in

Star Airways pezullon zyrtarisht fluturimet

ItAli-Star Airways, me një komunikatë të sotmen në sitin e saj nuk u jep përgjigjet e duhura pasagjerëve të lënë në tokë, madje vazhdon të tallet me ta: “Autoritetet shqiptare na kanë hequr të drejtën e fluturimit ndaj kemi pezulluar fluturimet”. Ndërkaq, Zyra për mbrojtjen e konsumatorëve i ka drejtuar sot ministrisë së Transporteve një letër me të cilën i kërkon ngritjen e “një tryeze të rrumbullakët ku të trajtohet në vazhdimësi situata e rëndë e trajtimit të pasagjerëve shqiptarë në linjat e transportit ajror dhe detar si dhe situata kaotike e transportit ndërkombëtar rrugor”

Romë 7 shtator 2010 – Situata e rëndë e trafikut ajror mes Italisë dhe Rinasit e krijuar veçanërisht ditët e fundit për shkak të anulimit e pas të pezullimit nga Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar të fluturimeve të kompanisë ItAli/Star Airways, ka shtyrë zyrën e mbrojtjes së konsumatorëve t’i shkruajë sërish brenda pak ditëve ministrisë së Transporteve duke i kërkuar këtë herë ngritjen e një tryeze të rrumbullakët për zgjidhjen e problemeve që pasagjerët shqiptarë “hasin në transportin ndërkombëtar ajror, detar e tokësor”.
Dhe siç dëshmojnë edhe letrat e telefonatat e arritura në redaksi gjatë këtyre ditëve të fundit, pasagjerëve të ItAli-Star Airways, jo vetëm që iu desh të gjenin e të paguanin sa më shpejt një udhëtim të ri për t’iu kthyer vendeve të punës në Itali apo për të shkuar në atdhe siç e kishin parashikuar, deri më sot nuk kanë arritur të kenë asnjë sqarime nga kompania ajrore, aq më pak ndonjë lloj dëmshpërblimi.

Sot, ndërsa në telefon vazhdon të mos përgjigjet kush, në faqet internet starairways.it lexon komunikatën: “I dashur pasagjer, siç keni mësuar nga lajmet e mediave shqiptare, autoritetet shqiptare kanë pezulluar operimet e ItAli Airlines-it duke na hequr të drejtat e trafikut. Operacionet e transportit të pasagjerëve për rrjedhojë janë të pezulluara. Jemi në kontakt me autoritetet aeronautike shqiptare për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që të kënaqë nevojat e pasagjerëve. Aktualisht kemi pezulluar shitjet dhe anuluar udhëtimet deri të enjten më datë 9 shtator. Programi i ditëve të ardhshme është akoma operativ në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare që do t’ju komunikohet brenda 24 orëve. Përshëndetje. Star Airways”. Por e vërteta është që autoritetet shqiptare i hoqën të drejtën e fluturimit kompanisë për shkak të problemeve që ajo u krijoi pasagjerëve, për shkak se i la ata në tokë pa u dhënë asnjë shpjegim. Heqja e të drejtës së fluturimit është pasojë dhe jo shkak e anulimit të fluturimeve, siç mundohet të justifikohet në komunikatë ItAli. Madje në komunikatë nuk thuhet diçka e rëndësishme për pasagjerët: si dhe kur do të dëmshpërblehen të gjithë ata që mbetën me biletën e Star Airways-it në xhep pa fluturuar me avionët e saj, që humbën ditët e punës, që mbetën aeroporteve për orë e ditë me radhë?

ZMK vlerëson pozitivisht reagimin e autoriteteve shqiptare duke i hequr licencën e fluturimit në Shqipëri kompanisë ajrore ItAli-Star Airways, por në të njëjtën kohë kërkon që të ndiqet kjo çështje për t’u zgjidhur problemin qindra pasagjerëve që nuk arritën të udhëtonin por që as nuk janë dëmshpërblyer “sipas detyrimeve ndërkombëtare të IATA- (shoqata ndërkombëtare e transportit ajror) apo legjislacionit shqiptar”.
Në letrën e sotme ZMK rendit të gjitha problemet e hasura së fundi nga pasagjerët shqiptarë, nga shitja e biletave mbi kapacitetin e tyre në transportin detar duke i detyruar pasagjerët të qëndrojnë në kushte shumë të vështira (gjatë periudhës së gushtit), mosrespektimi i afateve dhe orareve, madje edhe vendmbërritjes, mbajtja e pasagjerëve në porte e aeroporte me orë të tëra pa u dhënë asnjë sqarim, e deri te mashtrimi me çmimet e biletave përmes reklamave mashtruese, moskujdesja për zgjidhjen e problemeve që vetë u shkaktojnë sidomos në raste kur humbin bagazhet, kur krijohen probleme teknike me kompjuterët apo kur neglizhenca e personelit shkakton probleme me pasagjerët në aeroporte. Të gjitha këto “pa respektuar detyrimet e legjislacionit shqiptar dhe ndërkombëtar detyrues për trajtimin e pasagjerëve”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Star Airways anulon fluturimet, asnjë lajmërim për pasagjerët

Integrimi në Rumani, mes të kaluarës dhe modernizmit

Ylli i shuar Star Airways