë do të kishim të mira ekonomiko-shoqërore prej përkatësisë në një njësi shumëkombëshe të fortë si Bashkimi Evropian (BE). Por refuzimet e njëpasnjëshme të statusit të vendit kandidat fotografojnë qëndrimin kritik të Brukselit ndaj nesh si një vend i cili nuk i përmbush kushtet e aderimit, më të rëndësishmet ndër të cilat janë kriteret politike të Kopenhagenit: demokracia funksionale, sundimi i ligjit, respektimi i plotë i të drejtave të njeriut, mbrojtja e pakicave kombëtare. Kush studion dosjen evropiane të zgjerimit e ka mëse të qartë se na duhen ende plot vite angazhimi gjithëpërfshirës të përkushtuar për të mbyllur fletoren e “detyrave të shtëpisë”.

Fajtore për këtë prapambetje është krejt klasa jonë politike, e cila në 22 vjet pluralizëm politik nuk ka tentuar për një çast të formojë një shtet të realizuar e t’i shpjegojë qytetarëve shqiptarë temat e integrimit evropian. Sensibilizimi mungon edhe në media, e cila ka shansin e madh, duke përfituar prej jokompetencës së politikës, të jetë masivisht informuese në këtë kontekst nëse shton iniciativën dinamike. Ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi BE-në u lihet disa OJQ-ve të ambasadorëve të huaj, të detyruar t’u thonë shqiptarëve se vendi i tyre nuk është “si gjithë Evropa” e evokuar në parrullat e ’91-shit.

Kemi të gjitha arsyet për t’u ndier të zhgënjyer për faktin se Serbia, e cila vetëm 12 vjet më parë kishte mbi krye një autokrat genocidist dhe ishte e izoluar, mund të pranohet në BE para nesh nëse tregon moderim diplomatik me Kosovën që masakronte. Mali i Zi, rrugë jetike e kontrabandave të viteve ’90, është tashmë kandidat. Kroacia, me të cilën kemi bashkerenduar të gjitha etapat e hyrjes së përbashkët në NATO, aderon në BE më 1 korrik 2013.

“Evropa” perceptohet si një premtim propagandistik demagogësh me kostum e kravatë në Shqipëri. Gabim fatal i “elitës” sonë politike është bindja e pabazuar se proceset integruese evropiane do ta përfshijnë për inerci Tiranën. Në këtë eventualitet utopik ne do të ishim protagonisti “free rider” i zgjerimit të BE-së, një vend unikisht fatlum që përfiton përfshirjen në projektin integrues duke përmbushur vetëm pjesërisht kriteret pranuese. Natyrisht që nuk mund të ndodhë kështu sepse të 12 vendet që kanë hyrë në BE prej 2004-s janë pranuar vetëm pasi kishin ndërtuar një “BE në miniature” brenda tyre, duke zbatuar kriteret e aderimit e ambientuar shoqërinë për këtë hap. Këto shtete kanë ndryshuar radikalisht strukturat e tyre drejt demokracisë liberale duke sistemizuar bashkëpunimin politik e reformuar institucionet e periudhës komuniste, krahas reformash ekonomike thelbësore. Rumania e Bullgaria, dy përfitueset ballkanike të zgjerimit, janë qortuar ashpër e penalizuar financiarisht prej Brukselit për mosarritjet e tyre në luftën ndaj korrupsionit.

Kriza e brendshme ekonomike që po përjeton BE nuk pengon zgjerimet. Hyrja e afërt e Kroacisë tregon se angazhimi real në modernizimin e shtetit paguan në politikat integruese edhe në këtë periudhë pak të begatë financiare. Në korrik 2009 ish-ministri italian Fratini uronte që kandidatura shqiptare të mos humbiste në sirtarët burokratike të Brukselit. Por Brukseli vuan nje “eurolodhje” prej Shqipërisë. I yni nuk është një vend i modernizuar, problemet politike të ndarjes e kompetencave të pushteteve janë në krye të raporteve ndërkombëtare dhe lufta ndaj korrupsionit, rikthyer në vëmendje prej “çështjes Meta” e raportit të fundit fshikullues të Transparency Internationa (TIA), është larg kanalizimit në binarët e duhur. Ekonomikisht jemi, si përherë, ndër më të varfërit e Evropës. Me vështiresi mund të kthehemi në një vend të zhvilluar brenda 2017-s sepse keqpërdorojmë kapitalin tonë njerëzor. Mosmarrja e statusit të vendit kandidat është dështimi për sot i gjithë “sistemit Shqipëri”, ngritur mbi baza klienteliste që favorizojnë pak vetë duke lënë mes problemeve gjithë të tjerët.

