Të thuash Ron Kubati, ndër shkrimtarët e Italisë është si të thuash shkrimtar migrues, që mendon shqip e shkruan italisht, flet për Italinë e Shqipërinë, për të kaluarën e të tashmen me atë gjuhë që po të uleshin e të shkruanin do të shpreheshin ndoshta të gjithë emigrantët e dyzuar shqiptarë në këtë anë të botës.
Kubati është ndër emrat e parë që i mbërritur në Itali si emigrant, dhe diçka më shumë se kaq, përtej të zhvendosurit për arsye ekonomike, siç ndodh rëndom të kuptohet kjo fjalë, duke adoptuar kulturën, duke e ngjizur me të vetën, e duke përkthyer të gjithë këtë konglomerat gjërash në gjuhën e re, të vendit adoptues. Kjo ndodhi si një mekanizëm për të komunikuar me ambientin e ri, një përllogaritje instiktive prej shkrimtari që para se të prodhojë vepra përfytyron marrësin e tyre, dhe kushtëzon më tej kodin, për të përcjellë më mirë mesazhin. Pak i njohur në shqip, aq sa mund të lejonte mosha fare e re në të cilën la Shqipërinë në vitet ’90, letërsia e Kubatit, tërësisht autobiografike, dhe si e tillë e pasur me histori interesante, që përcjellin shumë, ka lindur italisht dhe siç ndodh rëndom me këta lloj shkrimtarësh njihet më shumë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj. Kjo jo detyrimisht për faj të arrogancës tiranase, apo provincializmit që në përgjithësi mbajnë të kopsitur tradicionalist institucionet artistike shqiptare, por sepse kjo lloj letërsie ka të bëjë me Shqipërinë në mënyrë tangjente, edhe pse në to flitet shumë edhe për Shqipërinë. Por flitet për një Shqipëri të autorit, të përkthyer për një marrës që detyrimisht autori e njeh më mirë se ç’mund të njohë marrësin e tanishëm të Tiranës.
Kubati mbërriti në Itali, me një nga anijet e para, duke u personifikuar plotësisht me stereotipin e Shqiptarit të zbarkuar nga deti me ato lloj amebash kërcitëse, siç e përfytyronin në përgjithësi përkufizimin e të qenit shqiptar njeriu i mesëm italian. Dhe natyrisht i takoi të jetonte e të përjetonte po atë itinerar përballjesh me realitetin e ri që pësoi në Itali fenomeni i të qenit shqitpar në përgjithësi. Ndoshta edhe më ashpër duke qenë, se toka adoptuese në rastin e Kubatit, qenë brigjet puljeze që e thënë poetikisht e panë të zbarkonte dhe e strehuan midis tyre, me bujarinë, provincializmin, hapjen mendore, e tradicionalizmin që ka lidhur gjithmonë këto brigje të Adriatikut me ato përballë nga lindja. Ndërsa tani shkrimtari sa italian edhe shqiptar endet në të tjera brigje, shumë më të largëta, që është vështirë të përkufizohen në kaq pak kohë, në Çikagon e përtej Atlantikut. Ndoshta në të ardhmen do ta dëgjojmë këtë emër të flasë në të tjera gjuhë, në të tjera përmasa kozmopolitizmi apo fenomenesh migruese ndërkontinentale.
Letërsia e Kubatit buron nga jeta e jetueshme përditmërisht, dhe prandaj është e lexueshme, e rrjedhshme dhe identifikuese. Janë të shumta spuntot që ajo jep për të sqaruar një sërë fenomenesh që shumëkënd e prekin nga afër në brezin e tij. Libri i parë “Va e non torna”, që ndjell pa dashur një lloj fatalizmi ballkanik, trajton atë gjendje të çuditshme që ishte largimi nga Shqipëria, limbi midis kësaj dhe asaj, dhe kërkimi që do të mbetet emblemë e letërsisë së autorit, të përndryshes dhe tjetërkundit. Një parim ky që pllakosi breza të tërë shqiptarësh gjatë viteve ’90. Pastaj vjen Italia në librat e tjerë Il buio del Mare, dhe M, përditshmëria prej të riu që jeton në Itali, midis komunitetesh alternative, komunitetesh të përkatësisë, dhe të kaluarës.
