in

Përcillet për në banesën e fundit Sokol Olldashi

Sot nga 11:30 në selinë e Kuvendit u zhvilluan homazhe në nderim të deputetit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e djeshme në një aksident të rëndë automobilistik. Pas homazheve, rreth orës 14.50 Sokol Olldashi u përcoll në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës në kryeqytet.
Të afërm, miq, personalitete të larta të politikës dhe artit, kolegë dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në ceremoninë mortore për t’i dhanë lamtumirën e fundit deputetit.

Sokol Olldashi u nda dje nga jeta si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë kalimit në një kthesë të fortë në rrugën Tiranë-Elbasan. Sipas të dhënave të para mendohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia dhe moti i keq e me lagështirë.

Olldashi, 41 vjeç, ishte një ndër politikanët më të spikatur të së djathtës. Në fillim të viteve 2000 ai i ngjiti shpejt shkallët e karrierës politike, ndërsa më parë kishte ushtruar profesionin e gazetarit. Në dy qeveritë e ish-kryeministrit Berisha, ai ka mbajtir postin e ministrit të Brendshëm dhe atij të Punëve Publike e Transportit.

Pas dorëheqjes së  Sali Berisha nga drejtimi i Partisë Demokratike ai u përfshi në garën për kreun e ri të PD-së përballë Lulzim Bashës.

Në hollin e Kuvendit të Shqipërisë nisën rreth orës 11.30 homazhet në nderim të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili ndërroi jetë të mërkurën në mbrëmje si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik në aksin Tiranë-Elbasan. Në homazhe po marrin pjesë familjarë e të afërm të të ndjerit, politikanë, deputetë, diplomatë të huaj, qytetarë etj.

Rama: “U prehtë në paqe!”

Pas homazheve para trupit të pajetë të Sokol Olldashit, kryeministri as që u ndal për mediat. Mesazhin ngushëllues për vdekjen e deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashit, atij që kish pasur një herë si kundërshtar në betejën për bashkinë e Tiranës, Edi Rama e dha pak më parë në Facebook. Duke theksuar se edhe pse nuk e kish takuar asnjëherë, çmonte shumë “hazërxhevapin prej mistreci brilant” dhe se “një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht” e ka mbërthyer që mbrëmë:

“S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtëpërdrejtë si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën.

Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi.

Në një ditë s’i kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë”.

Miq e të afërm shprehin dhimbjen e tyre për humbjen e Sokol Olldashit

Miqtë e deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e mikut dhe politikanit. Kështu nëpërmjet rrjeteve sociale, medias, etj, miqtë kanë shkruar përcjellë dhimbjet e tyre.

Ne oren 13:44 homazhe kane bere kreu i shtetit, Bujar Nishani i shoqeruar nga e shoqja, Odeta Nishani. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shprehu ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes për humbjen e papritur të personalitetit të jetës shqiptare, deputetit Sokol Olldashi: “Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë. Do e sjellim ndër mend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan”, thekson Presidenti Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Familja e tij, thekson Nishani, “të jetë e sigurt se do ta ndjejë përherë ngrohtësinë jo vetëm të atyre që e kanë njohur nga afër, gjurma e jetës së tij nuk do të shuhet kurrë dhe në këtë bindje le të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të rëndë”.

Edi Rama i shprehu sot ngushëllimet familjes së deputetit Sokol Olldashi, i cili  humbi jetën tragjikisht një natë më parë, në një aksident automobilistik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, zhvilloi homazhe në hollin e Kuvendit të Shqipërisë, rreth orës 12.00, sapo është kthyer nga Anglia.

Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i dedikoi sot një editorial deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili ndërroi jetë të mërkurën në mbrëmje në një aksident tragjik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Në editorialin me titull “Dhembja që na bën bashkë”, Meta thekson se “sot, në këtë ditë të trishtë, ka dhembje pa kufi për Sokolin, një dhembje që ka kaluar dhe kufinjtë e Shqipërisë e që ka trishtuar edhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo ku jetojnë e punojnë bashkëkombasit tanë. Politika ishte pasioni dhe talenti i tij i madh. Politika ishte rruga të cilës ju dha me pasionin që kishte për poezinë. Me pasionin për ta kthyer politikën në mjetin normal që do të sillte ndryshim; për ta bërë edhe vetë Shqipërinë një vend normal”.

Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano, zhvilloi homazhe në nderim të deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi.  Nano shprehu ngushëllimet e tij për familjen, “Fatkeqësia ishte se iku pa radhë, kjo nuk ishte radha e tij. Ai do t`i mungojë familjes, politikës dhe të ardhmes”, tha Nano.

Oerd Bylykbashi: Koli, do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkelqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitaren tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e pune.
Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit “Naim Frasheri”, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studenteve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!    

Isa Mustafa: Të nderuar qytetarë, me dhëmbje të madhe mora lajmin për vdekjen tragjike të deputetit të PD, Sokol Olldashi. Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit. Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e ciIa kapërcen kufijt e shtetit shqiptar. Sokoli ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e tij.

Ditmir Bushati: Trishtim për humbjen e kolegut dhe një prej politikaneve më aktivë, Sokol Olldashi! Ngushëllime nënës, bashkëshortes dhe dy djemve të tij!

Enno Bozdo: Në nderim të Sokolit të dashur…..

Petro Koçi: U prefsh ne paqe Sokol! Ke qenë një kundërshtar politik i fortë, me personalitet, dinjitoz, njerëzor dhe gjithmonë i mirëpërcaktuar!

Mesila Doda: Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!

Genc Pollo: Sokol Olldashi u nda tragjikisht nga jeta. Nga një jetë e pasur e intensive. Le të prehet në paqe. Ngushëllime Kela, Kozeta. Bashkë me të bijtë e të afërmit të rroni e ta kujtoni.

Dash Peza: Nuk mund ta fsheh se jam thellësisht i tronditur nga vdekja tragjike e Sokol Olldashit.I shpreh ngushellimet më të sinqerta familjes për këtë humbje kaq të rëndë dhe të papritur. Sokol Olldashi ishte këmbëngulës në luftën e tij për çështjet që ai besonte dhe kjo vendosmeri i dha atij respekt.

Erjon Brace: U prehte ne paqe Sokol Olldashi!

Gerti Bogdani: Nje lajm i tmerrshem dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e nates kur vjen, prishi qetesine e familjes, miqve, atyre qe e kane njohur apo jo!!! Nje humbje jashtezakonisht e rende per familjen, miqte, shoqerine dhe politiken shqiptare!!!

Mimi Kodheli: Me hidherim ne zemer dhe trazim ne shpirt sapo mesoj per humbjen e jetes se kolegut Olldashi. Do te kisha dashur shume te ishte e enjtja e nje jave më parë, kur ne kafen e Parlamentit debatonim te dy per çështjen e asaj dite. Per fat te keq ti nuk do te jesh neser ne parlament si çdo te enjte. Pushofsh ne paqe Sokol!

Ambasadori Ettore Sequi, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një mesazh për vdekjen aksidentale të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, thekson: “do doja t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, në emrin tim dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë familjes së deputetit Sokol Olldashi pas humbjes së tij tragjike natën që shkoi. Mendimi kolegëve tanë në këto çaste është për familjen e tij, miqtë e tij dhe kolegët e tij parlamentarë në këtë moment të trishtuar”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas homazheve thotë për mediat “Sokol Olldashi jeton dhe do të jetojë midis nesh me veprën e tij, trashëgiminë e tij, me gjithçka ai bëri për PD-së, për vendin dhe kombin e tij”.
Në një prononcim për shtypin pas homazheve të zhvilluara në hollin e Kuvendit të Shqipërisë në nderim të deputetit Sokol Olldashi, Berisha theksoi se “një nga zërat më të fuqishëm qeveritarë, më eficentë, një personalitet poliedrik , i cili është shënuar në memorien e kohës me vepra të pavdekshme, u nda nga jeta. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve”