Shqipëria mund të hyjë në BE vetëm nëse riformaton krejt sistemin e saj. Pengesat për t’u tejkaluar janë dypalëshe: institucionale e sociale. Prej përdorimit demagogjik që u bëhet temat evropian duhen transferuar e trajtuar në kuadrin teknik. Shoqëria duhet të shtyjë klasën politike të kuptojë se reformat që kërkon BE-ja janë një nevojë për kodifikimin me efikas të bashkëjetesës sonë sociale e do të na shërbenin të gjithëve edhe në rast se projekti integrues ngec.

Përmirësimet legjislative janë të nevojshme në çdo sektor për të luftuar informalitetin. Shteti duhet të angazhohet në luftën me papunësinë duke promovuar kurse formuese e punë publike, të cilat infrastrukturalisht janë të nevojshme.

Në burokraci e administratën publike duhen luftuar nivelet afrikane të korrupsionit dhe duhen pushuar humbjet e vendit të punës politikisht të motivuara në çdo rrokadë zgjedhore, praktikë me pasoja të dëmshme sociale qe degradon statusin e nëpunësit civil në një kartë militanteske të përdorshme arbitrarisht prej partive.

Kemi një nevojë të dëshpëruar të thithim “trurin” tonë. Hasin vështirësi në tregun e punës si studentët ashtu edhe pak punëtorët që rikthehen në atdhe nga jashtë shtetit. Për këtë arsye një pjesë e konsiderueshme e “trurit”, e forcës punëtore mbetet jashtë e plot persona të kualifikuar duan ta lënë Shqipërinë. Ekzekutivi krenohet me liberalizimin e vizave por duhet të angazhohet në marrëveshje dypalëshe me partnerët e zonës Shengen për të mbështetur lëvizjen e forcës sonë intelektuale e punëtore në Evropë, duke investuar më pas për rikthimin e saj. Një shpenzim i tillë kapitali do të sillte rikualifikim pozitiv të “trurit” shqiptar në periudhën afatmesme.

Pa përqafuar kriteret e BE-së Shqipëria rrezikon të rrëshqasë në një anarki më të thellë institucionale e vlerash. Në këtë prizëm përshtatës ndaj Evropës duhet të angazhohet për të kontribuar vetë shoqëria civile shqiptare, zëri i dobët i së cilës mbytet prej mbiprotagonizmit qesharak të politikanëve sterilë. Është shoqëria civile ajo që prodhon klasën drejtuese të vendit. Ajo duhet të imponohet (metaforikisht “me grushta”) brenda partive ose duhet të krijojë forma dinamike jopartiake organizimi që të kthehen në bashkëbiseduese të institucioneve. Intelektualët e sho­qërisë civile e varfërojnë kolektivitetin duke iu larguar gjësë publike. Grupet kompetente sociale duhet t’i bejnë politikanët të studiojnë më thellë për të çuar drejt zgjidhjes dosjet me problemet e prapambetjes së vendit të tyre, të të cilit ata përfaqësojnë vullnetin ekzekutiv e legjislativ.

Prej 22 vjetësh shqiptarët ndjekin me një sy të interesuar rrugën e trenit evropian. Duhet te nisim te vrapojme mbi nje te­rren social efiçient per ta kapur e hipur në të, pa lejuar te na zhduket në horizont siç ndodhi gjithë shekullin e shkuar. Gjithçka varet vetëm prej nesh e jo prej Brukselit, i cili vetëm sa tregon shtegun e duhur.

 

Neritan Ceka, ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë në Itali

L’ambasciatore Mario Bova: L’Albania è anche il mio paese