Me këtë dyzim që përshkon ekzistencialisht, shkrimin dhe gjuhën e Kubatit, të qenit migrues, në kuptimin më pozitiv të shprehjes është më e pakta që mund të thuhet. Ndërsa gjithmonë e më shumë letërsia migruese po strehohet në analet e letërsisë italiane për tu shndërruar në diçka autentike, pasuruese, dhe origjinale. Edhe letërsia e Kubatit ecën kësaj rrjedhe të dyfishtë.
Shqiptari i Italisë: Ju jeni ndër të parët shqiptarë që kanë filluar të shkruajnë italisht, si ka ardhur kjo?
Ron Kubati: Kjo ka ardhur në mënyrë shumë natyrale. Unë kam filluar të shkruaj që shumë i ri. Që në kohën e gjimnazit, botoja në gazetën Drita. Kisha shkruar edhe disa tregime por që nuk arrita t’i botoja në atë kohë. Ndërsa vitet e universitetit ishin vitet e trazirave dhe unë mora pjesë si në lëvizjen e dhjetori ashtu edhe në të shkurtit dhe pastaj u largova nga Shqipëria në mars të ’91. Fillimisht shkruaja poezi, me vone edhe tregime të shkurtra. Kur u largova për në Itali vazhdova të bëj letërsi. Ne atë anë të Adriatikut si shumë shqiptarë u gjenda përpara mosnjohjes së thellë të Shqipërisë nga ana e italianëve. Është absurde ta mendosh, një vend vetëm pak kilometra larg për të cilin nuk dihej pothuaj asgjë. Perceptoja nevojën për të shpjeguar kontekstin e ri ku jetoja, dhe ku jetonim. Vazhdoja të shkruaja poezi, dhe në atë periudhe filloi të më ndodhte diçka e çuditshme. Vargjet filluan të më dilnin disa shqip e disa italisht. Nevoja për të shkruar në një gjuhë tjetër lind kur zëri i brendshëm ndryshon gjuhe. Kjo ndodh kur vëllimi i shkëmbimeve ne gjuhen e dyte dominon gjatë dhe ne mënyrë absolute kohen tende, ditët, studimin, punën, miqësitë, marrëdhëniet.
Ky fenomen është i natyrshëm.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë sforcim, apo për diçka të stisur e të paramenduar. Bëhet fjalë për diçka që vjen nga brenda dhe nuk është një proces i thjeshtë. Të shkruarit në një gjuhë të dytë implikon shumë gjëra të reja. Mund të ndodhë që të shkruarit të mos jetë i zhdërvjellët fillimisht. Por edhe kjo kthehet ne një gjendje ekzistenciale. Kthehet ne një perspektivë të veçantë. Një identitet i ri, i brishtë i shtohet dhe përzihet me identitetin e mëparshëm. Fillon kështu një proces ndryshimi që, nëpërmjet disa fazave, nga njëra anë kërkon te zbusë dhimbjen e largimit dhe të zbeh aspektet me te vështira të së shkuarës, nga ana tjetër mundohet të minimizojë në mënyra të ndryshme distancat nga konteksti i ri. Rezultati optimal pas një periudhe te gjate qëndrimi në një vend tjetër është bilinguizmi (dygjuhësia) dhe përkatësia plurale. Ndërsa rreziku është një lloj alienacioni (tjetërsimi) si ndaj kontekstit të parë, po ashtu edhe ndaj kontekstit të dytë. Rreziku është mospërkatësia (la non appartenenza). është natyrale që emigranti të kërkojë të realizojë rezultatin optimal. Natyrisht kjo forcon lidhjet midis vendeve të ndryshme.
Mendoj që përkatësia plurale dominon eksperiencat e emigranteve, por një dozë e vogël mospërkatësie mbijeton. Ajo mund te krijojë ankthe në momente të vështira por njëkohësisht ushqen një vështrim të ri. Emigrantët kanë mundësinë që të shohin të gjitha kontekstet të paktën me një masë të vogël përjashtësie. Kjo dozë përjashtësie është një privilegj i vyer për çdo lloj perspektive.
Ndoshta është edhe një mënyrë për të eksternalizuar diçka që përndryshe do të ishte e vështirë.