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, gjatë homazheve të zhvilluara në nderim të deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi, tha se “kjo është një humbje e madhe për opozitën shqiptare dhe për politikën shqiptare”. Ruçi u shpreh se “pavarësisht se  jemi kundërshtarë politikë,  ne me dhimbje jemi këtu të gjithë si grup parlamentar për të nderuar dhe respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar, vëllain, mikun, kolegun tonë të dashur Sokol Olldashin”.

Ambasadori i Sheteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i shprehu të enjten ngushëllimet familjes së deputetit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën një natë më parë në një aksident në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.
“U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qënë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte Shqipërinë dhe dëshironte ta bënte Shqipërinë një vend më të mirë, për të gjithë”, shkruan ambasadori Arvizu në një deklaratë zyrtare.
Kur e takova për drekë disa javë më parë, vijon mesazhin ambasadori Arvizu, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. “Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë që do e prisja me kënaqësi takimin me të, në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij, në këtë kohë të vështirë”, shkruan Arvizu.

Thaçi: Sokol Olldashi, njeri e politikan i çmuar

Me rastin e vdekjes së deputetit Sokol Olldashi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëllon familjen Olldashi dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. 

Në telegramin e ngushëllimit thuhet se, “me dhembje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sokol Olldashi”.

“Vdekja e deputetit Olldashi, është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri”, shprehet Thaçi.

“Z. Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

Sali Berisha: I dashur Sokol …

Ish-kryeministri Sali Berisha ndan edhe nw kwtw rast me miqtë e tij në rrjetin social ” facebook” dhimbjen për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi.

“I dashur Sokol, lajmi i zi për aksidentin tragjik përmbyti me dhimbje, pikëllim dhe zi të madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkëshortes, djemëve, prinderve, miqve, të afërmve tuaj por dhe të demokratëve dhe demokratëve dhe mbarë shqiptarëve. I rritur në kampet e punës të rregjimit barbar, si enfant prodigë i vuajtjes, sakrificës, kurajos dhe qëndresës njerëzore, Sokol Olldashi me guximin, mençurinë, shpirtin e tij të pamposhtur, do të hynte në lëvizjen demokratike të viteve 90 dhe do të shkëlqente si njeri prej yjeve më të shëndritëshme të saj. Bashkëshortja, djemtë, prindërit, miqtë, të afërmit e tu humbën mbrëmë njeriun e tyre më të dashur, Partia Demokratike, demokratet dhe mbarë shqiptarët humbën njerin prej drejtuesve, personaliteteve më të vendosur dhe më të shquar të këtyre dy dekadave, humbën njërin prej politikanëve më të talentuar, qeveritarëve tanë më të aftë. 

Parlamenti shqiptar humbi oratorin me logjikë të kristaltë, ligjbërësin e zotë, avokatin e zjarrtë të qytetarëve dhe interesit të tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do të kenë më yllin e tyre të papërsëritshëm, kurse unë nuk do të kem më jo vetëm një mik të çmuar, por dhe njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të guximshëm të jetës sime politike.

I dashur Sokol, sot dhimbja në zemrat tona është më rëndë se guri, zija më e zezë se nata, më e zezë se ajo kthesa që të zuri pritë dhe në vitin e dytë të rinisë së burrit të çoi tinëzisht miku ynë i dashur në banesën e përjetësisë. Ora që unë po shkruaj këto pak fjalë ka kaluar katër e mëngjesit dhe të them të vërtetën sytë në ndonjë çast dhe më njomën dhe lëpehen dhe në ndonjë fjalë gërmat edhe më zbehen, por unë të siguroj se këto janë vetëm çaste. Ne nuk mund vajtojmë dhe kurrë nuk do të vajtojmë për ty. Ti je dhe do mbetesh përjetë i gjallë midis nesh. Ti jeton në krenarinë, në frymëzimin, vizionin, guximin tonë. Ti jeton në zemrat e të rinjve që ngrije peshë, në shkrimet e tua perla të publicistikës sonë, në fjalimet, debatet, batutat e tua të papërsëritshme, jeton në vepra që kanë ndryshuar këtë vend përgjithmonë. 

