Prania për herë të parë e një stende shqiptare në Panair u mirëprit nga vizitorët e shumtë dhe personalitetet e artit e të politikës. Benko Gjata: “Kemi nisur që tani nga puna për organizimin e pjesëmarrjes në panairin e vitit të ardhshëm, me një konceptim të ri të hapësirës shqiptare”
Letërsia dhe kultura e Shqipërisë mori pjesë këto ditë në Panairin Ndërkombëtar të Librit të Torinos, me një stendë të sajën ku u paraqitën veprat e autorëve më të njohur shqiptarë të botuar në gjuhën italiane, si edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën shqipe. Pjesëmarrja e Shqipërisë u mundësua nga Qendra e Kulturës Shqiptare, me patronazhin e Ambasadës së Shqipërisë në Itali.
Stenda shqiptare, e çelur për herë të parë në historinë e panairit të Torinos, u prit me mjaft interes nga publiku. Lexuesit torinezë patën mundësinë të njiheshin aty nga afër me veprat e Kadaresë, Kongolit, Aliçkës, Cekës, Zhitit, Kyçykut, Çulit, Mustafajt, etj., të përkthyera në italisht, si edhe ato të shkrimtarëve shqiptarë që shkruajnë dhe botohen drejtëpërdrejtë në gjuhën italiane, ndër të cilët Ibrahimi, Dones, Vorpsi, Kubati, etj. Nuk mungonin titujt e zgjedhur në gjuhën shqipe, si edhe një seksion i posaçëm kushtuar letërsisë dhe studimeve arbëreshe.
“Vendosëm të merrnin pjesë në Panair me bindjen se letërsia shqiptare përfaqëson sot një zë origjinal, tërheqës dhe me ndikim në panoramën e kulturës italiane dhe europiane. Nisur nga ky konstatim, menduam gjithashtu se paraqitja e veprave dhe autorëve kryesorë shqiptarë në një hapësirë të vetme, stendën e Shqipërisë, do të ndihmonte në njohjen më të mirë të këtij realiteti nga ana e publikut të shumtë dhe të kualifikuar të Panairit të Torinos” shpjegon për shqiptaariiitalise.com Benko Gjata, drejtori i Qendrës së Kulturës Shqiptare.
Në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, që këtë vit shënoi një numër rekord vizitorësh, mbi 340 mijë – më i madhi në Itali dhe një prej më të rëndësishmëve në Europë dhe në rajonin e Mesdheut – marrin pjesë mbi 1200 ekspozues, e rreth 3000 mijë gazetarë nga e gjithë bota, që ndjekin takimet e shumta që zhvillohen me autorët më të njohur italianë dhe të huaj.
Takimet me shkrimtarë
Në hapësirën e stendës u zhvilluan gjatë ditëve të panairit edhe takime me autorë shqiptarë dhe të huaj. Ndër ta spikasin takimi me shkrimtaren Anilda Ibrahimi, vepra e së cilës botohet në Itali nga shtëpia botuese prestigjioze Einaudi dhe ai me gazetarin Alessandro Leogrande, autor i librit “Mbytja e anijes. Vdekje në Mesdhe”, kushtuar ngjarjes tragjike të fundosjes në ujërat e Kanalit të Otrantos, në ’97-ën, të motovedetës “Katër i Radës” pas përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”.
Takimet ndihmuan në promovimin e stendës dhe u ndoqën me mjaft interes nga publiku i panairit, që u ndal gjatë në bashkëbisedim me autorët e ftuar në mbyllje të veprimtarive.
Konkursi “Lingua Madre”
Një prej çasteve më të ndjekura të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Torino ishte edhe ceremonia e dhënies së çmimeve të konkursit “Lingua Madre”, kushtuar shkrimtareve të reja nga e gjithë bota që shkruajnë në gjuhën italiane. Edhe këtë vit në konkurs merrnin pjesë shumë autore shqiptare, një prej të cilave, 18-vjeçarja Lina Alushi fitoi çmimin “Rotary Club Torino Mole Antonelliana” për tregimin më të mirë, që do të botohet në antologjinë e konkursit për vitin 2013.
