Forcat e rendit po merrin në pyetje një të ri shqiptar, i gjetur buzë detit pa dokumente e me rroba të lagura. Dyshohet të jetë ndër ata që kanë sjellë drogën nga Shqipëria
Romë, 5 janar 2014 – Guardia di Finanza në Puglia e ka nisur këtë vit me sekuestrimin e 360 kg marihuanë.
Në të gdhirë të të shtunës, 4 janar, dikush ka lajmëruar Karabinierët e Lecces se natën kish pikasur një mjet lundrues në ujërat përballë San Cataldos (provinca e Lecces) dhe kish dëgjuar të kërkohej ndihmë. Duke menduar se mund të bëhej fjalë për emigrantë të parregullt në vështirësi, Kapitaneria e portit të Otrantos dhe njësi lundruese të Repartit operativ të Guardia di Finanza kanë nisur kontrollimin në det ndërsa një patrullë e policisë së Otrantos atë të plazhit. Në mëngjes, këta të fundit kanë gjetur një të ri shqiptar pa dokumente, me rroba të lagura e në gjendje ipotermie (rënie e temperaturës trupore për shkak të të ftohtit) që është çuar menjëherë në spitalin e Lecces.
Ndërsa në det, rreth 300 metra nga bregu, një motovedetë e financierëve ka gjetur një gomone 5 metra të gjatë. Brenda saj asnjë klandestin, por 32 pako me gjithsej 360 kg marihuanë dhe dokumente që mund të jenë të vlefshme për vazhdimin e hetimeve.
Ndërkaq, 21 vjeçari shqiptar po merret në pyetje nga Kuestura pasi dyshohet të jetë ndër ata që kanë sjellë drogën nga Shqipëria.