Nga testimi i njohurive të gjuhës shqipe do të përjashtohen nxënësit që zotërojnë një dëftesë të shkollës 8 apo 9-vjeçare të lëshuar në Shqipëri
Tiranë, 23 janar 2013 – Sot, në një kohë kur kthimi i emigrantëve në atdhe është rritur dhe numri i nxënësve të ardhur nga jashtë dhe të regjistruar në një prej shkollave 9-vjeçare apo të mesme në vend arrin në mbi 2.700 persona, ministria e Arsimit e Shqipërisë ka hartuar një plan veprimi për t’u ardhur në ndihmë, veçanërisht në gjuhën shqipe.
Është vendosur që për t’u regjistruar në shkollat e mesme shqiptare, fëmijët e emigrantëve duhet të testohen në lëndën e gjuhës shqipe. Në rregulloren e hartuar posaçërisht për këtë kategori personash, përjashtohen nga provimi i gjuhës shqipe nxënësit, të cilët zotërojnë një dëftesë lirimi (ajo e përfundimit të shkollës 8 apo 9-vjeçare) të lëshuar nga shkollat shqiptare. E kundërta do të ndodhë, me ata të cilët e kanë lënë përgjysmë këtë nivel shkollor: ata janë të detyruar kalojnë një test në njohuritë e gjuhës shqipe, lënda ku pjesa më e madhe kanë mangësi të konsiderueshme, çka i penalizon ata të kalojnë nga njëri vit në tjetrin.
Bazuar në planin e veprimit, sipas sqarimit që drejtori i Arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit, Ndriçim Mehmeti, jep për të përditshmen Shqip, MASH do të ofrojë ndihmë për mësimin e gjuhës shqip, për ata të cilët kanë vështirësi me 2 orë në javë, në 2 ditë të ndryshme, si edhe programe të posaçme nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Por, nuk do të mjaftojnë vetëm këto pika për t’ua lehtësuar fëmijëve të kthyer nga shkollat e huaja, mësimin e gjuhës shqipe. Do të hapen gjithashtu shkolla verore për mësimin e gjuhës shqipe, pa përjashtuar edhe mësimin e lëndëve të tjera, që do të jenë suplementare.
“Do të ofrohet shërbim psikologjik për kapërcimin e vështirësive në marrëdhëniet me komunitetin dhe stafin mësimor. – ka theksuar mes të tjerash për Shqip Mehmeti – Do të zhvillohet seminari i përvitshëm me mësuesit që japin mësimin e gjuhës, kulturës shqiptare në diasporë, do të miratohet abetarja mbarëkombëtare dhe i planit mësimor për mësimin e fëmijëve në diasporë. Ndërkohë, nuk do të mungojë edhe botimi i librave në zbatim të këtij plani, ku përfshihet edhe shpërndarja e tyre, në përputhje me kërkesat”.
Lexo edhe: Gjuha shqipe dhe vlera e saj në edukimin e fëmijëve të emigrantëve