Letër në redaksi
Unë që po ju shkruaj quhem Spiro jetoj në Porto San Giorgio të provincës së Fermo. Dua t’ju tregoj aventurën që kishim me linjën e Tragetit Adria Ferries nga Durrësi për në Ancona të datës 22 gusht 2010 me nisje në orën 19,00. Kur shkuam për të bërë check in na thanë që për arsye teknike do të udhëtonim për në Bari, dhe jo për Ancona siç kishim edhe biletat e prera kohë më parë. Askush nuk na dha një sqarim, por vetëm na bënë të ditur që po na çonin në Bari.
Kërkova të flas me një përgjegjës, por për fat të keq asnjë nuk të jepte një arsye, apo të zgjidhte problemin tonë. Na dhanë vetëm diferencën e parave të biletës (për Bari udhëtimi kushton më pak se për Ancona), kujt më shumë e kujt më pak pa kuptuar pse.
Unë dhe qindra pasagjerët e tjerë kishim të drejtë të shkonim në Ancona e jo në Bari, pasi kështu arrinim më pranë shtëpisë, sepse në Bari askush nuk na dha një qindarkë për të na rimbursuar benzinën dhe autostradën për pjesën Bari-Ancona që na u desh të bëjmë me makinë.
Në Durrës i binin shkurt: “Kur të arrini në Itali ankohuni pranë Adria Ferries”.
U mundova të flas edhe me policinë shqiptare, por për fatin tonë të keq nuk kemi policë që mundohen të zgjidhin hallin e udhëtarëve, por që të kthehen me zë të lartë, duke të ofenduar edhe pse je duke kërkuar të drejtat e tua.
Kontaktova edhe Ambasadën italiane në Tiranë, meqenëse jam edhe shtetas italian. Edhe këtu më kthyen përgjigje që për arsye teknike trageti do të shkonte në Bari e jo në Ancona. Kështu dhe pikë! Por pyetjeve të mia se si ka mundësi që “një traget me probleme teknike shkon në Bari por jo në Ancona?”, apo që “jetojmë a nuk jetojmë në një vend të lirë e demokrat ku të drejtat më mbrohen me ligj?”, më në fund funksionari i Ambasadës m’u përgjigj që ajo nuk ka asgjë në dorë, sepse kjo është “çështje biznesi”. E falënderova për sinqeritetin…
Por a është përgjigje kjo? Qenka çështje biznesi? Po ne pasagjerëve kush na i rimburson dëmet e shkaktuara nga Adria Ferries? E të drejtat tona a nuk qëndrojnë mbi çdo “çështje biznesi”?
Spiro Prebibaj
Lexo edhe: ZMK: “T’u hiqet licenca trageteve që abuzojnë me udhëtarët shqiptarë”
Peripecitë e një udhëtimi me traget