Ekipi përfaqësues shqiptar i peshëngritjes e ka nisur më së miri Europianin e peshëngritjes për të rritur, që po zhvillohet në Tiranë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Godelli ka arritur të marrë një medalje ari dhe dy bronzi, ndërsa Begaj ka marrë një medalje të argjendtë e dy të bronzta
Tiranë, 11 prill 2013 – Peshëngritësi shqiptar Daniel Godelli e ka mbyllur me sukses garën e tij në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë. Ai ka arritur të marrë një medalje ari në stilin e shtytjes dhe dy bronzi, në dygarësh dhe në stilin me shkëputje.
Ndërsa peshëngritësja shqiptare Romela Begaj ka marrë dje tri medalje, por pa arritur të shkojë te medalja e arit. Në stilin e shkëputjes, ajo ka ngritur 95 kg, po aq sa vendi i parë, por për peshë trupore më të madhe, ka zënë vendin e dytë, duke marrë medaljen e argjendtë. Ndërsa në stilin e shtytjes është renditur e treta, duke ngritur 112 kg dhe duke marrë medalje bronzi. Në dygarësh, është renditur e treta dhe për pasojë ka marrë medalje të bronztë.
Këto janë 6 medaljet e para të marra nga sportistët tanë në këtë Europian të Peshëngritjes që do të vazhdojë deri më 14 prill.
Nga emrat e rinj, sipas programit, rezulton që sot, më 11 prill, do të ngjitet në pedanë vetëm një pjesëtar e ekipit shqiptar, Krenar Shorja, i cili në orën 20:00 do të konkurrojë në kategorinë 77 kg dhe më 13 prill në orën 13:00, i vjen radha Ervis Tabakut në peshën 94 kg, ndërsa në ditën e fundit të këtij europiani, në orën 10:30 do të ngjitet në pedanë Isa Bala.