Nga Fatos LUBONJA
Para disa ditësh u bëra, dashur pa dashur, protagonist i një ngjarjeje dy herë dëshpëruese. Dëshpërimi i parë ishte gjetja e Spaçit, të shpallur në vend muze, pre e gjuetarëve të skrapit. Dëshpërimi i dytë ishte mënyra se si u paraqit dhe si nuk u paraqit kjo ngjarje në gazetat tona, që më prishi shijen e asaj që do të doja të thosha me gjithë zemër: falënderoj shoqërinë civile që reagoi.
E vërteta është se, duke parë një lajm që qarkulloi edhe nëpër e-mail-e mbi arrestimin në Spaç të grabitësve, i shkrova listës së Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë se policinë e kisha sjellë unë atje të premten paradite (nëpërmjet disa telefonatave që bëra, ndër të tjera, në Institutin e Kujtesës) ngase qëllova në vend dhe i gjeta shkatërruesit duke punuar. I dërgova Forumit edhe dy foto: njëra që tregonte se si një ballkon i tërë i katit të parë të njërës nga ndërtesat ishte shkatërruar dhe pastaj qenë “sharruar” hekurat e tij për skrap, duke i lënë dyert e katit pa mundësi hyrjeje, dhe tjetra që tregonte tufa shufrash të nxjerra nga shtyllat e betonit që ata thërrmonin. Pra, atje punonte një brigadë njerëzish, të cilët ku gjenin gjë prej betoni, e dërrmonin me varé për t’i nxjerrë hekurin për skrap. Në e-mail shkruaja edhe se ironia ishte se njeriu që merrej me këtë biznes ishte njëfarë Nikoll Prendi, që nuk qe tjetër, por i vëllai i Ndrea Prendit, që një ditë më parë ishte shpallur i pafajshëm, i akuzuar për vrasje gjatë protestave të 21 janarit.
Në listën e Forumit ka edhe shumë gazetarë, një pjesë e të cilëve më kërkuan t’i referoheshin lajmit mbi Spaçin, madje Shqiptarja.com më kërkoi edhe një intervistë. Pranova. Por nuk mund të mos pësoja zhgënjim kur pashë se në gazetat pranë opozitës, i gjithë theksi i lajmit u vu te vëllai i Prendit si shkatërrues i Spaçit, – disa gazeta madje e shoqëruan lajmin me foton e Ndrea Prendit – kurse tek ato pranë maxhorancës nuk u pasqyruan fare. M’u duk gati-gati se sikur të mos kishte qenë vëllai i Prendit të Gardës atje, kjo ngjarje nuk do të bënte skandal. Pra, lajmi u instrumentalizua dhe polarizua sikur të bëhej fjalë për skandalin e 21 janarit, dhe jo për atë të Spaçit.
Lidhur me këtë vëllazëri, i pyetur nga gazetarja se si do ta komentoja, përgjigjja ime ishte dhe mbetet se: “… Nuk dua të bëj akuza familjare, sepse jam kundër identifikimit të individëve me familjarët e tyre, kushdo qofshin ata. Por as mund të mohoj faktin se në Shqipërinë tonë, për fat të keq, përkatësia familjare funksionon si privilegj e mundësi mbrojtjeje apo e kundërta: si mundësi goditjeje e persekutimi. Në rastin në fjalë kam të drejtë të dyshoj se personi në fjalë e ka ndier veten të mbrojtur për të bërë çfarë po bënte, duke u nisur nga pozita e vëllait të tij – madje edhe ditët kur vëllai ka qenë në momentet më të vështira”.
