in

Ministri i Arsimit: “Integrimi i nxënësve të huaj, sfidë e shkollës italiane”

Në bankat e shkollave 736 mijë nxënës të huaj por gjysma ka lindur në Itali. Chaouki (PD): “Problem është formimi i mësuesve”

Romë, 12 shtator 2013 – “Integrimi është një prej sfidave të shkollës italiane dhe unë nuk e shoh si problem por si mundësi”. Ministrja e Arsimit, Maria Chiara Carrozza, e ftuar në emisionin “Uno Mattina”, ka komentuar kështu rastet e prindërve italianë që heqin fëmijët e tyre nga klasat ku ka shumë bij imigrantësh.

“Është e qartë që në krijimin e klasave në territor ka raste që bien në sy e që vihen në dukje. Duhet ekuilibër në formimin e klasave: as me shumë të huaj e as me asnjë”.

Edhe për fjalën “të huaj” duhet të merremi vesh. Në bankat e shkollave ulen 736 mijë nxënës që nuk kanë pasaportë italiane por “50% e tyre kanë lindur në Itali e flasin italisht” ka vënë në dukje ministrja. Pra këta nuk duhet të konsiderohen për kuotën maksimale 30% të të huajve për klasë të përcaktuar me të famshmen qarkore Gelmini.

Chaouki (PD): “Problem është formimi i mësuesve”

Mbi këtë temë ndërhyri sot në Radio24 edhe deputeti Khalid Chaouki i PD-së. “Shkolla jonë do të ketë gjithnjë e më shumë nxënës me origjinë të huaj dhe kjo është e ardhmja e Italisë”. “Fëmijët mësojnë shumë shpejt – ka nënvizuar Chaouki – problem është formimi i mësuesve”

“Ndonjëherë është më e dëmshme se e dobishme të ndash fëmijët që të vegjël, në skollë fillore. U duhet shpjeguar prindërve se nuk duhet t’i tremben pranisë së nxënësve me origjinë jo italiane, përkundrazi me një drejtim inteligjent, këto shkolla mund të jenë të shkëlqyera”.

Rivënia e vizave. Rrezikojnë të ndëshkohen vendet e Ballkanit perëndimor

Në Shqipëri, 2,8 milionë banorë, 3,3 milionë numra aktivë celularësh