Akuzohet se, në bashkëpunim me familjarë të tij, ka përfituar në mënyrë të paligjshme vlerën e rreth 15 milionë dollarëve.
Romë, 23 dhjetor 2013 – Policia e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatim Taksave kanë depozituar një padi penale në prokurori në ngarkim të biznesmenit 42-vjeçar Rezart Taçi me një sërë akuzash për abuzime financiare
Burime të prokurorisë se Tiranës thonë se në akuzën e ngritur nga dy institucionet ligj-zbatuese dyshohet se Rezart Taçi në bashkëpunim me të afërt të tij kanë përfituar në kundërshtim të ligjit vlerën e rreth 15 milionë dollarëve.
Në padinë e bërë thuhet se nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar informacione, të dhëna e fakte, mbi disa transaksione bankare, kontrata shitjeje pasurie, kontrata shitjesh të subjekteve tregtare, raporte kontrolli nga organet tatimore etj, të kryera nga Rezart Taçi.
Sipas këtyre të dhënave, policia dyshon se Taçi, në cilësinë e administratorit, ortakut dhe pronarit të disa subjekteve tregtare dhe disa persona të tjerë të lidhur me të në marrëdhënie tregtare e familjare, kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë veprime të kundërligjshme që përbëjnë elementë të gjashtë veprave penale të ndryshme, si “fshehja e të ardhurave”, “mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “falsifikimi i dokumenteve”, “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në padinë e dorëzuar javët e fundit në Prokurori, veç biznesmenit të njohur janë kallëzuar penalisht edhe familjarët e afërt të tij. Nën hetim, sipas burimeve të Policisë, janë edhe bashkëpunëtorët e biznesit të Rezart Taçit, si Anika Taçi, Mustafa Taçi, Drita Aliçka, Arjanit Kolgega dhe Irgen Selfo.
Taçi është i njohur edhe në Itali, ku ka jetuar disa vjet (Alessandria e Torino) e ka kryer studimet në Juridik. Në vitin 2011, në emër të firmës së tij Taçi Oil ai ka nënshkruar një partnership vjetor si sponsor premium me skuadrën e futbollit të Milanit. Në të njëjtën kohë emri i tij u përfol si një nga blerësit e mundshëm të skuadrës së Bolognas, gjë që nuk u realizua.
Dosja penale e botuar në shtypin shqiptar
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)