Prej të arrestuarve, 12 janë shqiptarë, anëtarë të një organizate kriminale që trafikonte drogë të sjellë nga Shqipëria drej disa provincave italiane
Romë, 11 korrik 2013 – Arrestimi i djeshëm 12 shqiptarëve, 2 italianëve e një rumuni është rezultati i aksionit të policisë “Rewind” të policisë së Pistoias. Të gjithë personat e arrestuar ishin anëtarë të një organizate kriminale që trafikonte drogë. Nga hetimet ka dalë në dritë se droga sillej nga Shqipëria për “magazinim” e shitje me shumicë në provincat e Padovës, Milanos, Brescias dhe kryesisht në Pistoia, ku mes blerësve kishte edhe shumë të mitur.
Operacioni i policisë është koduar “Rewind”, sepse ishte vazhdim i një hetimi të mëparshëm të nisur në janar të vitit 2011 me arrestimin e disa personave dhe me sekuestrime heroine në Pistoia e Pescia (provinca e Pistoias). Gjatë dy vjetëve hetime, përmes përgjimeve telefonike dhe ambientale janë regjistruar shitje të ndryshme heroine dhe janë identifikuar edhe blerësit.
Në operacionin e 10 korrikut, përveç agjentëve të kuesturës së Pistoias dhe të komisariatit të Pescias janë aktivizuar edhe skuadrat e shpejta të Teramos dhe Brescias dhe janë përdorur qentë antidrogë të policisë së Padovës dhe Firences.