Kjo është një analizë interesante për të cilën kam medituar edhe unë. Por e rëndësishme është që autorët të mos përpiqen të analizojnë që në fillim këto aspekte por thjeshtë të shkruajnë. Nuk duhen krijuar skema teorike, apo sovrastrukturë teorike në strategjitë të paramenduara, duhet ndjekur një fluks i brendshëm i të shkruarit pa menduar e pa stërholluar psetë. Ndoshta ky lloj të shkruari më të mundësinë të arrij distancën e nevojshme për të shkruar gjera me peshe emocionale ë veçantë. Nuk është e lehtë të ballafaqohesh me diktaturën, siç nuk është aspak e lehte te tregosh traumën që emigracioni solli në shoqëritë tona. Mjafton të përmendet fakti qe pamë shtresën e mesme të shoqërisë sonë të mos ishte më aspak e tillë jashtë Shqipërisë. Pamë se si mjekët tanë në më të mirën e rasteve u shndërruan në infermierë, ose përfunduan edhe më keq, të shkarkonin bagazhe në stacionet e trenave, inxhinierët u bënë elektricistë, agronomët u bën bujq e mësueset u bënë badante. Ky është një shok shumë i madh për një shoqëri. Vitet ’90 ishin dramatike. Unë kam filluar të shkruaja kur kisha disa vjet që jetoja në Itali, e njihja gjuhën por jo akoma në mënyrë të përsosur. Ndoshta ishte mënyra më e mirë për të shprehur temat për të cilat doja të shkruaja.
Në këtë fazë të shkrimtarisë suaj e cilësoni veten si shkrimtarë migrues? Si ju duket ky epitet?
Kur shkrova romanin tim të parën nuk mendoja aspak për konceptin e letërsisë migruese. Nuk e imagjinoja se do të kategorizohesha kështu. Unë mendoj se kur shkruan nuk duhet të mendohet për atë që do të thonë më pas kritika apo gazetarët, thjesht duhet ndjekur rrjedha e të shkruarit. Nuk është një fenomen i thjeshtë i parë tani pas gjithë eksperiencës që kam krijuar. Sot e kuptoj të qenët tim si shkrimtar dhe nevojën e kritikës për të më klasifikuar si shkrimtar në ndonjë kategori. Kjo mund të jetë një zgjedhje që na pëlqen apo nuk na pëlqen. Nga pikëpamja e sociologjisë letrare vërehet prirja për të krijuar paradigma, që janë kategori të përkohshme që i shërbejnë kontekstit për të analizuar një fenomen të ri. Ata që propozuan në Itali këtë kategori patën parasysh kozmopolitizmin, duke iu referuar fenomenit migrant writers, në të cilin sot ka emra që vërtetë po dominojnë letërsinë botërore bashkëkohore. Klasifikimi në këtë kategori është një nder shumë i madh që mund të na bëhej. Problemi është perceptimi i kësaj kategorie nga opinioni dhe mënyra se si përcillet kjo kategori nga ana e mediave. Në rastin tonë kjo kategori u shndërrua në një dukuri të brendshme te fenomenit te migracionit, në një letërsi e prodhuar nga emigrantët që po shkruanin kështu dëshmitë e tyre të një jete prej migruesi: situata e tyre e vështirë, emargjinimi, vuajtjet, nostalgjitë etj. Vënia e shenjës së barazisë midis shkrimeve te shkrimtareve që shkruajnë në gjuhë të dytë dhe tematikave që përmenda ndikon natyrisht që të krijohet një atmosferë, që të krijohet një ndjesi që na merr frymën ne shkrimtarëve. Ishte sikur të thoshe që letërsia jonë ishte vetëm nje fenomen sociologjik që deri në një farë mase kishte të bënte me letërsinë. Në kohët e fundit gjërat kanë ndryshuar. Pas disa vitesh që kjo letërsi po mbështetej nga shtëpitë e vogla botuese, më guximtare ndaj fenomeneve te reja, disa shtëpi te mëdha botuese filluan të interesoheshin. Ndërkohë duhet pasur parasysh qe nga njëra anë lexuesit kishin filluar të afroheshin gjithmonë e më shumë me letërsinë e re, dhe nga ana tjetër numri i emigranteve ne Itali ishte rritur në mënyrë të ndjeshme. Kjo po sjell edhe ndryshime te rëndësishme në përbërjen e shoqërisë italiane. Interesimi i shtëpive të mëdha botuese, recensionet e vazhdueshme ne shtyp, pjesëmarrja në çmime letrare të rëndësishme i ka hapur rrugën kanonizimit të kësaj letërsie si një fenomen i brendshëm dhe cilësor i letërsisë italiane. Kjo është një çështje shumë delikate që nuk i shpëton as politikës. Ndryshimi i kanonit letrar pasqyron një situatë të re. Vetëperceptimi i shoqërisë italiane ka evoluar, është më plural, ka një tjetër horizont. Natyrisht kontradiktat nuk mungojnë. Periudhat e rënies se ekonomisë sjellin me vete edhe tensione sociale qe nuk e kursejnë imigracionin. Nuk është e lehte te kuptohet si do te kristalizohen këto aspekte.
