in

Shtetësia italiane. Letta: “Reforma për brezat e dytë në paktin e ri të qeverisë”

“Italia ka ndryshuar, duhet të përfitojmë nga mundësitë e krijuara”. Në konferencën e fundvitit, kryeministri Enrico Letta lajmëron edhe modifikime të Bossi-Finit, një “revizion të përgjithshëm të sistemit të pritjes dhe të qendrave të identifikimit dhe të dëbimit”

Romë, 23 dhjetor 2013 – Në paktin e qeverisë që do të shkruhet në janar për të përcaktuar përparësitë e ekzekutivit do të gjejnë hapësirë edhe reforma e shtetësisë për brezat e dytë, modifikime të ligjit mbi imigracionin si edhe një revizion i përgjithshëm i sistemit të pritjes së migrantëve dhe të CIE-ve. I ka pohuar sot kryeministri Letta gjatë konferencës për shtyp të fundvitit.

“Kam qenë gjithnjë i bindur – ka shpjeguar kryeministri – që është e nevojshme një normativë e re mbi çështjen e ius soli-t (të drejtën e shtetësisë sipas vendit të lindjes). Theksoj faktin që kisha vendosur të kisha një ministre për integrimin dhe për këtë kisha zgjedhur pikërisht Cècile Kyenge. Për sa më takon do të propozoj e do të punoj me qëllim që reforma e shtetësisë dhe e ius soli-t të bëhet pjesë e Kontratës së qeverisë që do të shkruajmë së bashku në janar”.

“Jam i mendimit – ka shtuar – që është diçka e rëndësishme dhe themelore. Ka ndryshuar gjithçka, në klasat e tyre fëmijët tanëshohin një kaleidoskop që ne nuk shihnim kur shkonim në shkollë, dhe janë të shumta mundësitë, avantazhet e këtij kaleidoskopi që duhet t’u japim bijve tanë. E arrijmë këtë vetëm nëse shokët e shkollës së bijve tanë që nuk kanë prindër italianë të përjetojnë plotësisht të qenit italianë. Kjo do të jetë një nga pikat e rëndësishme për të cilën do të ngre zërin”.

Duke folur për imigracionin e duke shpjeguar sa është bërë në Itali pas tragjedisë së Lampedusës, Letta ka folur për operacionin Mare Nostrum. “Italia në mënyrë autonome ka marrë përsipër një operacion që jo vetëm ka shpëtuar jetë njerëzish, deri tani mbi dymijë  persona që po mbyteshin, por që na ka lejuar të godasim tregtarët e vdekjes, skafistët, të cilët janë arrestuar nga prokuroria”.

“Zbarkimet – ka nënvizuar kryeministri – në vitin 2013 janë trefishuar. Jemi përballë një presioni të fortë për të cilin vendi ynë shtë përpjekur të japë zgjidhje. Mare Nostrum është njëra prej tyr, të tjerat janë në nivel evropian me diskutimin dhe përfundimet e nxjerra në Këshillin Evropian, si përforcimi i Frontex-it. Të tjera gjëra duhet t’i bëjmë ne”.

“Nuk kam asnjë dyshim – ka shpjeguar Letta – që diskutimi rreth disa aspekteve të Bossi-Finit do të jetë një nga temat e janarit. Po ashtu, qeveria do të nisë në mënyrë autonome punën për revizionimin e përgjithshëm të standardeve të CIE-ve dhe të mikpritjes, në vazhdimësi me punën e bërë në këto muaj me Sistemin e Mbrojtjes dhe të Mikpritjes për Refugjatët, që ka dyfishuar kapacitetin e duke e çuar atë në 16 mijë vende”.

Të gjitha këto janë zgjedhje të bëra në “një moment të ndërlikuar”, nën “presion të paparë ndaj brigjeve tona në një vit të vështirë”.

“Një revizion i përgjithshëm i sistemit të mikpritjes dhe të CIE-ve – ka përfunduar kryeministri – përbën një përgjigje tashmë të detyrueshme nga presioni i shtuar. Do të bashkojmë mbrojtjen e të drejtave themelore të individëve dhe aplikimin e atyre kritereve të mikpritjes për të cilat vendi ynë është dalluar gjithnjë me sigurinë e qytetarëve”.

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Paditet për abuzime financiare Rezart Taçi

Elhaida Dani në Koncertin e Krishtlindjeve. Sonte në Rai 2