Së fundi, Saimir Pirgu po interpreton në Metropolitan Opera në New York rolin e Alfredos në Traviatën e Verdit, krah Placido Domingos. E përditshmja e famshme amerikane New York Times i kushton Saimir Pirgut një artikull të gjatë me autor Matthew Gurewitsch që sjellim në vijim:
“Kjo është shtëpia e Zotit, ju nuk mund të më largoni”. Sigurisht fraza është e rindërtuar dhe e përkthyer nga një gjuhë tjetër, por faktet janë fakte. Në shtator të vitit 2000, në Bolzano, Saimir Pirgu, një 18-vjeçar që sapo kish mbaruar shkollën e muzikës në Shqipëri, trokiti në derën e konviktit Rainerum, shtëpi për studentët e drejtuar nga Salezianët. Pirgu kërkonte punë dhe strehë, iu tha se ishte shumë i moshuar dhe shumë shqiptar.
Kur la qytetin e tij, Elbasanin, Pirgu u tha prindërve të tij, që të dy të punësuar në Metalugji, se ishte pranuar në Konservatorin Claudio Monteverdi në Bolzano për Violinë, dhe kjo ishte e vërtetë. Por u tha gjithashtu që kishte fituar një bursë dhe kjo nuk ishte e vërtetë. Siç pritej, kursimet e tij morën fund brenda një ose dy ditëve. Kur nuk kishte më asnjë grosh iu drejtua Salezianëve që e pranuan.
Pirgu, që tashmë është 31 vjeç dhe një tenor me karrierë ndërkombëtare, ka debutuar në Metropolitan Opera në vitin 2009 në rolin e Rinuccios në operën “Gianni Schicchi” të Puccinit, aria e gogël e të cilit mund edhe të mbyllë spektaklin. Të enjten, më 7 mars, ai u kthye si Alfredo Germont në “Traviatën” e Verdit, i verbuar nga shkëlqimi i kurtizanes parisiane, Violetta Valery.
Si djalë ballkanas, Pirgu dëshironte të luante piano, por ai kishte vesh të mirë muzike dhe komisarët komunistë e caktuan atë në violinë. Por në adoleshencë mësoi se ç’do të bëhej kur të rritej.
“Kurdo që një njeri i rëndësishëm vdiste, televizioni ynë kombëtar transmetonte ‘Tre tenorët’ gjatë gjithë ditës”, tha ai vjeshtën e shkuar në San Francisco, ku debutoi në rolin e kokëkrisurit Tebaldo në “Capuleti e i Montecchi” të Bellinit. “Kush e di pse? Kur isha 14 apo 15 vjeç, i regjistrova ato në një videokasetë. Audioja ishte e tmerrshme, por e mjaftueshme për mua. U përpoqa t’i imitoja, por ishte e pamundur. Zëri im po ndryshonte. Nuk kapja dot notat e larta”.
Me të mbërritur në Bolzano, Pirgu u soll më së miri sin ë shtëpinë e tij të re – duke ndihmuar në kuzhinë ashtu si gjithë qiraxhinjtë e tjerë – ashtu si edhe në shkollë. “Këndo”, i kishte thënë mësuesi i muzikës Vito Maria Brunetti “Brenda një viti do të bëhesh këngëtar”.
“Dhe u bëra”, thotë Pirgu. Në vitin 2002, vit në të cilin u diplomua, ai merr pjesë në një konkurs në kujtim të Enrico Carusos dhe Tito Schipa, tenorë të mëdhenj të të kaluarës.
Me një emër ekzotik, Pirgu nuk shtron sfida të mëdha. Për momentin, për shumë dashamirës të operës është thjesht “Tenori shqiptar”. Vendlindja e tij është vetëm 45 milje larg prej takës së çizmes italiane përtej kanalit të Otrantos, por për shumëkënd në Perëndim ajo mund të jetë edhe ana e errët e hënës.
