Sentencë e re e Gjykatës së Pescaras: “Të huajve me leje CE për qëndruesit afatgjatë u takojnë të njëjtat të drejta të komunitarëve”. Por INPS vazhdon të mos pranojë ta japë ndërsa qeveria hesht
Romë, 11 prill 2013 – INPS bën rezistencë, komunat kërkojnë sqarime nga qeveria e kjo e fundit hesht. Ndërkaq gjykatësit flasin qartë: çeku për familjet me shumë pjesëtarë u takon edhe shtetasve jokomunitarë, nëse kanë në xhep kartën e qëndrimit apo lejen CE për qëndruesit afatgjatë.
Sentenca e fundit arrin nga gjykata e Pescaras, që disa ditë më parë ka pranuar ankimimin e një emigranti senegalez rezident në Montesilvano kundër INPS-it dhe Komunës. Emigrantit, baba i tre fëmijëve, me të ardhura të ulëta e titullar i një lejeje CE për qëndruesit afatgjatë (apo dokumenti që njihet si karta e qëndrimit), i është refuzuar kjo lloj ndihmese ekonomike, me justifikimin se u takon vetëm shtetasve italianë e komunitarë.
Pikërisht ashtu siç vazhdon të shkruhet në faqet internet të INPS-it ku lexohet që “kanë të drejtë për çekun për familjen të Komunave” vetëm “qytetarët italianë ose komunitarë rezidentë në territorin e shtetit”. Version ky i hedhur poshtë nga gjykata të ndryshme (Milano, Gorizia, Padova, Roma etj.), në bazë të parimit që qytetarët jokomunitarë “qëndrues afatgjatë” sipas direktivës evropiane 109/2003, e pranuar nga Italia me dekretin legjislativ 3/2007, duhen barazuar me komunitarët përsa i përket përftimit të shërbimeve të asistencës sociale.
E mendon kështu edhe gjykatësi i punës së Pescaras, Carlo Maffei, sipas të cilit INPS dhe komuna e Montesilvanos kanë bërë një diskriminim. Dhe, siç lexohet në sentencën e botuar nga Shoqata e Studimeve Juridike mbi Imigracionin (ASGI), i ka detyruar t’i paguajnë qytetarit senegalez çekun bashkë me interesat e deritanishme.
Mbi çështjen e çeqeve për familjet ka ngritur zërin në janar edhe Shoqata kombëtare e komunave italiane (ANCI), që gjenden në mes të udhëzimeve të INPS-it dhe sentencave të gjykatave që i detyrojnë të paguajnë këto çeqe (si edhe shpenzimet e proceseve gjyqësore). ANCI i kërkon qeverisë një direktivë të qartë si të veprojë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë përgjigje.
EP / Shqiptari i Italisë
Lexo edhe: Çeqet për nënat e për familjet me shumë pjesëtare. Shumat për vitin 2013