Një varkë ka marrë flakë dhe është përmbysur përballë Ishullit të Lepujve. Përfundojnë në det rreth 500 persona që ishin në bord. Forcat e ndihmës së shpejtë: “Qindra migrantë në ujë, të mbytur gjithandej”.
Lampedusa, 3 tetor 2013 – Rëndohet çdo minutë bilanci i të mbyturve të tragjedisë së sotme në ujërat përballë ishullit të Lepujve pranë Lampedusës. Numri i viktimave shkon në 94. Mes tyre edhe dy fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Një mjet lundrues me qindra persona ka marrë flakë dhe është përmbysur gjysmë milje larg ishullit të Lepujve, (Isola dei Conigli), përballë Lampedusës. Në të ishin rreth 500 migrantë, nga Eritrea e Somalia.
Mes 150 personave të shpëtuara deri tani ka të paktën 30 fëmijë, ndër të cilët edhe një foshnjë 2muajshe, dhe tre gra shtatzëna. Sipas dëshmive të forcave që po ofrojnë ndihmën e parë, në ujë ka me qindra migrantë dhe të mbytur gjithandej.
Në ujërat ku ka ndodhur tragjedia e sotme janë duket punuar motovedetat e Rojes Bregdetare dhe e financierëve, anije peshkimi dhe turistike që po marrin në bord personat që kanë përfunduar në det. Helikopterë e avionë të forcave të rendit po mbikëqyrin nga lart të gjithë zonën në kërkim të migrantëve apo trupave të viktimave. “Një tmerr i vazhdueshëm” ka quajtur tragjedinë e sotme kryetarja e komunës së Lampedusës, Giusi Nicolini.
“Tragjedi të përbindshme” e quan kryeministri Enrico Letta që lajmëron se sot pasdite qeveria do të dërgojë në ishull ministrin e brendshëm Alfano.
Reagimet: Tragjedia e Lampedusës, masakër e të pafajshmëve