Megjithatë, nga e gjithë intervista, ishte evidente se akuza ime për shkatërrimin e Spaçit nuk mund të binte mbi Nikoll Prendin dhe as mbi Ndrea Prendin, sepse do të isha idiot po të mendoja kështu. I pyetur për fajin, kam thënë shprehimisht se ky bie “mbi elitën politike dhe kulturore që ka drejtuar këtë vend gjatë këtyre njëzet vjetëve…, e cila është dominuar nga njerëz që në jetën e tyre gjatë diktaturës nuk kanë qenë në anën e të persekutuarve…”, si dhe “… mbi gjendjen e mjerueshme materiale dhe shpirtërore që e ka katandisur vendin kjo elitë – duke menduar vetëm për pasurimin e vetvetes – çka bën që gjynahqarë e mjeranë, të cilët ndoshta nuk ia dinë as kuptimin fjalës ‘kujtesë’, të shkojnë të kërkojnë të nxjerrin bukën e gojës edhe në atë vend dhimbjeje e vuajtjeje që e bën të shenjtë, – deri duke rrezikuar jetën e tyre”.
Duke e ditur se lajmi mund të instrumentalizohej, pikërisht në këtë aspekt, në fakt, i kërkova gazetares së Shqiptarja.com të binte dakord me mua për titullin që do t’i vinte gazeta intervistës sime. Por, megjithëse ramë dakord për titullin, pashë se titulli i faqes së parë, krahas fotove të shkatërrimit dhe një fotoje të Berishës, ishte tjetër gjë: “Lubonja: Spaçin e shkatërroi vëllai i Ndrea Prendit”. Të gjitha gazetat kishin klonuar pak a shumë këtë titull – dhe jo rastësisht të gjitha ishin gazeta të lidhura me opozitën – nga ana tjetër, asnjë gazetë afër maxhorancës as e kishte dhënë lajmi dhe as komentuar.
Përtej fyerjes personale që ndien kur e sheh veten të përdorur apo se ti mund të bësh lajm jo për atë që thua, por për atë se sa i duhesh një interesi të caktuar, them se te kjo mënyrë paraqitjeje e lajmit ka disa probleme serioze të gazetarisë sonë.
E para, i trajtuar kështu, lajmi ushqen kulturën tonë primitive, klanore, të identifikimit ende të njerëzve me familjen apo familjarët e tyre. Në një shtet të së drejtës si ai që duam të ndërtojmë, askush nuk është fajtor për atë që bën baba, biri, vëllai, motra apo familjari i tij. Vetëm te ne vihen tituj me “i vëllai i…”, “ i biri i…”. Këtë kulturë e ka pasur Enver Hoxha dhe regjimi i tij feudo-komunist, këtë kulturë e rrezatojnë rëndom në gjuhën e tyre Sali Berisha e Jozefina Topalli, por nuk falet që breza të rinjsh, që pretendojnë të rilindin Shqipërinë, të përçojnë të njëjtën kulturë.
Së dyti, ky instrumentalizim i lajmit nga gazetarët që e përdorin rëndom për t’i shërbyer një llogoreje, duke zgjedhur disa lajme e lënë në heshtje disa të tjerë apo duke e kapur lajmin për bishti dhe jo për koke, e delegjitimon gazetarinë dhe misionin e saj, duke e kthyer nga shërbyese të së vërtetës në shërbyese të shëmtuar të interesave të një pale. Nuk mund të mos të të lindë pyetja: “A u intereson vërtet Spaçi dhe gjendja e tij këtyre gazetarëve, apo u intereson më shumë ndonjë telefonatë përgëzimi nga politikanë të opozitës për përdorimin e Spaçit si mjet elektoral apo një përgëzim, nga krahu tjetër, për heshtjen?”.
Së treti, unë mendoj se pikërisht instrumentalizimi politik i çështjeve të tilla si kjo e shkatërrimit të Spaçit, e dëmton në vend se ta ndihmojë një çështje të tillë, siç është ruajtja e kujtesës. E kam fjalën se, duke e trajtuar edhe shkatërrimin e Spaçit si luftë mes palësh, njerëzit, më shumë se sa të sensibilizohen për humbjen, u spostohet vëmendja te lufta politike e ditës, kurse çështja në fjalë sikur asgjësohet. Nuk mund të mos mendosh se nesër, kur të ketë mbaruar ky interes, në Spaç do të vazhdojë e njëjta katrahurë. Ashtu sikurse edhe me shumë gjëra të tjera që janë interesi ynë i përbashkët.
Gazeta Panorama