in

Gjurmët e diktaturës në memorialin “Postbllok”

Vepra, instalacion i 3 monumenteve, pjesë nga muri i Berlinit, dhuratë e ardhur nga Berlini, bunkeri dhe disa kolona nga burgu i Spaçit, është realizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me artistët Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi

Tiranë, 26 mars 2013 – Gjurmë nga burgu i Spaçit, një pjesë nga muri i rrëzuar i Berlinit dhe një bunker. Janë këto pjesët përbërëse të Memorialit për simbolet e diktaturës ” Postbllok” i përuruar ditën e sotme. Është realizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me artistët Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi dhe është vendosur në lulishten në krah të Kuvendit të Shqipërisë, në hyrje të Bllokut. Pikërisht në vendin ku Bunkeri është instaluar qysh në kohën e diktaturës, dhe që do të ridimensionohet si një metaforë e “arkeologjisë” së vuajtjes dhe dhimbjes. Objekti i dyti është një pjesë nga muri i Berlinit, një copë 2.6 tonë dhuratë e bashkisë së Berlinit bërë Bashkisë së Tiranës, me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED. Me segmentin e murit të vendosur në Tiranë, Shqipëria merr një pjesë të murit të Berlinit, si një simbol të lirisë. Ndërsa objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish të burgosurit në Spaç. Ai synon të evokojë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi.

Në formë metaforike Isufi dhe Lubonja, që kanë ideuar artistikisht memorialin, sjellin konceptin e burgosjes, izolimit.

“Edhe pse janë materiale betoni flasin për një kohë që duhet ta ridimensionojmë në mentalitetin tonë. Përballemi me një vepër arti post modern të cilën publiku mund ta vizitojë dhe të ketë ndjesinë e kohës që duam të sjellim”, tha Isufi gjatë përurimit të memorialit.

Sipas Fatos Lubonjës, kjo vepër i dedikohet të gjithë atyre që nuk arritën dot të kapërcenin kohën e dikaturës dhe të jetojnë në këtë kohë. “Mes emocioneve është kënaqësia që arritëm të kapërcejmë atë mur Berlini dhe arritëm të jetojmë në një kohë tjetër”, tha Fatos Lubonja.

Memoriali “POSTBLLOK”, është një dëshmi e burgut në veçanti, por edhe e izolimit të gjithë Shqipërisë në atë kohë. Karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tre objektet janë autentikë, ata bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe. (Sipas ATSh-së)

Per ricominciare a sognare

Bari. Sekuestrohen 75 kg marijuanë, arrestohet një 32 vjeçar