in

Onorina Myslymi: “Të tregoj në youtube të fshehtat e bukurisë”

Jo vetëm grim por edhe modë e video blog në kanalin PepperChocolate84 të 28-vjeçares Myslymi. “Duket e lehtë por ka shumë punë pas një videoje të shkurtër”. Sot, bashkë me publikun përditë e më të gjerë, mbërrijnë edhe kërkesat nga shtëpitë e produkteve kozmetike

Romë, 23 prill 2013 – “PepperChocolate84” është emri artistik i një mjeshtreje të vërtetë makijazhi shumë e njohur në web, që në pasaportë emrin e ka Onorina Myslymi. E lindur në Tiranë, jeton në Lodi nga viti 1994, kur me familjen u bashkuan me babain që kish ardhur më parë për të punuar në Itali.

Onorina është sot 28 vjeçe, është diplomuar në juridik me notën më të lartë, dhe sot mes një leksioni online mbi makijazhin e një tjetri mbi modën, bën edhe praktikën pranë një studioje legale të qytetit.  

Nga viti 2008 Onorina është një “youtuber”. Është ndër të parat që ka nisur të japë “leksione praktike” në youtube mbi grimin, veshjen, modën. E ka nisur shumë më parë se një gjë e tillë të kthehej në modë siç është sot.

Pasionin për modën, vëmendjen për detajet, shijen në të veshur e në të lyer ia ka transmetuar e ëma, gjithnjë e kujdesshme ndaj bukurisë. E këto Onorina i ndan sot me 80 mijë të regjistruarit në kanalin e saj youtube, në video që kanë edhe nga 20 milionë shikues. Onorina është shumë e ndjekur edhe në Facebook, me mëse 27 mijë “më pëlqen”.

Shifra marramendëse që e kanë bërë eksperten e bukur dhe të aftë të grimit një web celebrity dhe një pikë referimi për shumë e shumë vajza që kanë nevojë për ndonjë këshillë për të përmirësuar pamjen, për të mbuluar ndonjë difekt dhe për të vënë në dukje tiparet e tyre më të mira. Falë këtij suksesi të mrekullueshëm, Onorina është kontaktuar edhe nga shtëpi produktesh kozmetike si Deborah e ka nisur bashkëpunime të ndryshme në ëeb.

Kanali PepperChocolate84 është blog, modë, bukuri, me pak fjalë, një kanal që ka në qendër universin femëror. “Kanalin e hapa sepse më dëfrente të vihesha përballë një telecamere e të tregoja si trukohesha e të shihja komentet që bënin, por në të vërtetë nuk ia kisha idenë se sa punë kërkon kjo gjë. Nevojiten rreth 12 orë nga ideja e një “leksioni grimi” deri të ngarkimi i videos online, dhe pjesa që më tërheq më shumë është montazhi. Interesi i shtëpive prodhuese kozmetike, bashkëpunimi me to e të gjitha të tjerat erdhën më vonë. Sot, kush hap një kanal e di, në të mirë apo në të keq, se ç’rruge po i hyn e si të marrë masat” ka shpjeguar ajo në një intervistë.

“Ana pozitive e të pasurit një kanal Youtube është që më jep mundësi të shpreh krijimtarinë dhe pasionin tim, të bëhem partner e shtëpive që prodhojnë produkte kozmetike e t’i provoj ato e para, por mbi të gjitha të kem mijëra vajza që më mbështesin. Nga ana tjetër, të publikosh një video në Internet do të thotë t’i nënshtrohesh gjykimit të të gjithë atyre që të ndjekin, pra edhe komenteve e kritikave”.

Por në videot e Onorinës nuk ka vetëm “leksione mode”. “E ndieja që nuk arrija t’u përcillja karakterin tim atyre që më ndiqnin ndaj vendosa të hap edhe vlog, video me të cilat tregoj jetën time pa sajuar situata artificiale. Më pëlqen të filmoj Lodin, qytetin tim, dhe t’u tregoj të tjerëve atë që bëj e që bën jetën time të mrekullueshme”.

Samia Oursana

Mjekët e huaj. Regjistrimet në shkollat e specializimit

Reato di clandestinità. I saggi della Giustizia: “Va cancellato, è inutile e irrazionale”