Në shkollën Besta të Bolonjës krijohet një klasë “urë” për të sapoardhurit që nuk njohin italishten. Këshilli i shkollës: “Kështu ndahen nxënësit”
Romë, 5 nëntor 2013 – Klasa “ura”, ku të futen bijtë e imigrantëve deri sa të mësojnë italishten. Lega e Veriut e kërkon prej kohësh, në Bolonjë është tashmë realitet.
Në shkollën tetëvjeçare Besta në lagjen San Donato, njëra prej më multietnikeve të qytetit, këtë vit është ngritur një klasë me 22 nxënës të gjithë të lindur jashtë Italisë. Kanë mbërritur në Bolonjë verën e shkuar, falë bashkimit familjar, dhe nuk flasin italisht. Ka vendosur ngritjen e këssaj klase drejtori i shkollës Emilio Porcaro që ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij profesionale duke u mësuar italishten imigrantëve.
Ideja është të mbajë fëmijët në klasën e 1° A eksperimentale” deri kur të jenë të aftë të futen pa vështirësi në klasat që ndjekin bashkëmoshatarët e tyre italianë, gjë që tashmë e kanë bërë dy prej tyre. Porcaro nuk pranon të flitet për klasa geto: “Kemi krijuar këtë klasë për të integruar. Fëmijët ndjekin disa lëndë me nxënësit e klasave të tjera, hanë së bashku e marrin pjesë në veprimtaritë shkollore me të tjerët”, shpjegon sot për Corriere della Sera.
Zgjedhja e drejtorit, e miratuar nga Kolegji i Mësuesve, nuk u ka pëlqyer përfaqësuesve të të prindërve në Këshillin e Shkollës, që në një letër vënë në dukje: “Veçimi i të huajve nga italianët ka si rezultat të menjëhershëm ndarjen. Nxënësit e huaj nuk do të flasin në klasë me të tjerë italianë e do të kenë si pikë referimi vetëm mësuesin, duke mos pasur asnjë mundësi shkollimi mes personash të barabartë”.
Rasti kapërceu menjëherë oborrin e shkollës Besta. Lega e Veriut sheh në këtë shkollë zbatimin e një propozimi të saj të hershëm. Flc-Cgil flet për “projekt integrimi që duket se ka anët e veta pozitive”. Sandra Zampa, deputete e PD-së e nënkryetare e komisionit për Fëmijët e adoleshentët flet për “absurditet” dhe shton që “ata fëmijë duhet të reintegrohen ssa më parë në klasat përkatëse”, këshilltari komunal i Sel-it Mirko Pieralisi flet për “prapambetje pedagogjike e kulturore”.