Duke iu kthyer letërsisë, mbetet problematik përkufizimi i kësaj lloj letërsie, sepse ne i përkasim kontekstit prej nga vijmë, por edhe Italisë si kontekst që na pranon.
Një pjese e mire e asaj që shkruhet ka të bëjë me tematika të kontestit të origjinës së shkrimtarit, por të shkruara italisht. Këtu shtrohet pyetja nëse është gjuha i vetmi faktor që sjell përkufizimin e një letërsie apo janë edhe tematikat ato që e përcaktojnë se cilës letërsi i përkasin këta autorë. Kjo është e vështirë të thuhet. Nga ana tjetër edhe vetë fakti që shtrohen të tilla pyetje, tregon se nuk është kaq e thjeshtë të ndahen gjërat me thikë. Sepse këta shkrimtarë kontribuojnë patjetër në letërsinë e gjuhës në të cilën shkruajnë por kontribuojnë edhe në letërsitë e vendeve të tyre të origjinës, pra janë pjesë njëkohësisht pasuruese dhe problematike e të dyjave. Ajo që duket e sigurte është zgjerimi i horizontit letrar. Kjo lloj letërsie mbart një shije postnacionale.
Ju jeni emigrant historik në Itali, si mendoni ka ndryshuar imazhi i Shqiptarëve këto vitet e fundit?
Ka ndryshuar deri në një farë pike. Fillimisht, u harruan shqiptarët kur ndodhën problemet e konfliktit me lindjen e Mesme. Imigracioni që vinte nga këto vende tërhoqi më shumë vëmendjen. Kështu filloi zbehja e problemit shqiptar. Pastaj erdhi hyrja e Rumanisë në Evropë, emigracioni i së cilës filloi të vuajë të njëjtat probleme që kemi përjetuar ne në vitet ’90. Ato që po përjetojnë rumunët sot mund të krahasohen me ato që kemi kaluar në vitet ’90. Ndërkohë nga Shqipëria emigracioni është dobësuar sepse dhe vetë Shqipëria ka ndryshuar. Nuk do të thotë se shtresat e mesme shqiptarë është e pasur por është fakt që është më e pasur se më parë. Sot mund t’ia lejojnë vetes të dërgojnë fëmijët me studime jashtë shtetit, mjafton të shihet numri i madh i studentëve shqiptarë në Itali. Kjo ka përmirësuar akoma më tepër cilësinë e emigracionit done duke ndryshuar pozitivisht edhe perceptimin e tij.
Ju në fund të viteve ’80 ishit student në Tiranë. Si jetohej në atë periudhë në Shqipëri?
Nga ana ekonomike ishte një periudhë katastrofike. Shqipëria në atë kohë ishte e krahasueshme me vendet afrikane. Gjithçka ishte e racionuar, edhe numri i vitaminave, i proteinave etj. Nga ana politike, komunizmi kishte bërë një gafë strukturale, kishte investuar në formimin e një brezi të ri, shumë më të arsimuar e të kualifikuar se sa brezat e mëparshme. Ky brez kishte mundësinë të shihte edhe jashtë përmasave të diktaturës. Kjo bënte që ky brez të kishte te tjera kërkesa kulturore, të tjera prirje, dhe nga ana ideologjike. Totalitarizmi mundohej të krijonte një realitet të mbyllur monolitik por kur horizonti hapej fillon të shikosh një realitet të ndryshëm. Pra pavarësisht situatës politike, ishte brenda brezit të ri të shqiptarëve të asaj kohe, fryma që e dallonte nga brezat paraardhës dhe që bënte që ky brez të mos ishte më dakord me të. Diktatura në atë kohë ishte dobësuar shumë prej vitesh. Ajo kishte formuar një borgjezi të vetën që në atë pikë kishin arritur deri aty sa u interesonte vetëm mirëqenia e vet ekonomike dhe mbajtja e pushtetit. Ndërsa pjesa tjetër e vendit ishte në varfëri të plotë. Kështu një pjesë e mirë e atyre që filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre kundrejt diktaturës nuk po e bënin këtë nisur nga krimet e diktaturës por me tepër të nisur nga gjendja e tmerrshme ekonomike në të cilin ishte lënë të dergjej Shqipëria. Në rininë shqiptare lindi një urrejtje shumë e fortë, ku shkaqe ekonomike pra mbizotëronin mbi ndërgjegjen politike të rinisë. Ndërgjegjja politike për një pjesë të mirë të njerëzve nuk ishte ende e formuar mjaftueshëm.
