Falë interesimit të shoqatës Scanderbeg të Parmës, nga sot valëvitet në Ponte delle Nazioni edhe flamuri shqiptar
‘Ponte delle Nazioni’, Ura e kombeve, ka një histori në vetvete. Jo vetëm për flamujtë e shteteve të ndryshme që janë të rreshtuar, por edhe për faktin që është një urë e rindërtuar rishtas nga punëtorët e ndërmarrjeve të ndërtimit në Parma, shumica e të cilëve është më origjinë shqiptare.
Të vinte natyrshëm deri më sot, sa herë që do ta pershkoje atë ure me makinë apo në këmbë, te pyesje veten pse të mos ishte aty edhe flamurishqiptar. Ç’kanë të ndryshëm nga flamuri ynë këta të tjerët? Një qytetari vendas të Parmës, një pyetje e tillë as do t’i shkonte nëpër mend, dhe po t’ia bëje do të mendonte thjesht që çdo popull ka për zemër flamurin e tij e kaq.
Flamuri është komb, krenari, origjinë, shtet… Ne që jetojmë përtej kufijve e kemi edhe simbol ekzistence. Në çdo qytet të Italisë ka një ballkon që e valëvit atë. Selitë e ambasadave, konsullatat, apo edhe në shtepitë në raste të ndryshme feste apo kujtese.
Shoqata Scanderbeg e Parmës me përkushtimin e veçantë që tregon ndaj simboleve shqiptare dhe për përhapjen e njohjen e kulturës, traditave e ka vërejtur gjithnjë mungesën e flamurit kuqezi dhe ka kontaktuar bashkinë për t’i kërkuar në emër të të gjithë shqiptarëve vënien e tij krah të tjerëve.
Dëshira e tyre sot u bë realitet. U desh vetëm dashuri të qëndisej, t’i dhurohej kryetarit të Bashkisë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, dhe të ngrihej në këtë urë të bukur nga e cila flamuri kuqezi shikon qytetin tonë të mrekullueshëm, me bukuritë e lumit e të gjelbërimit, të artit e të historisë.
Ishte shumë emocionuese për ne shqiptarët Parma magjike me diell në orën 10.00: një flamur kuqezi po valëvitet në Ponte delle Nazioni. Sot ka një tjetër shije se edhe qielli pas shumë ditësh dëbore, shi dhe re, e pastroi fytyrën e tij për ta mirëpritur. Kush do të kalojë nëpër urë, sot e tutje, duke parë flamurin shqiptar mund të sjellë në mend edhe punën e duarve të arta të ndërtuesve shqiptarë Një falenderim nga gjithë shqiptarët i shkon Bashkisë së qytetit!
Anila Kadija