Sipas forcave të rendit ka vrarë veten me të njëjtën pistoletë me të cilën natën e vitit të ri plagosi babain e vëllain e ish të shoqes
Romë, 2 janar 2014 – Ka përfunduar tragjikisht arratija e 43-vjeçarit që kërkohej për tentativën e vrasjes më 31 dhjetor të vëllait dhe babait të ish gruas së tij në Dello të provincës së Brescias.
Trupi i pajetë i A.S. – murator 43 vjeç – është gjetur mëngjesin e sotëm në rrugën Malta të Brescias pranë gjykatës për të miturit.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga forcat e rendit, A.S. ka vrarë veten me të njëjtën pistoletë që dy net më parë kish qëlluar kundër ish kunatit e vjehrrit, pistoletë që është gjetur pranë trupit të pajetë.
Shkak i zënies së natës së Vitit të Ri që ka përfunduar me plagosjen e dy personave duhet të ketë qenë fakti që 43-vjeçari nuk pranonte ndarjen nga gruaja dhe problemet e lindura për mbajtjen e dy fëmijëve të çiftit. Qoftë ish kunati 33 vjeç i plagosur në këmbë, qoftë ish vjehrri 64 vjeç që plumbi e ka marrë në kraharor, nuk rrezikojnë jetën, por A.S. ndoshta nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti e duke menduar se kish bërë diçka të pariparueshme ka vrarë veten.
Lexo edhe: Brescia. Qëllon me armë babain dhe vëllain e ish të shoqes
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)