in

Raca e dhunës

Më mirë të shkarkohen të gjitha fajet mbi rrufepritësen “i huaji”. Sa më shumë është fajtor “ai”, aq më të pafajshëm jemi të gjithë ne italianët

Nga Sergio Talamo

Ndihmësja shtëpiake është filipinase, shitësi i rrugës afrikan, luleshitësi pakistanez, tezgaxhiu kinez, përdhunuesi… rumun. Është psikoza e një epoke të sëmurë, kur dhuna më e urryer bëhet “etnike”; kur banda që shkatërron jetën e një vajze nuk gjykohet për atë çka ka bërë, por për vendin prej nga vjen.

Të dhënat tregojnë tjetër gjë. Portali internet voce.info nxjerr në dritë që prej vitit 1990 deri më 2003-shin numri i lejeve të qëndrimit është pesëfishuar ndërsa kriminaliteti ka rënë paksa; dhe shton që e njëjta gjë vlen edhe për pjesën “e fshehur”, me një fjalë, edhe për të parregulltit dhe krimet e padenoncuara. Po sa vlerë kanë shifrat, kur një vend i tërë dëshiron të pastrojë ndërgjegjen?

Ne, turmë e egërsuar që dëshiron të harrojë. Ne nuk duam të shohim që specialistët e përdhunimeve, të droguar e të dehur, janë të rinj shpesh borgjezë e të kamur. E që në mëse tre të katërtat e rasteve të dhunës seksuale përdhunuesi ka “çelësat e shtëpisë”. Dhe që qytetet tona duken sikur janë projektuar posaçërisht për të ngritur pusi, sepse janë të errëta e plot periferi të lëna në degradim, sepse në diskoteka droga qarkullon si të ishte ujë mineral, sepse në darkë metrotë mbyllin dhe autobusët bëhen gjithnjë e më të rrallë, sepse festat e të rinjve janë kthyer në territore të pakontrollueshme ku gjithçka mund të ndodhë.Ne nuk mund ta shohim këtë realitet sepse vë në dyshim bindje të patundshme: familja e shenjtë e mbrojtëse, bijtë tanë vajza e djem të mbarë. Ndaj është shumë më e lehtë t’u hedhim fajet rrufepritëses “i huaji”. Sa më shumë është fajtor “ai”, aq më të pafajshëm jemi të gjithë ne italianët.

Mbeten shumë pikëpyetje pezull, të shpërfillura. Që ligji ynë konsideron rrethanë lehtësuese kryerjen e krimeve nën efektin e drogës, mos është faji i rumunëve? Që gjykatësve tanë u duket normale të lënë në shtëpi dikë që sapo ka përdhunuar një grua, mos është faji i rumunëve? A mos është faji i rumunëve edhe që një mama nga Nettuno thotë që i biri gjashtëmbëdhjetë vjeçar fajtor për vënien e zjarrit një të pastrehu është djalë me zemër të mirë, i marrë më qafë nga më të mëdhenjtë?

Asnjë nuk rrethon makinën e policisë, asnjë nuk ka etje për linçim kur arresti shtëpiak i jepet një “djali të mbarë” italian që ka përdhunuar për bast, që i ka vënë flakën një njeriu për të lozur. Asnjë nuk i kërkon llogari klasës politike për një ligj sipas të cilit përdhunimi vlen më pak se tre vjet burg, pra kush e kryen merr  lirinë me kusht; e për një tjetër ligj që bën të pamundur paraburgimin kur krimi për të cilin akuzohet i pandehuri parashikon lirimin me kusht.

Asnjë nuk i kërkon llogari drejtësisë italiane për sytë e mbyllur para dhunës së ushtruar mbi gratë islamike, nga burra që praktikojnë në Itali shariah-n më të egër që nuk mund ta praktikojnë as në vendet prej nga vijnë. E asnjë nuk guxon të fusë hundët ne familje, ku dhuna është më e pakapshme dhe më tragjike, sepse në këtë rast dikush abuzon me një person që i ka dhuruar besimin dhe jetën e vet, sepse shpesh dhuna e abuzimi bëhen mbi të mitur, sepse jo rrallëherë gruas ia mbyllin gojën ndjenjat si frika, turpi, ndjenja e fajit që i shtohet sfilitjes së trupit.

“U shpjegoni fëmijëve se ç’pasoja të rënda mund të kenë veprime të caktuara”, thotë Giovanni Bollea. Por, para së gjithash, u duhet shpjeguar nënave e baballarëve. Edhe që “veprime të caktuara” nuk kanë as ngjyrë e as racë.

 

Kosova pas një viti, në sytë e një ambasadori

Ron Kubati, shkrimtari migrues