Jetoj në Itali prej vitesh dhe së fundi kam marrë autorizimin për bashkimin familjar për tim bir. Është gjashtë vjeç dhe ka shumë mundësi të mbërrijë nga fundi i vitit. A mund ta regjistroj në shkollë?
Po, yt bir mund të ndjekë e të regjistrohet në shkollën fillore sapo të mbërrijë. Regjistrimi i të miturve të huaj në shkollat italiane të çdo niveli mund të kërkohet në çdo periudhë të vitit.
Kërkesën duhet t’ia paraqesësh sekretarisë së shkollës që ke zgjedhur, duhet të përpilosh modulet që do të të jepen. Do të të kërkohen dokumentet e shkollës që ka ndjekur në vendlindje të përkthyera në gjuhën italiane. Nëse nuk i ke këto dokumente duhet të deklarosh nën përgjegjësinë tënde se ç’klasë ndiqte yt bir në atdhe para se të vinte në Itali.
Duhet të paraqesësh edhe certifikatën e vaksinave që ka bërë e nëse këtë nuk e ke duhet t’i drejtohesh Asl-it të komunës së rezidencës.
Zakonisht fëmijët e huaj regjistrohen në klasën që i takon moshës që ka, sidoqoftë kolegji i mësuesve mund të vendosë ta regjistrojë në një tjetër klasë duke mbajtur parasysh programin shkollor që ka ndjekur në vendlindje apo nivelin e dijeve të fëmijës.
Shkollat, për t’u lehtësuar të huajve nxënien dhe ushtrimin e gjuhës italiane organizojnë edhe kurse intensive të gjuhës sipas projekteve specifike.
Në çastin e regjistrimit të fëmijës në shkollë duhet të zgjedhësh edhe orarin, për shembull, nëse do që fëmija të kalojë aty të gjithë ditën apo të ndjekë vetëm orët e mësimit, dhe nëse dëshiron që yt bir të ndjekë orën e fesë katolike. Nëse vendos që të mos e ndjekë orën e fesë do të të jepet mundësia të zgjedhësh mes alternativave të tjera që do të të ofrohen nga shkolla.
Mbaj parasysh që të miturve të huaj u garantohet e drejta e shkollimit pavarësisht nga fakti nëse prindërit kanë apo jo lejen e qëndrimit, dhe duhet të respektojnë shkollimin e detyruar në mënyrat dhe format e parashikuara me ligj për shtetasit italianë.
Avv. Mariangela Lioy
Lexo edhe: Fillon shkolla