Miku ynë, ne me kitarën tënde, tingujt e saj melodioze gjithnjë do këndojmë dhe festojme së bashku ty, veprën tuaj të pavdekshme, veprën tonë. Po Koli, prehu i qetë me dëshirën e Zotit në paqen e merituar. Lamtumirë mik i dashur, lamtumirë Sokol, ti përjet je midis nesh. I lehtë qoftë mbi ty, dheu i tokës sonë!

Shpallet dita e Zisë kombëtare në nder të të ndjerit Sokol Olldashi

Këshilli i Ministrave ka shpallur zinë kombëtare për ditën e sotme.

Vendimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të  pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.

3. Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

PD: Humbëm zërin e fortë dhe qytetar, mikun e betejave për një shoqëri të lirë e të zhvilluar

Partia Demokratike ka lëshuar një deklaratë per mediat pas ngjarjes se rëndë, ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, ku si pasojë e aksidentit tragjik rrugor, humbi jetën deputeti i Partisë Demokrtike Sokol Olldashi.

Deklarata e plotë e Partisë Demokratike

Mbrëmë humbi jetën në një aksident tragjik, deputeti i PD-së, Sokol Olldashi.
Nëna, humbi njeriun më të dashur të cilin e rriti me aq shumë mund dhe sakrifica për shkak edhe të regjimit, i cili e internoi familjen e Sokolit,  kur ai ishte vetëm dy vjeç në Selenicë të Vlorës.
Bashkëshortja humbi njeriun e saj të zemrës, fëmijët humbën babain e dashur. PD humbi ish-ministrin dhe deputetin e saj, humbi ish-drejtuesin e Forumit Rinor, zërin e fortë dhe qytetar në Parlamentin e Shqipërisë dhe mikun e betejave politike për një shoqëri të lirë, të zhvilluar dhe më të mirë.
Shoqëria humbi një zëdhënës të sajin, ndërsa gazetaria një mik dhe koleg të përhershëm dhe të kudogjendur. Politika dje ka mbajtur frymën. Ka qenë në vendin e aksidentit e bashkuar si rrallë mund ta shikosh atë, duke kuptuar se përtej betejave dhe debateve të ditës, vlera e jetës është më e madhja.
Sokoli do të na mungojë të gjithëve. Fati e desh të largohet në një moshë të re dhe përballë tij të gjithë jemi të pafuqishëm për të protestuar, por jemi të mundur për të reflektuar, se sa e shkurtër është jeta e njeriut.
Do ta kujtojmë çdo herë si njërin nga ne, si mikun dhe shokun tonë me të cilët kemi ndarë momente të vështira, por edhe ditë të bukura. Si bashkudhëtar të një historie për të cilën ai pati fatin që të japë kontribut dhe të lërë emrin në një sërë veprash madhore jo vetëm në infrastrukturë, por edhe si ish-ministër i Brendshëm në goditjen e grupeve të krimit të organizuar më të rrezikshme në Ballkan. i dha zemër dhe rini PD-së, forcë dhe energji për ta shtyrë atë drejt rezultateve më të mira.
Sot më shumë se gjithçka ka vlerë heshtja dhe lutja e secilit nga ne për Kolin. Është koha për të kujtuar një mik që ndahet nga ne papritur duke na lënë në befasi se nuk do e dëgjojmë më zërin e tij në Kuvendin e politikës, në debatet që e bëjnë më të shëndetshme demokracinë, por edhe në tryezat e kafenesë së mëngjesit apo në takimet spontane në rrugët e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe të gjithë vendit.
E tillë është jeta. Koli e jetoi me vrull. Vrapoi, nuk eci. Dhe shpejtësia ndonjëherë është edhe kapriçoze. Të ndal në mënyrë tragjike, ashtu sikurse bëri mbrëmë me Kolin. Iku ashtu sikurse ishte mësuar të ecte, duke vrapuar, vetëm se kësaj radhe për të shkuar në një jetë tjetër, për të cilën i lutemi Zotit, që ta vendosë në anën e të mirëve.
I gjendemi pranë familjes së tij në këto momente të vështira dhe lusim Zotim t’i japë forcë që të kalojë këtë ditë të vështirë
“.

