Në dy dekada karrierë politike, në shkallët më të larta të shtetit, Berisha ka qenë modeli bazë i një krahu të tërë politik, që e identifikonte veten me çdo gjë që shkonte kundër sistemit të përmbysur komunist. Në fakt kjo qe një pikë nisjeje, pasi me kalimin e kohës, kësaj pikete ideologjike iu shtua një format politik që u kthye ngadalë në një bumerang, në drejtim të kopjimit të praktikave dhe sjelljes autoritariste të regjimit të vjetër
Nga Skënder MINXHOZI
Skena është banale. Kuptohet, për një demokraci normale si Italia. Gjithçka zhvillohet në hyrjen e godinës ku ndodhen zyrat e gazetës së madhe italiane “Corriere della Sera” në Romë. Pierluigi Bersani, lideri i së majtës italiane, sapo ka dhënë një intervistë për seksionin video të gazetës në fjalë. Teksa i drejtohet makinës së tij, në parkingun jashtë ndërtesës, një bashkëpunëtor i Berlusconit i afrohet dhe i thotë se “Kavaliere” është brenda dhe dëshiron të shtrëngojë duart me të. Bersani del nga makina menjëherë, hyn sërish në hollin e ndërtesës dhe i drejtohet ambienteve ku kundërshtari i tij kryesor po pret që të intervistohet gjithashtu nga të njëjtët gazetarë.
Kjo video, ku dy burrat shtrëngojnë ngrohtësisht duart, madje edhe duke i uruar njëri-tjetrit “suksese”, bëri xhiron e internetit në pak orë. Mund të gjendet fare lehtë e të shihet se si gjithçka ka qenë krejt spontane, e shtensionuar dhe e natyrshme, megjithëse ndodhemi në kulmin e fushatës elektorale në vendin fqinj.
Ai shtrëngim duarsh mes Bersanit dhe Berlusconit nuk prodhoi asnjë habi kolektive në ambientin italian. As gazeta në të cilën u konsumua ky gjest normal kalorsiak, nuk u mor gjatë me të. Përtej klimës së ndezur të zgjedhjeve, në Itali gjeste si ky kanë qenë dhe janë normale. Dhe kur thuhet klimë e ndezur, duhet kuptuar se fushata zgjedhore në vendin fqinj nuk i afrohet kurrkund tensionit të vazhdueshëm që prodhon politika shqiptare, edhe në ditën më normale të saj. Problemi i komunikimit mes palëve ka qenë një ndër faktorët e mëdhenj gërryes në jetën tonë politike në dy dekadat e fundit. E nisur në fillimin e viteve ’90 si një përplasje mes dy sistemesh, loja politike vijoi artificialisht si e tillë, edhe kur komunizmi nuk ekzistonte më dhe kur pluralizmi kishte hyrë në fazën e tij normale. Berisha dhe Nano instaluan mes tyre “kodin” absurd të burgut. I pari futi në qeli të dytin e kjo qe goditja e parë e rëndë për normalitetin dhe bashkëpunimin politik dhe për vitet që pasuan. E pamësuar me lojën demokratike, skena jonë politike u formësua me kalimin e kohës, si një ambient i vrazhdë kacafytjesh, bërrylash, insinuatash e kurthesh nga më bizantinet. Kodet etike ranë të parat, jeta personale u bë shënjestër përbaltjesh, dialogu politik dhe vullneti për të arritur kompromiset u venit skajshëm. Kjo panoramë ka qenë dominante prej kohësh që nuk mbahen mend dhe rotacionet e proceset e shumta zgjedhore nuk kanë sjellë asnjë ndryshim. Kjo është një klimë në të cilën janë farkëtuar ngadalë përplasje të mëdha dramatike, siç ndodhi në vitet 1997, 1998 apo edhe në 21 janar të vitit 2011. Për të mos folur për tensionin e kudondodhur dhe të pandërprerë, që ka ushqyer klimën toksike në të cilën ndodhet edhe sot shoqëria shqiptare. Është folur shpesh për kulturën e dhunës në jetën tonë politike. Është ndër vektorët më të palëvizshëm, ndër produktet më të kuotuara “Made in Albania” që ka prodhuar skena politike shqiptare. Është gjithashtu karburanti kryesor që ka ushqyer karriera politike dhe stile të drejtimit politik e institucional. Nëse je i ashpër, nëse refuzon apriori, më parë sesa të pranosh të dialogosh, nëse i tregon kundërshtarit grushtin, në vend të dorës së shtrirë, ke më shumë shanse të bëhesh i dukshëm e, natyrisht, edhe i suksesshëm e i pranueshëm për standardet luftarake të partive të sotme politike. Nëse përkundër, tregohesh i qetë, jofyes, duke u munduar të flasësh e jo të bërtasësh, shihesh me dyshim, si i papërshtatshëm, si i butë dhe jashtë mode. Tipi i politikanit muskuloz, që është i gatshëm të shkojë në betejë i ngarkuar me parzmore, në çdo orë të ditës dhe natës, është krijesa standarde e shtabeve politike të Tiranës.
