in

Vlorë. “The promenade gallery”, një port për artistët e rinj

“The Promenade gallery”, një galeri e artit bashkëkohor, është projekt i piktorit të njohur vlonjat Artan Shabani, që e vetëfinancon me dëshirë dhe bindje se “do të gjenerojë koncepte dhe ide të reja në të ardhmen

Prej më shumë se 4 vjetësh, diku në skaj të rrugës Skelë-Ujë i Ftohtë, në qytetin e Vlorës, qëndron e hapur një galeri arti. Nuk është e njëjtë si të tjerat, ato që rëndom shohim e vizitojmë, ku në mure ekspozohen punime të ndryshme. Madje edhe hyrja nuk është ajo klasikja. Kuratorët e saj janë kujdesur që edhe në këta elementë, galeria të ofrojë diçka ndryshe.

Vizitori hyn në një oborr të rrethuar nga një mur me blloqe, i shtruar me një çimento të zakonshme dhe kërkon për të gjetur hyrjen e asaj që mendon, apo i kanë thënë se ngjason me një galeri arti. Duhet të lodhesh pak për të arritur në këtë pikë. Duhet të kërkosh mes një hapësire ku, një godinë 3 katëshe është objekti më i dukshëm. Diku, në skajin verilindor të saj, në një hyrje paksa të fshehtë, duhet të zbresësh disa shkallë dhe, me kokën paksa të ulur, për shkak të lartësisë së pamjaftueshme, hyn atje ku je ftuar…

Pak njerëz, që diskutojnë me njeri tjetrin, janë elementi i parë ngacmues. Hapësira që është shfrytëzuar për galerinë, është e thyer dhe dritëhijet e bëjnë edhe më mistike gjithçka që të rrethon. Vizitori percepton një mjedis komod, ku të gjithë elementët duket se janë zgjedhur enkas dhe me kujdes për të krijuar ndjesinë e një realiteti ndryshe. Duket se, në këtë hapësirë të kufizuar, por edhe të pakufizuar njëkohësisht, përjeton një marrëdhënie të veçantë me bashkëbiseduesit, me muret, me tavanin, me atë ngjyrë gri të ëmbël që alternohet mjaft mirë me të zezën, me punimet e ekspozuara, që në fakt nuk janë shumë.

Piktori i njohur vlonjat, Artan Shabani, që jeton mes Torinos e Vlorës, na fton për të ndjekur këtë hapësirë ku punimet “e ekspozuara”, nuk mund t’i konceptosh të veçuara prej njëra tjetrës, madje, as prej mjedisit dhe, aq më pak, prej njerëzve. Ai tregon se “The Promenade gallery”, është një projekt i tij, që e financon me dëshirë dhe bindjen se ai do të gjenerojë koncepte dhe ide të reja në të ardhmen.

“Vlora, është një qytet periferik në këndvështrimin gjeografik, në raport me kryeqytetin, por nuk duhet të mbetet i tillë, në këndvështrimin intelektual, artistik e kulturor”, shprehet Shabani. Për të, po aq sa një qytet turistik, Vlora duhet të jetë edhe një epiqendër e artit, madje e artit bashkëkohor, në të gjitha dimensionet e tij. “The promenade gallery”, sipas Shabanit, është ndër të paktat galeri serioze në Shqipëri që ka si objekt vetëm artin bashkëkohor. Në këtë këndvështrim, ai e vlerëson dhe cilëson Vlorën, si një qytet pararojë, që hyn në linjat dhe dinamikën e këtij arti.

Gjatë këtyre viteve, në këtë galeri kanë çelur ekspozitat e tyre, artistë të formateve të ndryshme në artin bashkëkohor, të huaj dhe shqiptarë. Janë qoftë artistë të rinj, qoftë ata me një background të pasur janë bërë protagonistë në këtë mjedis të artit alternative.

“Galeria ka një dimension metafizik për qytetin e Vlorës”, thotë Fani Zguro, artist i ri nga Tirana, rezident në Milano, që ka ekspozuar në “The Promenade gallery”.  Sipas tij, ajo përbën vazhdën e një pune që duhet të vijojë më tej në të ardhmen.

“E kështu do të jetë”, siguron piktori Artan Shabani, financues dhe kurator i aktiviteteve që zhvillohen në të, që thotë se “The promenade gallery”, është një stacion kuptimplotë për dhjetëra artistë të rinj që kanë ardhur, apo që pritet të vijnë këtu. (Sipas ATSh-së)

75 mijë shqiptarë, persona të padëshiruar në BE

Flukse. Nga 20 marsi përgatiten kërkesat për punonjësit sezonalë