Bashkia e Tiranës, flamujt në gjysmështizë gjatë homazheve për deputetin Olldashi

Bashkia e Tiranës ka vendosur që flamujt në kryeqytet të ulen në gjysmë shtizë gjatë periudhës së homazheve për deputetin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Homazhet në nderim të deputetit Sokol Olldashi do të bëhen në Kuvendin e Shqipërisë në orën 11:00 ndërsa ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 14:00.

Sokol Olldashi humbi jetën në një aksident rrugor në rrugën Elbasan-Tiranë, pranë lapidarit të Kërrabës ndërsa kthehej nga Elbasani në orën 21.15. Moti i keq, me reshje të dendura shiu, dhe ndoshta shpejtësia bënë të pamundur mbijetesën e tij. Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 2001. Ai ka qenë po ashtu ministër i Brendshëm dhe ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit. Lidhur me dinamikën e aksidentit priten edhe detaje nga Policia e Tiranës, e cila ka njoftuar se do të dalë në një deklaratë për mediat.

Mesazhe ngushëllimi nga Kosova

Kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi, ngushëllon homologun e tij shqiptar, Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ngushëlloi sot kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vdekjes së deputetit Sokol Olldashi.

Në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit kosovar Krasniqi thuhet se “me dhembje të thellë mësuam lajmin që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi ka humbur jetën në aksident të rëndë trafiku”.

“Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për Kuvendin e Shqipërisë. Familja Olldashi ka humbur njeriun më të dashur, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë humbi deputetin e palodhshëm dhe të përkushtuar në detyrat e tij si i zgjedhur i qytetarëve shqiptarë”, shprehet kryeparlamentari i Kosovës.

“Duke ndarë dhembjen bashkë me familjarët e deputetit Sokol Olldashi, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe familjes Olldashi”, përfundon  telegrami i ngushëllimit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ngushëlloi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i dërgoi një telegram ngushëllimi kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, me rastin e shuarjes tragjike të deputetit të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Sokol Olldashi.

Kumti i hidhur për aksidentin tragjik, në të cilin pësoi Sokol Olldashi, është përjetuar me pikëllim të thellë kudo në Republikën e Kosovës. Në këto çaste zie e pikëllimi, shpirtërisht dhe në lutje jemi me familjen e z. Olldashi, me Ju, me kolegët dhe bashkëveprimtarët e tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe në Partinë Demokratike, si dhe me mbarë popullin shqiptar”, shprehet kryetari i LDK-së.

Mustafa vijon se, puna dhe angazhimi i Sokol Olldashit, si ministër dhe si deputet, për prosperitetin e shtetit shqiptar, për demokracinë dhe intergrimet euroatlantike të Shqipërisë, do të kujtohen gjithmonë me nderim të veçantë nga ne, drejtuesit dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Ikja e tij e hershme është një humbje e madhe për të gjithë ne, në Shqipëri e në Kosovë. Ndaj, i nderuar Basha, ju lus që ndjenjën e dhembjes sonë të thellë t’ua përcillni familjarëve të z. Olldashi, të gjithë miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të shumtë anekënd Shqipërisë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

 

Humb jetën në aksident rrugor deputeti Sokol Olldashi

“I porci volano”. The Economist e i migranti italiani in Gran Bretagna