Emigrantët do të mund të aplikojnë për pasaportë në Romë e Milano kundrejt një çmimi prej 85 eurosh, ndërsa për letërnjoftimin elektronik do të paguajnë 10 euro. Kuvendi i Shqipërisë miraton sot ligjin mbi shtesën e kontratës konçensionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike” që parashikon aplikimin edhe në zyrat konsullore të Romës, Milanos, Athinës dhe Selanikut
Tiranë, 23 shtator 2010 – Mjaftuan 74 votat e maxhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të ratifikuar sot, më 23 shtator, shtesën e kontratës konçensionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të SAGEM SECURITE dhe Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve”.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji emigrantët shqiptarë do të mund të aplikojnë për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit (letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike) edhe ne Itali e Greqi, më saktë pranë zyrave konsullore në Athinë, Selanik, Milano dhe Romë. Në këto 4 zyra, mund të aplikojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht vendeve ku punojnë e jetojnë, mjaft të figurojnë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
Çmimi për aplikim në zyrat konsullore në Itali e Greqi mbetet po ai, 10 euro për letërnjoftimin dhe 85 për pasaportën biometrike. Projektligji parashikon një investim shtesë prej 3,5 milionë euro.