Të mërkurën në mëngjes, në faqet internet të ministrisë së Brendshme do të jetë në dispozicion formulari C. Do të mund të përpilohet dhe të ruhet, por për nisjen e tij duhet pritur akoma publikimi i dekretit të Gazetën Zyrtare. Ashtu si vitet e shkuara do të mund të thirren punonjës edhe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia.
Romë, 18 mars 2013 – Nis numërimi mbrapsht për punonjësit sezonalë. Nga e mërkura, 20 mars, kush dëshiron të sjellë në Itali punonjës për punë sezonale me dekretin e ardhshëm të flukseve do të mund të përgatisë e të ruajë kërkesën e punësimitnë faqen internet nullaostalavoro.interno.it. Por për ta nisur do të duhet të presë publikimin e dekretit të flukseve në Gazetën Zyrtare.
Pas informacioneve paraprake të dhëna ditët e fundit, nga ministria e Brendshme arrin konfirmimi se së shpejti dekreti do të hyjë në fuqi. “Duke filluar nga or 8.00 e 20 marsit 2013 – shpjegohet në një komunikatë – do të jetë në dispozicion të qytetarëve formulari C për kërkesën e autorizimit të punës të parashikuar nga Dekreti i Kryeministrit i datës 15 shkurt 2013, që ka të bëjë me programimin tranzitor të flukseve të hyrjes të punonjësve jokomunitarë sezonalë në territorin e Italisë për vitin 2013”.
“Formularët – sqaron ministria – do të jenë në dispozicion deri më 31 dhjetor 2013. Por nisja e kërkesave do të mund të bëhet vetëm duke filluar nga e nesërmja e botimit të Dekretit të sipërpërmendur në Gaazetën Zyrtare”.
Deri mëngjesin e sotëm, dekreti ishte akoma në zyrat e Kontrollit të Shtetit, ku sigurojnë se shumë shpejt do të marrë dritën e gjelbër për botimin në Gazetën Zyrtare: “Punë ditësh” thonë.
Flukset e reja do të autorizojnë hyrjen e 30 mijë punonjësve sezonalë që do të punësohen në bujqësi, apo në turizëm, një ushtri e vogël që, sipas ekspertëve të dy sektorëve, do të arrijë të kënaqë më së miri nevojat e ndërmarrjeve. Kështu që nuk do të ketë nevojë për të bërë gjithçka me nxitim. Punëdhënësit do të mund të paraqesin kërkesat vetëm on-line, përmes faqeve internet nullaostalavoro.interno.it, personalisht apo me ndihmën e shoqatave të kategorisë.
Ashtu si vitet e shkuara, punonjësit mund të vijnë nga: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria, Bangladeshi, Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia.
Elvio Pasca