in

Shërbim publik

Emisioni “Shërbim publik” i së enjtes me të ftuar Berlusconin u quajt si spektakli i vitit. Sprovë televizive, gazetareske dhe politike. Sigurisht, edhe një sprovë demokracie, pavarësisht arsyeve që e çuan Berlusconin të pranojë ballafaqimin në terrenin më të pamundur. Mbi të gjitha, ishte, pa diskutim, një shërbim publik. A do të ketë fuqi gazetaria shqiptare dhe politika t’i dhurojnë shqiptarëve një sprovë të tillë në fushatën elektorale që pritet të nisë?
Nga Eni VASILI

Programi i së enjtes i orës 21:00 në televizionin italian “La 7”, “Shërbim publik”, drejtuar nga Michele Santoro, një kolos i televizionit italian, shënoi 33,58% të shikueshmërisë, gati 9 milionë teleshikues. Një përqindje që krahasohet vetëm me festivalin e San Remos, një show tradicional i këngës që i përket identitetit të kombit dhe që ndiqet me fanatizëm nga familjet italiane. Sigurisht që një shikueshmëri e tillë, për një televizion të vogël si La7, as që ishte imagjinuar.

Çfarë kishte ndodhur? Silvio Berlusconi ishte i ftuari mbrëmjes. Për këdo që ndjek sadopak zhvillimet politike italiane, që Berlusconi të jetë i ftuar në TV, nuk përbën lajm. Aq më shumë kur dihet se prej disa javësh, kavalieri, i rikthyer në skenën politike atëherë kur askush nuk e priste, ka ndërmarrë një fushatë intensive elektorale televizive. Dështimet politike që çuan në dorëheqjen e qeverisë së tij, skandalet seksuale dhe proceset gjyqësore, e detyruan atë për disa kohë të qëndronte larg vëmendjes së opinionit publik. Të gjitha sondazhet e tregonin atë të mundur dhe në minimumin e preferencës së votuesve. Forca e tij politike arriti minimumin e pikëve të sondazhistëve, deri në 13%.

Që nga deklarata e tij për t’u rikthyer në politikë si protagonist dhe jo si babai themelues i “Forza Italia”, një lloj presidenti nderi, ashtu siç të gjithë analistët kishin parashikuar, kavalieri e filloi fushatën duke përdorur mjetin të cilin njeh më mirë: televizionin. Si një vend ende televiziv ku 60% e popullatës informohet ende nëpërmjet televizionit dhe ku rrjetet sociale janë ende në fazën e përhapjes, pronari i Mediaset-it ishte i vetëdijshëm për fuqinë që do t’i jepte arma, e cila e ka avantazhuar gjithmonë.

U ‘vetintervistua’ në të gjitha emisionet e televizioneve të tij. Që nga redaksitë e lajmeve të të gjitha rrjeteve Mediaset, te programet e mbrëmjes, tek ato të dëfrimit të së dielës, kudo ku ishte e mundur një hapësirë, ai e uzurpoi, madje edhe aty ku nuk ishte e mundur në programin e pasdites së Canale 5, që ka një prerje temash të lehta dhe të kronikës.

Pasi mbaroi me mediat e veta, negociatat me RAI-n e dërguan në disa prej programeve të rrjeteve publike. Nga studioja e Bruno Vespës mes batutave që jo rrallëherë i dhanë emisionit tone kabareje, si një show man par excellence, Berlusconi deklaroi se kërkonte dëshpërimisht primetime-in se 2 milionë teleshikuesit e beniamit të tij nuk i mjaftonin.

Kur konsumoi edhe çdo hapësirë në RAI, iu drejtua një televizioni me famë antiberluskoniane: La 7. Të mbledhur në atë rrjet janë disa prej figurave më të rëndësishme të televizionit italian, të njohur si mbështetës të së majtës apo edhe thjesht si antiberluskonianë, si Gad Lerner, Erico Mentana, Lili Gruber etj. Shumë prej tyre iu afruan këtij televizioni, të persekutuar apo të përjashtuar nga rrjetet kryesore në kohën kur Berlusconi ishte Kryeministër dhe komandonte jo vetëm Mediaset- in, por edhe RAI-n.

Në krye të listës, sigurisht, Michele Santoro. Një nga kundërshtarët më të thekur të ishkryeministrit që në dekadën e fundit drejtoi Italinë për tetë vite. Të dy e kanë përndjekur njëri-tjetrin me denoncime e procese gjyqësore. Santoro ka denoncuar aferat korruptive të Berluskonit dhe kastës së tij në emisionet e veta, dhe ish-kryeministri i është përgjigjur jo vetëm me hapjen e disa proceseve gjyqësore për shpifje, por ka përdorur influencën e tij politike për të mbyllur programet e tij. “Berlusconi po shkon në strofkën e ujkut”, “Është një vetëvrasje politike”, “Santoro do ta shkatërrojë”. Këto ishin pak a shumë komentet që paraprinë pjesëmarrjen e liderit të qendrës së djathtë në emisionin e Santoros. “Sido që të shkojë, – deklaroi Berlusconi para se të hynte në studio, – për mua ka rëndësi që jam në prime time”.

Për tri orë e 20 minuta nga studiot e Cinecittà në Romë, në një skenografi që të thërret në mendje teatrin e antikitetit, mes së kuqes dhe dritëhijeve, dueli i dy “armiqve” mbajti pezull vëmendjen e miliona teleshikuesve. Miliona komente në Facebook, miliona të tjera në Twitter.

Një ditë më pas opinionet janë të shumta e nga më të ndryshmet për atë që ndodhi e për atë që nuk ndodhi në atë emision. Ka nga ata që deklarojnë fitimtar Berlusconin, i cili ruajti qetësinë deri në fund dhe nuk u ngrit të ikte i nervozuar, siç kish tentuar të bënte në një program të mëparshëm. Një italian në pesë besonte se një nga të dy do ta linte studion para përfundimit të emisionit. Kjo nuk ndodhi sepse si mjeshtra të spektaklit të dy e dinin që mund veç të humbnin nga largimi nga skena. Qëndruan aty duke ngritur tonet, duke fyer jo rrallëherë njëri-tjetrin, duke u sulmuar e mbrojtur, duke përdorur çdo taktikë komunikative. Berlusconi iu përgjigj provokimeve sipas skenarit të tij të vjetër, “kush nuk është me mua, është kundër meje”. Santoro e sulmoi duke respektuar paktet, por për disa pa e vënë në vështirësi aq shumë sa pritej, ndoshta sepse pritmëritë ishin shumë të larta. Ndonjëherë të krijohej ideja se ishte një show me dy drejtues, dy mjeshtra të televizionit, dhe jo një debat bazuar mbi disa vlera të caktuara. Por, herë të tjera përballja ishte tensionuese, aq sa duhet për të përligjur një betejë.

Emisioni i së enjtes u quajt si spektakli i vitit. Sprovë televizive, gazetareske dhe politike. Sigurisht, edhe një sprovë demokracie, pavarësisht arsyeve që e çuan Berlusconin të pranojë ballafaqimin në terrenin më të pamundur. Mbi të gjitha, ishte, pa diskutim, një shërbim publik.

A do të ketë fuqi gazetaria shqiptare dhe politika t’i dhurojnë shqiptarëve një sprovë të tillë në fushatën elektorale që pritet të nisë?

Gazeta Panorama

Lecce. Sekuestrohen në bregdet rreth katër kuintalë marijuhanë

Giornata del migrante: “Oggi gli albanesi rappresentano una risorsa”