“Njerëzit më pyesin nëse jemi sllavë”, thotë Pirgu. “Jo, nuk jemi. Shqiptarët janë po aq të vjetër sa dhe grekët e romakët. Njerëzit më pyesin nëse jam mysliman. Jo, nuk jam. Shën Pjetri kaloi përmes Shqipërisë përgjatë rrugës së tij për në Romë. Jemi një popull i vogël, vetëm 3 milionë e gjysmë dhe kemi qenë të pushtuar nga Perandoria Otomane për 5 shekuj, por ne kurrë nuk i humbëm gjuhën dhe traditat tona”.
“La Traviata” është opera e Violettës dhe disa tenorë e konsiderojnë Alfredon si një rol të dorës së dytë. Për karakterin, Pirgu është shumë i ngjashëm dhe e do muzikën e tij. “Alfredo është i ri, i pasionuar, pak provincial”, thotë ai. “Dhe në krahasim me botën perëndimore, Shqipëria është një lloj vendi provincial. Unë nuk jam aq naiv sa ai, por kur dashuroj, dashuroj me pasion. Do të doja që mbyllja të ishte ndryshe për Alfredo dhe Violetën. Më pëlqejnë fundet e lumtura. Por Verdi, gjeniu, e dinte më mirë se unë”.
E drejtuar nga Yannick Nézet-Séguin, “Traviata” ndjek triumfin e “Rigolettos”. Tenori Plácido Domingo, që e ka filluar karrierën e tij dekada më parë, ka luajtur rolin e Alfredos në vitin 1970, ndërsa këtë radhë shfaqet si baritone në rolin e të atit moralizues të Alfredos.
Deri më sot, Domingo ka pasur raste të ndryshme për të vlerësuar kolegun e tij më të ri. Si drejtor i përgjithshëm i Operës së Los Angeles, Domingo ka prezantuar Pirgun në “Gianni Schicchi” (me regji të Woody Allen) dhe “Così Fan Tutte” të Mozartit, me ” Lucia di Lammermoor” të Donizettit që do të vihet në skenë sezonin e ardhshëm. Në Paris të dy i ka bashkuar “Cyrano de Bergerac” e Franco Alfanos.
“Ia kemi kaluar më së miri së bashku,” tha zoti Domingo së fundi mes performancave në Valencia, Spanjë. “Unë me të vërtetë po kërkoj të punoj përsëri me Saimirin. Teknika e tij është madhështore, dhe cilësia lirike e zërit të tij është kaq e bukur”.
Përpara Domingos, më i qëndrueshmi nga “Tre tenorët”, Luciano Pavarotti, ndoshta edhe më i dashuri, e kishte shumë për zemër Pirgun, thuajse si ta kishte bir arti. Gjatë qëndrimit në një klinikë dobësimi në afërsi të Bolzanos, duke dashur t’u jepte mësim talenteve të reja, Pavaroti kontaktoi Brunettin, që is jell nxënësin e tij Saimir Pirgu. “Big Luciano kishte simpati dhe respekt për Saimirin”, është shprehur Brunetti së fundmi. “Ata u bënë miq të mirë”.
Çfarë i mësoi Pavarotti? “Luciano më dha madhështinë”, përgjigjet Pirgu. “Ai më tregoi një tjetër botë. Mjaft ta shihje atë si përgatitej, si fliste, si ecte në dhomë”.
Por ajo çfarë donte të dinte Pirgu, ishte sekreti i shëndetit të tij vocal.
Siç tregon Pirgu, përgjgjja e Pavarottit ishte kjo: “Intonimi. Këndo me tonin e saktë dhe automatikisht zëri yt do të bëhet i përsosur. Dhe kur njerëzit të kuptojnë fjalët, ky është maksimumi”.
Në fillim, fjalët i sollën ca probleme Pirgut në Teatrin Komunal të Bolzanos ku ishte punësuar ndërsa vazhdonte akoma shkollën. Zotërimi i tekstit për rolin që kishte në “Flauti magjik” të Mozartit ishte i dobët dhe regjisori donte që ai të largohej. Por Manfred Schëeigkofler, asokohe drejtor i përgjithshëm, kundërshtoi. Schëeigkofler bëri një audicion me Ioan Holender, drejtorin despotik të Vienna State Opera.
I mrekulluar prej tij, Holender i dorëzoi Pirgut një kontratë për rolin e Nemorinos në “L’Elisir d’Amore”, një rol vendimtar për Caruson dhe Schipa. Ky debutim në vitin 2004 i hapi shumë dyer.
