in

Novellara: Ekspozita fotografike e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë

Me rastin e 27 janarit, Ditës së Kujtesës, në muzeun Gonzaga të Novellarës do të hapet ekspozita “Besa, një kod nderi. Shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”, që përbëhet nga një sërë imazhesh të fotografit amerikan Norman Gershman, që për disa vjet ka përshkuar gjerë e gjatë Shqipërinë duke rikuperuar dëshmitë e akteve të mrekullueshme të shpëtimit të hebrenjve nga familjet shqiptare dhe duke i dokumentuar ato përmes portreteve të shpëtimtarëve apo të pasardhësve të tyre.

Numërohen 69 shqiptarë që janë nderuar nga Izraeli e Yad Vashem, muzeu i Holokaustit në Jerusalem, me titullin “I drejti mes kombeve”, titull që u jepet të gjithë atyre që gjatë viteve të persekutimeve raciale rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenj. Sepse nga pushtimi nazist në 1943 deri në çlirimin e vendit, autoritetet shqiptare, por edhe qytetarët e thjeshtë, bënë një qëndresë të guximshme për të mbrojtur dhe shpëtuar rreth 2 mijë hebrenjtë në emër të Besës, kodit të lashtë të nderit të rrënjosur thellë në kulturën e traditën e tyre.

Kjo histori e jashtëzakonshme, deri vonë e panjohur nga opinioni publik perëndimor, është rindërtuar në ekspozitën “Besa, një kod nderi. Shqiptarë myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”. Ekspozita është realizuar nga muzeu Yad Vashem dhe përbëhet nga një sërë imazhesh të fotografit amerikan Norman Gershman, që për pesë vjet ka përshkuar gjerë e gjatë Shqipërinë duke rikuperuar dëshmitë e këtyre akteve të mrekullueshme dhe duke i dokumentuar ato përmes portreteve të shpëtimtarëve apo të pasardhësve të tyre.

Për të parën herë në versionin italian u soll në muzeun hebraik Carlo e Vera Wagner të Triestes në shtator 2009. Për domethënien e thellë historike dhe për vlerën e saj etike, ekspozita “Besa, një kod nderi” ka shëtitur më pas edhe në qytete të tjera të Italisë pë të arritur këtë vit në muzeun Gonzaga të Novellarës në provincën e Reggio Emilias.

Do të qëndrojë hapur nga 12 janari deri më 2 shkurt. Mund të vizitohet çdo të diel nga ora 10.00 deri më 12.30 dhe nga ora 15.00 deri në 18.30. Gjatë ditëve të tjera të javës mund të vizitohet nga shkollat duke marrë takim me telefon në numrin 0522655426.

Lexo edhe: Histori shqiptarësh që mbrojtën hebrenjtë

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Vetëcertifikimet. Edhe në vitin 2014 imigrantët duhet të presin e të bëjnë radhët

Tragjedia e 9 janarit, dhjetë vjet më pas