in

Rivënia e vizave. Rrezikojnë të ndëshkohen vendet e Ballkanit perëndimor

Rregullorja e liberalizimit të vizave tani përmban edhe një mekanizëm për rivënien e përkohshme të regjimit të vizave në raste emergjence.

Romë, 12 stator 2013 – Parlamenti Evropian ka miratur sot, 12 shtator, një “klauzolë mbrojtjeje”, mekanizëm që do t’i lejojë Komisionit Evropian të pezullojë përkohësisht regjimin e lëvizjes pa viza për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor apo vendeve të tjera nga të cilat vijnë flukse të larta azil-kërkuesish të rremë.

Pikërisht azil-kërkuesit e rremë nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë arsyeja që shtyjnë disa vende anëtare të BE-së të këmbëngulin në miratimin e mekanizmit.

Një pjesë e deputetëve të Parlamentit Evropian e shohin kthimin e përkohshëm të vizave një mënyrë për të mbrojtur qytetarët e BE-së, të tjerë e konsiderojnë marrjen e kësaj mase si një “dënim kolektiv të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, të instrumentalizuar politikisht.

Cecilia Malmstrom, Komisionere Evropiane për Punët e Brendshme, tha se pezullimi i regjimit të lëvizjes pa viza do të kontribuojë në ruajtjen e integritetit të vetë procesit të liberalizimit të vizave. Ky mekanizëm nuk synon të vërë në shënjestër një vend të veçantë tretë apo të rajonit, por zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet që përfitojnë ose do të përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE në të ardhmen,” shtoi ajo.

Raportusja e PE-së për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, u bëri thirrje deputetëve të votojnë kundër këtij propozimi, të cilin ajo e karakterizoi si “të keq për të gjithë Bashkimin Evropian dhe fqinjët e tij“. “Ekziston një rrezik i madh, që këtë mekanizëm të mund ta shfrytëzojnë qeveritë e disa vendeve si mjet për të marrë mbështetje politike kundër të ardhurve nga vendet fqinje. Këtu mendoj në radhë të parë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, për të cilët liberalizimi i vizave ka qenë një hap historik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Me këtë ne rrezikojmë jo vetëm politikën e vizave, por edhe politikën ndaj fqinjëve”.

Gjithsesi, të dhënat e fundit të Frontex-it dëshmojnë se numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në BE po zvogëlohet. Në janar 2013 ishte 44% më i ulët se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Vendet kryesore të destinacionit për azilkërkuesit mbetet Gjermania, e ndjekur nga Suedia, Belgjika, Zvicra dhe Luksemburgu.

 

Nga sot Azem Hajdari prehet në varrezat e dëshmorëve

Ministri i Arsimit: “Integrimi i nxënësve të huaj, sfidë e shkollës italiane”