Me flokët e zinj, me sytë e gjallë dhe një buzëqeshje fitimtare, Pirgu e ka të lehtë të veshë petkat e Nemorinos, por edhe tragjeditë, të stuhishme ose të errëta, i shkojnë për shtat gjithashtu. Të kënduarit e tij tingëllon spontan dhe i pasforcuar, falë një loje intuitive dritëhijesh dhe një prekjeje të mëndafshtë në pasazhet e qeta. Tani për tani profili tij është më shumë lirik se heroik, por sipërmarrës kokëkrisur tashmë i kanë parashtruar oferta për maratonomakun e Siegfriedit të Vagnerit. Ndoshta një ditë. Ndoshta kurrë.
Më herët me ndihmën e Schweigkoflerit, Pirgu hartoi listën e teatrove ku duhet të këndonte. “La Scala, Covent Garden, Bavarian State Opera, Zurich, Metropolitan Opera”, i kishte thënë Schweigkofler. “Saimiri këndoi te të gjitha, madje përpara afatit”.
Një tjetër aventurë për Saimir Pirgun. Nikolaus Harnoncourt, mjeshtri radikal antikuar, e ka caktuar për një kryerol emocionues nga Mozart “Idomeneo”, një vijim i historisë së luftës së Trojës. Verën që shkoi, Franco Zeffirelli peshkon Saimir Pirgun për “Don Giovannin” në Arenën romake 15.000 vendëshe të Veronës, e vetmja vepër mozartiane që ngjitej në atë hapësirë antimozartiane. Në televizionin zviceran, Pirgu portretizoi poetin Rodolfo në operën “Boheme” të Puçinit, që u transmetua live nga hapësira të ndryshme publike në Bernë, ku kalimtarët mund të ndërhynin dhe në momentet më intime të operës.
Me pak fjalë, Pirgu ia ka dalë mbanë. Me fitimet e para ai u bleu prindërve një shtëpi, duke shtuar dyshimet e të atit se ai merrej me drogë dhe seks, siç thotë ai. “Ai pyeti nënën time: Si është e mundur, në një kohë kaq të shkurtër, të vijnë paratë nga hiçi? Ai nuk mund të besonte që të kënduarit mund të më jepte një jetë kaq të mrekullueshme”.
Pas “Traviatës”, Pirgu i bashkohet dirigjentit Riccardo Muti dhe Chicago Symphony Orchestra për Meshën në Si minor të Bach-ut, që Riccardo Muti refuzon ta trajtojë si një ushtrim praktik të performancës baroke. Në shkelje të ortodoksisë bashkëkohore, ai ua ka besuar pjesët e solistëve një kuarteti zërash operistikë talianë.
“Intensiteti i Meshës së Bach-ut buron nga intensiteti i tekstit liturgjik”, është shprehur së fundmi dirigjenti Muti në Ravena. “Të kënduarit nuk duhet të jetë kurrë i ftohtë apo i rëndë. Një zë joshës, karizëm dhe personalitet teatror janë avantazhe për çdo këngëtar dhe sigurisht në operë ato mund të mbulojnë shumë mëkate. Pjesët e kënduara të Bach-ut kërkojnë muzikalitet dhe shprehshmëri të lartë erbale”.
Pasi ka bashkëpunuar me Riccardo Mutin, me një repertor nga Mozart dhe Mercadante te Berlioz dhe Verdi, Pirgu e mirëpret këtë sfidë të fundit me gazmendin e tij karakteristik.
“Jam kundër idesë se duhet të jesh i specializuar”, thotë ai. “Duhet të këndosh me zërin tënd dhe ta bësh mirë këtë gjë, çfarëdo pjese qoftë. Verdi, Puccini, Mozart, Tchaikovsky, Bach: nuk ka rëndësi. Kjo është ajo që këngëtarët e mirë bëjnë gjithnjë. Specializohesh kur nuk bën dot gjë tjetër”.
Matthew Gurewitsch
Artikulli në origjinal: The Tenor Saimir Pirgu Hits His Stride