Lëvizja e Beppe Grillos nuk ka shpjeguar kurrë qëndrimin e saj ndaj emigracionit, duke filluar nga reforma e shtetësisë. Linja që do të ndjekin do të jetë një e vetme apo çdo ‘grillino’ do të kenë të vetën? Tani që qendrat e votimit janë mbyllur, votat janë numëruar, ka ardhur koha të flitet hapur
Romë, 26 shkurt 2013 – Fitorja e bujshme e Beppe Grillos dhe e Lëvizjes 5 Yjet (Movimento 5 Stelle, M5S) fsheh një mister, veçanërisht për pesë milionë emigrantë e bij emigrantësh që jetojnë në Itali, sepse programi i partisë së udhëhequr nga komiku nuk thotë as edhe një fjalë për ta.
Në këto orë eksponentët e M5S nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin që fitorja e tyre nuk do të sjellë mosqeverisjen e vendit, se do të votojnë pa paragjykime të gjitha masat që do të konsiderojnë të drejta. Por nëse është e qartë se do të mbështesin propozime si shkurtimi i costove të politikës, apo një reformë zgjedhore që do të risjellë preferencat, për të kuptuar çfarë do të bëjnë në frontin e emigracionit do të nevojitej sfera e kristalltë.
Partia e Grillos, mbi temat që kanë të bëjnë me të huajt në Itali, vazhdon të mbetet i paqartë. E natyrisht jo vetëm për shkak të mëkatit origjinal të ‘Jo Programit’ të tij që ndalon regjistrimin në parti të atyre që nuk janë italianë.
Le të marrim reformën e ligjit të shtetësisë për brezat e dytë. Beppe Grillo i ka rënë shkurt duke e quajtur një propozim “pa kuptim”, armën e zakonshme të “shkatërrimit në masë”, të përdorur nga politika e vjetër, “nga njëra anë shpirtbutët e të majtës që pa u menduar dy herë ua lënë në derë italianëve barrën e dalldisjes së tyre. Nga ana tjetër, legistët dhe lëvizjet ksenofobe që rrisin popullaritetin e tyre me frikën e ‘liberalizimit’ të lindjeve” shkruante Grillo në blogun e tij.
Por po të shihet si e trajtuan këtë temë të zgjedhurit në radhët e M5S në administratat locale, muzika ndryshon. Vërehet, në fakt, që edhe falë votës së tyre, komuna si Torino e Bologna u kanë dhënë bijve të emigrantëve qytetari nderi. Një gjest simbolik, por padyshim jo ‘pa kuptim’, një sinjal nga administratat locale për Parlamentin, që ky të aprovojë një reform të mirëfilltë të shtetësisë.
Çfarë do të bëjë M5S nëse në këtë legjislaturë të re (e ndoshta të shkurtër) qendra e majtë do të propozojë një reform sipas të cilës kush lind apo rritet në Itali është italian? Do ta votojë? Nuk do ta votojë? Do të thotë që është dakord, por që nuk është prioritet, e do ta fundosë? Dhe flasim për një propozim që nuk është pa mbështetje popullore, pasi edhe sondazhet thonë se mbi këtë pikë janë dakord edhe mazhoranca e italianëve.
Sa do të ndërlikohen gjërat kur do të nevojitet të merren vendime mbi çështje më delicate, si reforma e hyrjeve në Itali, mbajtja në qendrat e mikpritjes, vepra penale e klandestinitetit?
Edhe po të lëmë mënjanë batutat famëkeqe të Grillos (nga ato kundër qarkullimit të lirë të rumunëve deri te këshillat si të rrihen emigrantët kur “të çajnë kokën” dhënë karabinierëve gjatë një spektakli të vjetër), çfarë duhet mbajtur parasysh për të kuptuar si do të sillen grillinët në Parlament? Në programin e tyre nuk e thonë, edhe në forumet ku ballafaqohen përditë gjen qëndrime nga më të ndryshmet, nga’zemërbutët’, për të perifrazuar liderin e tyre, deri të ‘ksenofobët’.
Në ç’drejtim do të shkohet? A do të ketë një linjë që të vihet në qendër të një tryeze ballafaqimi me forcat e tjera politike? Apo secili do të votojë sipas ndërgjegjes së vet, e atëherë do të nevojitet të zbuohet, hap pas hapi, cilat dhe sa ndërgjegje të ndryshme do të dalin në parlament nga M5S?
Në fushatën elektorale mund edhe të mos thuhet asnjë fjalë mbi emigracionin. Është një zgjedhje, që siç duket jep rezultate, nëse dëshirohet të merren vota në mënyrë transversal. Por tani zgjedhjet kanë mbaruar dhe votat flasin qartë. Duhet ta bëjë edhe Lëvizja Pesë Yjet. Pesë milionë persona presin me frymën pezull.
Elvio Pasca