in

Torino. Shteti nuk e paguan, 50-vjeçari proteston duke u ngjitur në majë të vinçit

Shteti i detyrohet 46 mijë euro Vojo Gjozës për shërbimet e ofruara nga shoqata e tij. Ato para i nevojiten për të çuar përpara punën ndaj proteston duke hipur majë vinçit, dy herë brenda një jave, e duke kërcënuar se do të qëndrojë aty lart në grevë urije nëse askush nuk i përgjigjet hallit të tij

Romë, 30 prill 2013 – Kriza e thellë ekonomike ka pasoja tragjike. Sipërmarrës që mbyllin e nxjerrin në rrugë dhjetëra punonjës, të papunë të dëshpëruar që nuk dinë si të mbajnë familjen. Ndokush kërcënon të ndërmarrë akte ekstreme si vetëvrasja, dikush tjetër e bën vërtet, një tjetër akoma merr armën e qëllon mbi karabinierët para pallatit Chigi. Akte ekstreme në një situatë tejet të nderë që po verifikohen jo rrallë kohët e fundit.

Një nga rastet e fundit, ai i Vojo Gjozës, 50-vjeçar shqiptar rezident në Tortona të Alessandria-s që kërcënon të vrasë veten sepse shteti nuk i jep një shumë parash që i detyrohet. Sot në mëngjes ka hipur mbi vinç në qendër të Torinos. E bëri edhe më 24 prill. Dhe kërcënon të qëndrojë aty pa ngrënë e pa pirë nëse nuk i jepen 46 mijë eurot që shteti i detyrohet.

Vojo dhe e shoqja Brunilda drejtojnë shoqatën Primavera që ofron strehim për njerëz në nevojë të çuar aty nga shteti kundrejt një pagese. Shoqata ka dy shtëpi-familje në të cilat kohët e fundit janë strehuar refugjatët e ardhur nga Afrika e Veriut. Për këtë aktivitet të ofruar nga shoqata shteti i detyrohet mëse 46 mijë euro që Vojo e Brunilda ende nuk kanë marrë, edhe pse të gjithë janë dakord që ato para u takojnë (ka edhe një vendim të gjykatës së Torinos në favor të tyre). Tani, pamundësia për pagesën e kësteve të një kredie që kanë marrë për hapjen e një strukture të re, dhe rreziku që nga dita në ditë mund të humbasin gjithçka kanë krijuar me shumë mund, e të ngelin në mes të katër rrugëve bashkë me dy fëmijët e tyre kanë detyruar Vojon të protestojë në këtë mënyrë, me shpresën se do të tërheqë vëmendjen e institucioneve. Se sa do t’ia dalë, nuk i dihet. Më 24 prill arritën t’i mbushin mendjen të zbriste, por duket se asgjë nuk ndryshoi e problemi i Vojo Gjozës mbetet po ai.

Edhe sot, pas tre orëve mbi vinç, kanë arritur ta bindin të zbresë dhe e kanë çuar menjëherë në spital për të verifikuar gjendjen e tij shëndetësore (vuan nga tensioni i ulët). I kanë premtuar zgjidhjen e hallit të tij dhe i kanë dhënë takim me prefektin e Torinos për të premten.

Aleksander Gashi: “La musica è speranza, non solo una comunicazione veloce”

Listat zgjedhore. Humb një në shtatë votues