Natën duke gdhirë e diel është qëlluar dhjetë herë me thikë Klevis Kuko. Për karabinierët vrasësi është 21 vjeçari nga Grosseto Mirko Fiorini
Romë, 12 gusht 2013 – Mëngjesin e të dielës në një rrugë në periferi të Grossetos është gjetur i vdekur Klevis Kuko, 28 vjeç nga Tirana, rezident në Toskanë prej katër vjetësh, i papunë (punonte herë pas here në ndërtim) dhe pa precedentë penalë.
Karabinierët e lajmëruar nga një kalimtar e kanë gjetur pa jetë në një pellg me gjak buzë rruge në një zonë industriale pak të frekuentuar darkave, aq më pak të shtunën duke gdhirë e diel. Në kurriz dhe fytin e të riut nja dhjetë goditje thike që i kanë shkaktuar vdekjen nga gjakderdhja. Pak metra nga trupi i Kukos, thika akoma e gjakosur dhe motoçikleta me të cilën ai duhet të ketë shkuar deri aty.
Pasi kanë dëgjuar në kazermë 5 persona, në mbrëmje karabinierët kanë arrestuar 21-vjeçarin nga Grosseto, Mirko Fiorini. Ndaj tij karabinierët kanë mbledhur gjurmë provash që konsiderojnë “të rënda, të sigurta e të përpuqshme”, duke nisur nga prania e tij në vendin e ngjarjes, gjë që i riu ka mohuar fillimisht. Një fakt që ka bindur më tej karabinierët se është ai autor i vrasjes ka qenë një e prerë që Fiorini ka në dorë dhe që ka mjekuar të dielën në spitalin Misericordia. Pas marrjes në pyetje që ka zgjatur disa orë, Mirko Fiorini është mbyllur në burgun në rrugën Saffi të Qytetit.
Për hetuesit, Fiorini duhet të jetë përgjegjësi i vetëm për vdekjen e 28-vjeçarit, por vazhdohet të punohet për të kuptuar shkaqet e agresionit.