Si po trajtohet komunizmi ne Shqipëri si periudhë historike sipas mendimit tuaj?
Analiza kulturore e atyre 50 vjetëve është një analizë që është duke u bërë kohët e fundit por nganjëherë jo me objektivitetin e duhur. Ka një lloj konfuzioni edhe në radhët e emigrantëve. Vështirësitë e emigracionit dhe kritikat ndaj liberizmit pavarësisht ne se janë objektive apo jo mund te çojne padashur ne mungesën e objektivitetit për sa i takon viteve te shkuara dhe ne idealizimin e tyre. Ende nuk është arritur gjakftohtësia e duhur për të analizuar vitet e diktaturës. Jo detyrimisht dënimi i diktaturës cenon krenarinë e të përkiturit popullit tone. Janë gjëra që duhen ndarë. Por unë jam krenar për sa ka arritur emigracioni shqiptar i cili edhe pse u ndodh në kushte tejet të vështira, pas shumë viteve po arrin të tregojë që është një brez i kualifikuar dhe një emigracion shume ambicioz.
Ndërsa komunizmi ishte duke rënë, ju në Shqipëri si e perceptonit në atë periudhë?
Që me vdekjen e Enver Hoxhës, ne prisnim që diçka të ndryshonte në Shqipëri. Ndoshta jo rënien e plotë e regjimit (ajo ishte ëndërr) por te paktën një zbutje të tij. Vdekja e Hoxhës dhe ardhja e Alias na dha disa shpresa në këtë drejtim. Edhe pse pastaj u pa se shpresat tona ishin te pajustifikuara. Në fundin e viteve ’80 u pa një farë hapjeje. Pati një lloj tendence shprese edhe pse e shfaqu në mënyrë të ngathët. Por e dinin shumë mirë që historia kishte ndryshuar. Në pritëm me shumë ankth ndryshimet, por tek ne ato erdhën me shkallëzim. Në janar të ’90 qarkullonin fjalë se do të bëhej një protestë në sheshin Skënderbe. Dhe ne dolëm të gjithë të paorganizuar duke thënë po dal xhiro, nuk përzihem, të shohim një herë. Pati disa arrestime. Pastaj filluan të dalin lajme të çuditshme, diçka kishte ndodhur në Shkodër, në Kavajë, por asnjëherë nuk dihej mirë nëse gjërat ndodhnin vërtetë apo jo. Pastaj pamë disa lajme në televizionin italian për disa trazira në Shqipëri. Kjo pastaj përgënjeshtrohej. Në verën e atij viti ndodhi e ashtuquajtura “krizë e ambasadave”. Pati një lloj heshtjeje në fillim. Pastaj pas ambasadave në sheshin Skënderbeu, partia komuniste solli shumë veta nga fshatrat për të bërë një demonstratë në solidaritet me lidhjen e komunistëve shqiptarë. Unë me disa shokë u futëm në mes të tyre, për ta ndjekur më nga afër, me shpresën se kjo lëvizje do të fishkëllehej, mirëpo nuk ndodhi kështu, Ky qe një zhgënjim shumë i fortë. Në atë kohë dëgjonim shumë Zërin e Amerikës, kishim disa radio Iliria, të vetmet me bateri që kishim dh kur në plazh nuk mbetje më askush, shkonim me radio për të kapur frekuencat e radiove të huaja për tu informuar ç’po ndodhte me ne. Shpresonim që gjërat të ndryshonin. Pastaj dalëngadalë pjesëtarë të liderëve të ardhshëm të Shqipërisë filluan të jepnin intervista. Një sinjal na u duk ikja e Kadaresë në Francë. Edhe ajo dha një shtysë tjetër. Në mënyrë të çuditshme vetë televizioni shtetëror shqiptar dha lajmin me jehonë. Kjo qe diçka e re. Largohej një personalitet me peshë në kulturën tonë. Kjo ndodhi vetëm pak muaj para lëvizjes së dhjetorit. Në verë Tirana ishte e qetë. Thuhej se do të ndodhte diçka, po po pritej që të ktheheshin studentët, sepse studentët janë gjithmonë ata që sjellin shtysa për ndryshime. Dhe ashtu ndodhi në dhjetor. Pastaj kur studentët protestonin, që në protestën e parë, shpesh edhe qytetarë të Tiranës bashkoheshin me ne. Në protestat e para policia reagonte shumë dhimbshëm. Një herë madje mbaj mend që na u desh të fshiheshim në apartamentet e pallateve që ndeshëm rrugës për të mos u kapur e rrahur nga policia.