Nuk duhet ndonjë fokusim kushedi çfarë, e as ndonjë përvojë e madhe, për të identifikuar shkaktarët e kësaj situate, që është mbartur si e tillë që nga hapat e parë të pluralizmit, pas vitit 1990. Gjendja e pashpallur e luftës në jetën tonë politike ka gjeneratorët e vet të tensionit, e ndër ta, “star”-i i pakrahasueshëm mbetet Sali Berisha. Nuk ka nevojë të jesh kundër personit në fjalë, nuk ka madje nevojë as të jesh militant i sa majtës apo nostalgjik i regjimit të shkuar, për të arritur në konkluzionin që sot është pjekur dhe formësuar më mirë se kurrë në mendjet e shqiptarëve. Mjafton të hapësh diku televiziorin apo faqet e gazetave (cilindo kanal televiziv dhe cilëndo gazetë ditore), për të gjetur aty të shtrirë sa gjatë e gjerë, kulturën e urrejtjes dhe të tensionit që predikon në çdo dalje publike, në çdo deklaratë të hapur apo të mbyllur, në Parlament dhe shkolla fillore, në spitale apo në shkallët e avionit, kreu i qeverisë së sotme. Mimika e fytyrës, shprehjet që përdor, tonelatat me akuza që ka prodhuar ndaj armiqve dhe ish-armiqve apo miqve të sotëm, linja e përplasjes si filozofi e mospajtimit në asnjë rrethanë me kundërshtarin – të gjitha këto e kanë bërë Sali Berishën, orakullin më të fuqishëm të kulturës së ndarjes në jetën tonë politike e sociale.
Në dy dekada karrierë politike, në shkallët më të larta të shtetit, Berisha ka qenë modeli bazë i një krahu të tërë politik, që e identifikonte veten me çdo gjë që shkonte kundër sistemit të përmbysur komunist. Në fakt kjo qe një pikë nisjeje, pasi me kalimin e kohës, kësaj pikete ideologjike iu shtua një format politik që u kthye ngadalë në një bumerang, në drejtim të kopjimit të praktikave dhe sjelljes autoritariste të regjimit të vjetër. Sipas shprehjes së famshme të Vacllav Havelit se “komunistët më të këqij, janë ish-komunistët antikomunistë”, Sali Berisha predikoi një linjë të qartë demarkacioni në jetën tonë politike, duke imponuar ndarjen, përplasjen dhe tensionin e vazhdueshëm me kundërshtarin politik. Gradualisht kjo u kthye në një mënyrë jetese brenda kampit të së djathtës, por edhe në një model të politikanit të viteve ’90, i cili më pas u klonua si i tillë edhe në prurjet e reja brenda PD, në mes të viteve 2000. Pjesa dërrmuese e politikanëve të rinj që u afruan nën hijen e KOP-it apo në cepat e podiumeve elektorale në vitin 2005, sot janë skifterë të rinj, që e kopjojnë deri në banalitet liderin e vjetër historik.
Sot po përjetojmë një moment që paradoksalisht duket njëherësh si apogjeu, por edhe si fillimi i rënies së këtij modeli konfliktual. Berisha ka mbetur ai që ishte. Problemi është se ndodhet sërish, si atëherë, në majën e piramidës së shtetit. Prej aty ku ndodhet, ai vijon të predikojë pa u lodhur kulturën e urrejtjes. Sherri që pasoi zgjedhjet e vitit 2009, kokëfortësia për t’i djegur herën e parë kutitë e votimit buzë lumit, e më pas, herën e dytë, për t’i hapur ato të gjitha brenda pak orëve në majin e shkuar, vrasjet tragjike në bulevard me dorën e gardistëve apo mosdorëheqja stoike pas Gërdecit, janë që të gjitha rezultantja e një sjelljeje politike që nuk e përfshin në menunë e saj logjikën, qetësinë dhe vullnetin për të shtrënguar dorën e atij që ke përballë. Berisha vazhdon të mbrojë fort imazhin e një Shqipërie të ndarë, që ai vetë ka krijuar dhe që është prej njëzet vjetësh laboratori ku ai teston strategjinë e tij të tensionit, si parakushtin kryesor për qëndrimin sa më gjatë në pushtet. Është e kotë të presësh që në ndonjë studio televizive a forum, Berisha t’i shtrijë dorën kundërshtarëve të tij, qoftë edhe si një gjest formal. Nuk ka për të ndodhur, pasi Shqipëria nuk është Itali. Që do të thotë se nuk është as Europë.
Revista Java