in

Prokuroria apelon çështjen e 21 janarit

Prokuroria apelon vendimin e Gjykatës së Tiranës mbi pafajësinë e dy drejtuesve të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve më 21 janar 2011. Sipas prokurorisë, gjykata ka vepruar “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor”, madje një ekspert të cilit i referohet trupi gjykues ka manipuluar provat

Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar të premten, më 15 shkurt, apelimin për vendimin e Gjykatës së Tiranës të 7 shkurtit lidhur me shpalljen të pafajshëm të drejtuesve të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve gjatë protestës së dhunshme të opozitës më 21 janar të 2011. Lajmin e publikon Zëri i Amerikës, referuar burimeve brenda prokurorisë.

Sipas gjykatës, e cila pranonte se të paktën dy nga manifestuesit ishin qëlluar nga armët e përdorura nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe drejtuesi i njësisë speciale Agim Llupo, prokuroria nuk kishte paraqitur provat që të vërtetonin se ata kishin qëlluar me dashje. Por prokuroria vlerëson se, Gjykata ka vepruar “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor”, duke u mbështetur në fakte e prova të paqena dhe se “vendimi për pafajësinë e dy drejtuesve të Gardës është marrë në tejkalim të kompetencave që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre”. Prokuroria i qëndron akuzës së ngritur që në fillim, duke kërkuar edhe në apel të njëjtën masë dënimi.

tekstin e Apelimit, të siguruar nga Zëri i Amerikës, Prokuroria analizon arsyetimin juridik që Gjykata ka dhënë për vendimin e marrë.

Thelbi i vendimit për shpalljen e pafajësisë, kishte të bënte me faktin se sipas Gjykatës nuk kishte prova që të vërtetonin se vrasjet ishin bërë me dashje, ndonëse pranohej se të paktën dy nga manifestuesit e vrarë, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi, ishin qëlluar me armët e Prendit dhe Llupos. Prokuroria vlerëson se “i pandehuri Ndrea Prendi, i vetëdijshëm për karakterin e veprimeve të tij dhe rrezikshmërinë shoqërore të këtyre veprimeve, ka parashikuar jo vetëm mundësinë dhe domosdoshmërinë e ardhjes së pasojave, por ai me vullnet i ka orientuar këto veprime drejt ardhjes së tyre”. Të njëjtin arsyetim, me referenca juridiko penale, Prokuroria ka bërë edhe për Agim Llupon.

Akuza është ndalur në mënyrë të hollësishme në dy vrasjet për të cilat akuzohet oficeri Llupo. Gjykata u shpreh se nuk kishte asnjë prove shkencore që të vërtetonte se nga cila armë është vrarë Hekuran Deda dhe se sipas saj akuza është ngritur vetëm mbi bazat e deklaratave të disa dëshmitarëve. Por sipas prokurorisë, FBI amerikane ka mundur që përmes pamjeve filmike të tregojë “mënyrën se si ai ka qëlluar me armën e zjarrit, drejtimet ku ai ka qëlluar, e kohëzgjatjen e veprimeve të tij”.

Veçanërisht, Prokuroria akuzon ekspertin Ndoc Çardaku, të cilit i është referuar Gjykata për ekspertizën teknike se ka manipuluar me provat materiale. Sipas saj “eksperti Ndoc Çardaku është filmuar, dhe video është paraqitur në gjykatë, ndërsa shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishën e të ndjerit dhe e ngjesh aty dhe më vonë, kërkon një vegël për ta hequr atë e për ta administruar si prove”. Dhe në fakt, gjykata pretendoi se plumbi që vrau Ziver Veizin ishte i dëmtuar në majë dhe se ishin gjetur ashkla pishe të cilat dëshmonin sipas saj për një rikoshetë nga një trung apo degë peme.

Gjykata nga ana e saj gjithashtu është shprehur në vendimin e saj se Prokuroria “nuk ka zhvilluar hetime në drejtim të intensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve”. Në tekstin e Apelimit Prokuroria saktëson se ndërsa hetimi ka provuar në mënyrë të plotë dhunën e protestuesve dhe mjetet e përdorura ndaj efektivave të gardës, viktimat “kanë qenë të paarmatosur, nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj efektivave policore jashtë rrethimit të objektit, apo efektivave të Gardës së Republikës brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë”. Prokuroria nënvizon se “asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, asnjë nga këta persona të vrarë e të plagosur, nuk ka tentuar në asnjë moment, për t’u futur brenda perimetrit rrethues të ndërtesës së Kryeministrisë”.

Së fundi, në dokumentin e Apelimit Prokuroria vlerëson gjithashtu se “Gjykata në kundërshtim të plotë me Kodin e Procedurës Penale, me një vendim të gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë”, nuk ka bërë rikualifikim të veprës penale. Po ashtu prokuroria konsideron si “një shkelje të rëndë” zbatimin për analogji që Gjykata ka bërë me një vendim të Gjykatës të të Drejtave të njeriut lidhur me vrasjen e një të riu italian në 2001 gjatë protestave në Gjenova gjatë samitit të G8. Akuza saktëson se ky rast nuk ka asnjë lidhje me atë ndaj dy oficerëve të Gardës.

Shkatërrimi i Spaçit dhe politikat e palëve

SEL: “Stop a Bossi-Fini, clandestinità e Cie. Italiano chi nasce qui”