in

Vetëcertifikimet. Edhe në vitin 2014 imigrantët duhet të presin e të bëjnë radhët

Ligji “Njëmijë shtyrjet” shtyn sërish afatin për mundësinë e përdorimit të vetëcertifikimeve edhe për lejet e qëndrimit e praktikat e tjera të imigracionit. Administrata Publike nuk arrin të vërë në komunikim me njëra tjetrën bankat e të dhënave

Romë, 7 janar 2014 – Sërish nuk bëhet gjë për imigrantët. Edhe 2014 hapet me një konfirmim të pritur por aspak të favorshëm për të huajt që jetojnë në Itali: duhet të vazhdojnë të vihen në radhë, shpesh tejet të gjata, në zyrat publike në kërkim të këtij apo atij dokumenti, për t’ia çuar një tjetre zyre po të Administratës Publike. Dekretligji “Njëmijë shtyrjet” (quhet tamam kështu, “Milleproroghe”) shtyn sërish afatin për mundësinë e lëshimit nga anë e imigrantëve (dhe të pranimit nga Administrata Publike) të vetëcertifikimeve edhe për lejet e qëndrimit e praktikat e tjera të imigracionit. Duket se Administrata Publike nuk arrin të vërë në komunikim mes tyre bankat e të dhënave edhe për të huajt, gjë që ka bërë për italianët

Le ta marrim me radhë. Një ligj në fuqi nga 1 janari 2012, parashikon që zyrat publike nuk mund të kërkojnë ose të lëshojnë certifikata, që të përdoren në marrëdhëniet e qytetarit me Administratën Publike, që përmbajnë të dhëna që zotërohen nga të tjera zyra publike. Për shembull, INPS nuk mund t’i kërkojë qytetarit certifikatën e gjendjes familjare, duhet të pranojë vetëcertifikim e po të dojë të verifikojë vetë në Komunë atë që qytetari deklaron.

Por ligji vetë bën një përjashtim: nuk vlen për “dispozitat speciale që përmbajnë ligjet e rregulloret që kanë të bëjnë me imigracionin dhe të qenin i huaj”. Do të thotë, për shembull, që një student i huaj nuk mund të vetëcertifikojë që ka marrë provimet e vitit për të përtërirë lejen e qëndrimit për studime, por duhet t’i japë kuesturës një certifikatë të universitetit. Po ashtu, një i papunë që kërkon lejeqëndrim për pritje punësimi duhet të pajiset me certifikatën e regjistrimit në Qendrën për Punën.

Ky përjashtim ishte i detyrueshëm nga fakti që në fillim të vitit 2012, për të përdorur të njëjtët shembuj, nuk ekzistonte një lidhje telematike mes Kuesturave, Universiteteve, Qendrave të Punësimit që të ishte e mundur verifikimi i vetëcertifikimeve të paraqitura nga të huajt.

Në pranverën e vitit 2012, duke konvertuar në ligj dekretin mbi thjeshtëzimin, Parlamenti kishte hequr përjashtimin e parashikuar për të huajt. Praktikisht, duhet të ishte e mundur të përdoreshin vetëcertifikimet edhe për lejet e qëndrimit e të gjitha praktikat e tjera që kanë të bëjnë me imigracionin. Norma e re duhet të hynte në fuqi më 1 janar 2013, në mënyrë që Administratës Publike t’i jepej kohë për të vënë në rrjet bankat e ndryshme të të dhënave (për shembull ato të universiteteve apo të Qendrave për punësimet) me Kuesturat dhe Prefekturat.

Ajo lidhje, me sa duket, paska qenë shumë më e vështirë nga ç’parashikohej.  E nga një normë në tjetrën, ardhja në fuqi i këtij lehtësimi për imigrantët u shty vazhdimisht: fillimisht më 30 qqershor 2013, pastaj më 31 dhjetor 2013. E tani, mes njëmijë shtyrjeve të dekretit me të njëjtin emër të miratuar në fund të dhjetorit nga Qeveria, parashikohet sërish një shtyrje për vetëcertifikimet e imigrantëve.

Kështu, edhe këtë vit, të paktën deri më 30 qershor, imigrantëve u duhet të bëjnë radhët e të tërheqin certifikata në zyrat publike.

Me pak fjalë të presim e të shohim nëse vera do të na sjellë ndonjë të re pozitive. Duke pasur parasysh si kanë shkuar gjërat deri tani, vështirë të besohet se ndryshon gjë.

Elvio Pasca

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

“Sono italiani”. A L’Aquila cittadinanza onoraria ai figli degli immigrati

Novellara: Ekspozita fotografike e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë