Europa vlerëson e shpërblen Prishtinën e Beogradin për progresin në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve
Bashkimi Europian ka marrë vendimin përfundimtar për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën. Në Samitin e liderëve të BE-së, që u mbajt më 28 qershor në Bruksel, është miratuar formalisht autorizimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Këtë e ka shpallur presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy. Po dje, Këshilli Evropian vendosi të hapë në janarin e ardhshëm bisedimet e anëtarësimit me Serbinë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, kishte thënë se, Prishtinës dhe Beogradit u duhet njohur rezultati i punës që kanë bërë në muajt e fundit për relaksimin e raporteve. “Dua të them në mënyrë eksplicite, se Serbia por edhe Kosova, së fundi kanë treguar gatishmëri dhe energji, por edhe forcë për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të raporteve”, kishte deklaruar Westerwelle. Ndër faktorët për nisjen e negociatave për MSA-në për Kosovën, konsiderohet të ketë qenë edhe zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Këshillit Evropian për nisjen e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi (MSA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në komunikatën për shtyp theksohet se “Vendimi paraqet hapin e parë zyrtar drejt rrugëtimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Në këtë komunikatë vlerësohet se, MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE, po ashtu është forma më e avancuar e asocimit që një vend kandidat potencial mund të këtë me Bashkimin Evropian. “Marrëveshja ofron një kornizë strategjike për zhvillim të përgjithshëm shoqëror politik dhe ekonomik të vendit aspirues për anëtarësim në BE, si dhe i shërben sigurisë për investitorët e huaj”, sipas Qeverisë së Kosovës.
“Për Kosovën ka filluar një fazë e re, ajo e trajtimit nga vendet e BE-së të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe definitivisht nga sot Kosova është futur në binarë të sigurtë edhe në kuptimin politik edhe legal atë të integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian”, wshtw shprehur kryeministri Thaçi.
Gjermania i premton Kosovës mbështetje në rrugën e saj drejt Europës
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar nje bisedë telefonike me ministrin Federal e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, që e ka vlerësuar vendimin si ngjarje shumë e madhe për Kosovën. “Ministri gjerman i ka uruar ministrit Hoxhaj miratimin e autorizimit për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim–Asocimit me Kosovën, nga Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel”, njofton MPJ kosovare.
Westerwelle e ka siguruar ministrin Hoxhaj se Gjermania do të jetë gjithmonë një partner i fuqishëm evropian i Kosovës. Ndërsa Hoxhaj ka vlerësuar: “vendimi i Këshillit Evropian për MSA-në është një hap historik dhe i pakthyeshëm i të ardhmes evropiane të Kosovës. Në këtë aspekt, mbështetja gjermane ka qenë vendimtare”.
Presidenti i KE-së vizitë në Kosovë
Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, do të vizitojë Kosovën më datën 1 korrik. Sipas zyrës për shtyp të Bashkimit Europian në Kosovë, Presidenti i KE-së, Rompuy do të përfshijë në axhendën e kësaj vizite, takimet me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me Kryeministrin Hashim Thaçi si dhe me kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë përshëndet vendimet e KE-së
Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë mirëpret vendimin e Këshillit të Europës për të avancuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë brenda strukturave europiane. “Shtetet e Bashkuara përkrahin fuqishëm integrimin euroatlantik të të dyja shteteve, mënyrë kjo që fuqizon stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, thekson kjo Ambasadë ne komunikaten per shtyp, shpërndarë sot. “Inkurajohemi nga raporti i fundit i Unionit Europian mbi suksesin e negociatave gjatë dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe përgëzojmë liderët e të dyja shteteve në përkushtimin për ta mundësuar këtë të aritur. Ftojmë Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë me përpjekjet me qëllim të mirë, në zbatimin e marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet dhe demonstrojnë përkushtimin e tyre për tu bërë pjesë e Europës paqësore dhe prosperuese”, përfundon deklarata e Ambasades se SHBA-ve në Kosovë.
Shkojnë në 101 shtetet që njohin Kosovën
“Kosova evropiane pret sot një njohje të re nga një shteti i hemisferës perëndimore”, ka paralajmëruar në Twitter mbrëmë, ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, duke shtuar se detajet do të jepen së shpejti, ndërsa, sipas medias, El Salvadori është shteti i 101 që e ka njohur shtetin e Kosovës.
Lajmi është dhënë nga Express, referuar në “një burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
Kryeministri Hashim Thaçi, në seancën e Kuvendit kosovar në 27 qershor, theksonte se “dje Kosova u njoh zyrtarisht nga Egjipti, duke shënuar njohjen formale të 100-të për Kosovën”.