Vizitorët
“Rezultati që prisnim u arrit: hapësira shqiptare tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut; ajo u vizitua gjatë pesë ditëve të panairit nga mijëra vizitorë, ndër të cilët edhe shumë personalitete të spikatura të botës së artit dhe kulturës; nuk munguan as përfaqësuesit e lartë të institucioneve italiane, ndër të cilët tre ministra të qeverisë aktuale, parlamentarë, kryetarë bashkish, asesorë rajonalë të kulturës të disa rajoneve italjane, etj. – tregon Gjata, për Shqiptariiitalise.com – Stendën e vizituan gjithashtu edhe një numër mjaft i lartë familjesh shqiptare, të cilat përfituan nga mundësia për t’i njohur fëmijët e tyre, të lindur apo të ardhur në moshë të vogël në Itali, me një pjesë të rëndësishme të kulturës së vendit të tyre të origjinës”.
Në fakt, mes qindra vizitorëve, stenda shqiptare u vizitua nga tre përfaqësues të lartë të qeverisë Letta, ministri i turizmit dhe kulturës Massimo Bray, ministri i marrëdhënieve parlamentare Dario Franceschini dhe ministrja e integrimit Cécile Kyenge.
Ata u interesuan për aspekte të posaçme të kulturës dhe trashëgimisë së vendit tonë, pa harruar realitetin e bashkësisë së madhe shqiptare që jeton dhe punon në Itali. “Gëzohem ta shikoj Shqipërinë në Panair,” – u shpreh, në shënimin e tij në librin e përshtypjeve të stendës shqiptare, ministri Franceschini, “deti në mes na bashkon, nuk na ndan!”
Stenda shqiptare u vizitua gjithashtu edhe nga kritiku i njohur i artit Vittorio Sgarbi. Ai e vizitoi pavijonin shqiptar, ashtu si edhe ministri Bray, në mbyllje të ceremonisë së përurimit, ku mori pjesë ambasadori shqiptar në Itali prof. Neritan Ceka, i shoqëruar nga konsulli i derit i Shqipërisë në Torino, Artan Doda dhe drejtori i Zyrës së Dhomës së Tregtisë së Tiranës në Torino, arkitekti Giovanni Lauria. Sgarbi dhe ministri Bray u ndalën gjatë në stendën shqiptare, të shoqëruar nga ambasadori Ceka, i cili u ilustroi miqve italianë përmbajtjen e saj dhe aspekte të letërsisë dhe trashëgimisë shqiptare.
Stendën e vizitoi edhe një personalitet i shquar i letërsisë botërore, shkrimtari amerikano-latin Luis Sepulveda, autor i një numri të madh best-seller-ësh, ndër të cilët romanet “Ditari i një vrasësi sentimental”, “Plaku që lexonte romane dashurie”, “Një emër toreadori”, etj., Sepulveda është jo vetëm një prej autorëve më të lexuar e më të vlerësuar bashkëkohorë, por edhe një emblemë e lëvizjes mjedisore botërore dhe aktivist i njohur i organizatës Greenpeace. Gjatë vizitës në stendën shqiptare ai u njoh me veprat e paraqitura dhe u interesua për situatën e sektorit të botimeve në Shqipëri. Në fund të vizitës ai la një mesazh në librin e përshtypjeve, përmes të cilit përshëndeti të gjithë miqtë dhe lexuesit e tij shqiptarë. Sepulveda do të vijë së shpejti në shqip përmes botimeve të shtëpisë botuese Dudaj, gjithashtu e pranishme në stendën shqiptare, me një numër titujsh të zgjedhur.
Përshtypjet e organizatorëve
Panairi sapo u mbyll dhe organizuesit e stendës shqiptare të kënaqur nga eksperimentimi i këtij viti, kanë nisur të mendojnë për të ardhmen, siç na tregon Benko Gjata: “Nisur nga rezultati mjaft pozitiv, ne kemi nisur që tani nga puna për të organizuar pjesëmarrjen në panairin e vitit të ardhshëm”.
Çfarë mund të përmirësohet? “Do të punojmë për një konceptim të ri të hapësirës ekspozuese, për pasurimin e programit të takimeve me autorët, që do të ndërthuret në mënyre organike me axhendën zyrtare të panairit, për zgjerimin e bazës së shtëpive botuese dhe titujve të ekspozuar, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet autorëve të rinj dhe atyre të botuar nga botuesit e vegjël, do të konsolidojmë bashkëpunimin me konkursin “Lingua Madre” dhe elementë të tjerë përbërës të jetës së panairit të Torinos; natyrisht, një falënderim i veçantë shkon për organizatat partnere, me të cilat do të vijojmë bashkëpunimin duke u përpjekur të tërheqim në këtë nismë edhe subjekte të tjerë, të interesuar të mbështesin promovimin e vlerave të kulturës sonë në Itali”.
Shqiptari i Italisë