Por pastaj ju u larguat nga Shqipëria si ju edhe shumë studentë të dhjetorit. Dhe shumë pak prej tyre janë të integruar sot në politikën shqiptare.
Në romanin e parë e kam përshkruar këtë faze. Edhe unë e kam menduar gjatë këtë çështje. Gjatë protestave tona, para se të ndodhte greva e urisë së shkurtit, ndodhte që paradite protestonim në sheshin e qytezës studentore, apo programonim se si do të protestonim, ndërsa hapej fjala se në darkë do të vinin tragetet në Durrës dhe kishte mundësi që të shkonim jashtë shteti me ta. Pa e artikuluar mirë këtë mendim, ishim shpesh po disa nga ne që protestonim në mëngjes, ndërsa në mbrëmje kërkonim të iknim nga Shqipëria. Ishte shumë e përhapur kjo tendencë e dyfishtë. Nga ana emotive barazvlerësonim këto dy gjëra. Dhe unë duke e menduar më pas e përkufizova këtë me kategoritë “altrimenti e altrove”, “përndryshe dhe tjetërkund”. Kjo dëshirë për tjetërkund ishte e barabartë me dëshirën për altrimenti. Madje ndjenja e tjetërkund ishte edhe më e fortë se përndryshja, sepse e para ishte më e thjeshtë më e arritshme ndërsa protesta do të kishte qenë një proces shumë i gjatë që nuk dihej kur do të përfundonte dhe ku do të na çonte. Ishte komike për disa nga ne të dëgjoje kur flisje midis miqsh, që secili kishte idetë e veta, për itineraret që kishte ndërmend të ndiqte për të ikur nga Shqipëria. Pastaj mendonim si të kombinonim këtë me grevën e urisë (natyrisht jo të gjithë studentet mendonin te largoheshin). Dikush pyeste “e mbarojmë dot grevën për 3-4 ditë se pastaj kam avionin për jashtë shtetit”. E gjitha kjo ndodhte në mes të frikës nga policia që mund të na rrethonte. Po të mos kishim pasur të afërm, shokë, që do të kishin mbushur sheshin është vështirë të imagjinosh si do kishte përfunduar puna.
Në një farë mënyre ky mendim monolitik sipas të cilit Shqipëria ishte vendi më i mirë në botë ku mund të jetohej u përmbys. Sistemi kërkonte të bindte njerëzit se Shqipëria ishte parajsa de jashtë ishte ferri kapitalist. Ndërsa në vitet e fundit të komunizmit gjithçka kishte ndryshuar, dhe njerëzit besonin se ferri ishte brenda dhe kudo jashtë Shqipërisë ishte parajsa. Madje kishte nga ata që shpesh hynë në ambasada pa e parë se çfarë ambasadash ishin. Disa hynin me ndërgjegje nëpër ambasadat franceze, gjermane, apo italiane por disa të tjerë hynin në ambasadën kubane. Pra imagjinata ishte shumë ekstreme, brenda shtetit ishte ferri, kurse jashtë kudo ishte parajsa. Kjo pastaj u shndërrua në një ndërgjegje kulturore të përhapur që kulminoi me largimin masiv me anije. Ishin vite kur të gjithë kërkonin të iknin. Ishte rasti i parë pas shumë vitesh që na u dha për tu hapur me botën dhe ne vendosëm të ikim. Natyrisht në këtë mënyre iku edhe një pjesë e rinisë që do të kishte dhënë një kontribut shumë të vlefshëm në Shqipëri.
Marjola Rukaj
Shqiptari i Italisë i muajit mars 2009